BE hap dyert/ Ndryshojnë rregullat, si mund të udhëtojnë tani e tutje shqiptarët.



Ministrat për çështjet europiane të Bashkimit Europian shqyrtojnë sot rekomandimin e Komisionit Europian për ndryshimin e rregullave lidhur me udhëtimet drejt Bashkimit Europian në kontekstin e evolucionit të pandemisë COVID-19.

Burime diplomatike të Bashkimit Europian kanë bërë të ditur për ABC, se do të ndryshohet qasja për udhëtimet jo-thelbësore nga vendet e treta si Shqipëria drejt Bashkimit Europian. Qasja për heqjen e kufizimeve për udhëtimet drejt BE-së nuk do të jetë më në bazë të listave të vendeve të sigurta në nivelin epidemiologjik, por në bazë individuale.

Sipas këtyre rregullave, të gjithë qytetarët ekstrakomunitarë si ata të Ballkanit Perëndimor që janë plotësisht të vaksinuar me vaksinat që njihen nga Bashkimi Europian do të mund të udhëtojnë lirisht në zonën Shengen pa marrë parasysh nëse vendi nga ku nisen qytetarët përfshihet në listën e vendeve të sigurta apo jo. Qytetarët e vendeve të treta do të mund të udhëtojnë drejt BE-së me një certifikate dixhitale COVID-19.
Por certifikata nuk duhet të ketë kaluar afatin e vlefshmërisë, që llogaritet me 9 muaj nga marrja e dozës së fundit të vaksinës (dozes së dytë për vaksinat si Pfizer, Astra Zeneca, etj). Në këtë rast, certifikata është e pavlefshme.

Për të udhëtuar në zonën Shengen. këta qytetarë duhet të marrin dozën e tretë, që quhet ndryshe dozë përforcuese apo booster.
Burime diplomatike janë shprehur për ABC, se është dashur të punojnë mbi një tekst kompromisi, që mund të jetë i pranueshëm nga të 27 gjitha shtetet anëtare të BE-së, ndaj ka precizime dhe masa shtesë nga shtetet anëtare, si dhe një afat tranzicioni deri në fund të prillit për shtetet anëtare. Pra, mbetet të precizohet në përfundim të takimit afati i hyrjes në fuqi të rregullave të reja.
Komisioni Europian i rekomandon shteteve anëtare të pranojnë po ashtu qytetarët e vendeve të treta që janë vaksinuar me një vaksinë të njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke ju nënshtruar një testi PCR.

Nëse ministrat e aprovojnë edhe këtë pikë, atëherë qytetarët shqiptarë apo të Ballkanit Perëndimor të vaksinuar me vaksinën kineze apo ruse, do të kenë të drejtë të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian duke iu nënshtruar një testi PCR. E njëjta gjë vlen për ata që kanë një certifikatë shërimi nga COVID-19. Gjithashtu fëmijët nën moshën 18, mund të vijnë me një test PCR.

/Focus.al
 
Top