• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Fjalë që ia them vetes!

Soulmind

Soli/Soulmendja/Soul

Përpara disa ditëve zhvillova një bisedë me vajzën time e cila filloi të më tregonte plot zell ngjarje të ndryshme të eksursionit të saj me klasën ditë më parë. Më mori për dore për tek dhoma e gjumit, ku u ulëm dhe filluam një bisedë që për të ishte shumë e rëndësishme për nga mënyra se si fliste hapur dhe lirshëm me përshkrimin e të gjitha detajeve.

Më tregoi se si disa djem të mëdhenj i kishin kërkuar asaj dhe shoqeve të saja që të largoheshin nga vendi ku vajzat po luanin, pasi djemtë kishin në plan të luanin vetë. Vajza më tregoi të gjithë dialogun që kishin zhvilluar dhe faktin se ishin treguar tepër guximtare dhe aspak frikacake karshi imponimit të djemve për t’i përzënë nga vendi i tyre i lojës. Ndërkohë që ime bijë më tregonte për gjërat e saj, nga brenda më vlonte dëshira e padurimi që ta ndërprisja e ta këshilloja sa herë që hapte gojën, por për fat të mirë u përmbajta dhe nuk e bëra. E dëgjova me durim të sforcuar derisa mbaroi dhe duke dashur të mos tregohem e pakujdesshme që të mos e zhgënjeja, fillova ta këshilloj. Menjëherë fytyra e saj ndryshoi dhe u distancua paksa prej meje. Kuptova që ajo donte të ndante këtë eksperiencë të sajën me mua pasi më konsideronte njeriun më të afërt, jo thjesht si një nënë që kujdeset për ushqimin dhe higjenën e saj por mbi të gjitha si një mikeshë me të cilën mund të ndajë të gjitha mendimet dhe ndjesitë e veta. Fillova të flas ngadalë dhe butë por pa mundur dot të shmang rolin e mamit që jep këshilla dhe “kritika të buta”. Në fillim të bisedës sytë e vajzës më shihnim miqsisht dhe ngultazi, por më pas vëshrimi i saj ndryshoi dhe menjëherë i lexova mendimin që fshihej pas tyre: ” filloi nga kritikat mami tani…” Nga shikimi i vajzës kuptova se besimi që ajo tregoi ndaj meje kur më mori në fillim për dore filloi të tretej shpejt, pikërisht në momentin kur nxitova të bëj rolin e nënës me këshilla që i recitoj përmendësh, si të shkruara në letër.

Për hir të së vërtetës teoritë dhe sygjerimet që lexojmë mbi mënyrën se si duhet të sillemi me fëmijët nuk funksionojnë vetëm me dëshirën e mirë për t’a bërë këtë, por kjo kërkon përkushtim dhe seriozitet. Dhe serioziteti ka të bëjë me të qënurit të ndërgjegjshëm se marrëdhënia e mirë me fëmijën është vlerë e lartë pasi ajo është e domosdoshme për mirërritjen e tij, mirëqenien e tij psikologjike dhe formimin e personalitetit. Mënyra se si e trajtojmë fëmijën lë gjurmë tek ai dhe është investim për të ardhmen e tij. Nuk mund të jemi neglizhues në asnjë detaj, (por sidomos me to) gjest, fjalë e thënë kalimthi ashtu si pa menduar, sepse nëse nuk i kushtojmë vëmendje fëmija rrezikon të humbasë besimin tek vetja. Po ashtu edhe një fjalë e vogël në dukje por e thënë plot dashuri e përkushtim prej nesh mund ta bëjë fëmijën me krahë, fjalët motivuese dhe mbështetëse zhvillojnë tek ai autostimën e për pasojë e aftësinë e tij për t’u përballur në jetë me të gjitha llojet e pengesave që i servir mosha e tyre delikate.
Shumë është folur dhe vazhdon të flitet për marrëdhëniet prind-fëmijë dhe unë jam e ndërgjegjshme se këtij argumenti nuk jam duke i shtuar asgjë të re. E vetmja gjë që dua të bëj është të ndaj me lexuesin eksperiencën time që më mëson çdo ditë dhe mua si njeri.

Kohët e fundit kam filluar të ndjehem shumë mirë, pasi kam arritur t’i përgjigjem djalit tim i cili pa pushim më bënte pyetje të kësaj natyre: Si marrim frymë? Si mendojmë ne? Si na lindin idetë? Pse duhet të shkoj në shkollë? Ndonjëherë kur e dëgjoj të bëjë pyetje që mua më duken naive dua të qesh me të madhe, por sigurisht që nuk e bëj, sepse në sytë e tij duket sa e rëndësishme është ajo që thotë dhe kështu nuk dëshiroj ta lëndoj aspak. Djalin tim përpiqem t’a trajtoj si një personalitet që duhet respektuar. Them “përpiqem”, sepse ndonjëherë situata më shpëton nga duart. Kur vajza më flet për çështjet e saj përpiqem ta respektoj edhe atë duke i trajtuar seriozisht ndjenjat dhe mendimet e saj. Në shikimin e saj tanimë dua të lexoj sigurinë e vajzës kur bisedon me mua, dua t’i lë të kuptojë se edhe kur nuk jam duke i dhënë përgjigjen e duhur, të paktën jam duke u përpjekur dhe se dua ta ndihmoj. Si çdo prind edhe unë gjendem përballë një sfide të madhe të të qenurit prind dhe pjesë e jetës së fëmijëve të mi në çdo dimension të tyrin. Unë dua të jem njeriu i parë tek i cili drejtohen fëmijët sa herë që kanë nevojë të diskutojnë për një problem, apo episod të caktuar, ose kur kanë ndonjë ide të re të cilën duan t’a shfaqin.

Nëse duam të jemi personi më i rëndësishëm për fëmijën duhet të punojmë fort për këtë. Të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm se koha kalon shpejtë dhe fëmijët papritmas duken të rritur sa hap e mbyll sytë. Periudha e rritjes së fëmijës është periudhë e artë, sepse gjatë kësaj kohe kemi marrë përsipër të rrisim individët e së ardhmes të denjë për veten, familjen dhe shoqërinë. Pra…..e dashur “vete” kurrë mos e harro se çdo ditë është një shans për të forcuar marrëdhënien me fëmijët, në mënyrë që ata të ndjehen të sigurtë, të vendosur e të fortë për të ecur përpara e për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

A do t’ia dalim që t’a realizojmë rolin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme e të krijojmë me fëmijët tanë marrdhënie optimale? Kësaj nuk di t’i përgjigjem me siguri, por për një gjë jam e vendosur; se ky tashmë ka për të qenë prioriteti im.

marre nga Belkisa.com
 
Top