ALKIMI TE VONUARA II
E përfytyroj se çfarë mund të shkruante Klara në ditarin e saj imagjinar, nëse do e lexonte shënimin tim të fundit:
“Kujt po i buzëqesh ashtu, ë?”
Eshtë zëri i njohur i tim shoqi që më bën zgjimin e rradhës. Eshtë bërë përgjuesi i gjumit tim prej disa vitesh.… Prej njëzet vjetësh ai ndodhet gjithnjë aty, si një leshterik barkalec që nuk dihet mirë se ç’dallgë e hodhën në këto brigje të gjumit tim.
“Ti grua më tradhëton në ëndërr…”
اdo mbrëmje para se të bie për gjumë i lutem perëndisë që ai të mos zgjohet para meje dhe kështu të mos e kapë në flagrancë buzëqeshjen time.
اdo buzëqeshje e imja në gjumë përbën një tradhëti bashkëshortore për tim shoq. Madje shpesh, ndërsa unë fle ai tinëz vë veshin pranë gojës sime gjysëm të hapur dhe bën kontrollin e rradhës. Përpiqet të kapë e të deshifrojë tërë tingujt e fshehtë që, duke dalë nga shpirti, ndalojnë mbi buzët e mia në formë të asaj buzëqeshjes që ia prish gjumin atij.… Aq shumë është specializuar në këtë zeje të re, saqë mendon se në një të ardhme të afërt do arrijë të përcaktojë, jo vetëm moshën, por edhe emrin e dashnorit te ëndrrave të mia
“Ti grua më tradhëton në ëndërr…”
Ky është konkluzioni i eksperimenteve të tij në vitin e fundit. Laboratori ku ai kryen këto eksperimente është dhoma jonë e gjumit dhe krevati ynë bashkëshortor. Sigurisht që kavia e tij eksperimentale jam unë dhe buzët e mia. Qëllimi i eksperimenteve ka ndyshuar me kalimin e kohës. Dikur ai ishte asgjë më shumë se sa përpjekja që një burre i pasigurte bën për të rifituar vendin e tij mashkullor në viset femrore të trupit tim. Dilte lakuriq para meje, gjoja si padashje, dhe, me xheste të një horri të vonuar, mbulonte seksin e tij, duke shpresuar që kjo gjë do më eksitonte, siç thuhej edhe në një manual të vjetër indian. Por më kot. Orgazma ime nuk ndodhte.
Një ditë mjetet laboratorike u sofistikuan dhe u bënë më bashkëkohorë: një duzinë kasetash porno mbushi dhomën tonë të gjumit, ndërsa një ekran gjigand 60 inçësh zuri të na bënte shoqëri nonstop , madje edhe kur gërrhitjet e mia arrinin kulmin nga ai ekran vazhdonin rënkimet dhe dihatjet e ca toçave të zinj me nofulla katrore dhe me një zorrë të gjatë mes këmbëve. Orë të tëra pallime pa u puthur asnjë çast. 20 vjet që ndjehem vrimë. Unë jam vrima me të cilën ai krenohet. Vrima e tij leshatore, meqë, ndër të tjera, ai ka edhe një pasion të vjetër për pyjet.
Më vjen keq për të. Ka qenë vërtet një hamshor dikur, por kjo “dikur” dikur do mbaronte natyrisht…Një mashkull vdes kur nuk i vjen të puthë më…Dhe, bashkë me puthjen e tij, vdes edhe buzëqeshja te femra…Po vërtet… kush më puth mua në gjumë në ëndrrat e mia? Vërtet… pse buzëqesh unë në gjumë?
Pse vallë një burrë e ka të vështirë të pranojë që te gruaja ca gjëra funksionojnë ndryshe në kohë të ndryshme? Kaq të vështirë e ka ai të kuptojë që buzëqeshja e një femre në gjumë është diçka e pavullnetshme? Diçka e pavullnetshme e ngjajshme me ereksionet e mashkullit… Pa asnjë urdhër…
Ndërkohë ngrihem nga shtrati, bëj një dush dhe vishem e parfumosem. Ora po i afrohet nëntës, do nisem për në zyrë dhe, teksa do kaloj pranë lokalit ku djelmoshat e lagjes gjerbin kafenë e mëngjesit, do shijoj ngacmimet e tyre, bërrylat që do më prekin “padashur”, do dalloj përsëri fryrjet e pavullnetshme në pantallonat e tyre dhe… do të buzëqesh.
E vetmja buzëqeshje që ai nuk ma përgjon dot kurrë…”
(nga romani “Republika e Semaforëve”)
©artangjyzelhasani 2008