• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Fragmente te perzgjedhura

Marla

On my way..
Burri është i gjallë, deri kur për të mendon një grua.
("Bota e djeshme"-Stefan Cvajg)

...”I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe netë, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtim për ju – një grua, një e huaj.
Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qënies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj.
Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndërrat e tua.
Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.
Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni mashkull i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qënie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj.
Është i kotë tentimi i juaj si mashkull për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju.
Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo...”
 

Moonlight

With or Without u
Staf në FV.AL
Letër e Winston Churchill për bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill, më 1894
E dashura ime Clemmie!

Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari…

Se ç’do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë.

Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.
 

Legally_Sweet

Ain’t no sunshine when she’s gone
Staf në FV.AL
Mario de Andrade- DUA...

....Dua thelbësoren, sepse shpirti im tani ka ngut.
Dhe me kaq pak karamele në qeskë...
Tani, kaq i vetëm, dua të jetoj mes qenieve njerëzore shumë të ndjeshme.
Njerëz që të dinë të dashurojnë e të mos tallen me të patëkeqtë e me gabimet e tyre.
Njerëz shumë të sigurtë në vetvete, që të mos mburren për luksin e vet dhe për pasuritë e veta.
Njerëz që të mos e mbajnë veten “të zgjedhur” parakohe.
Njerëz që të mos u ikin përgjegjësive të veta.
Njerëz sa më të sinqertë që të mbrojnë dinjitetin njerëzor.
Njerëz me të cilët dëshiron vetëm të jetosh me ndershmëri e drejtësi.
Sepse vetëm thelbësorja është ajo që e bën jetën t’ia vlejë të jetohet.
Dua të rrethohem nga njerëz që të dinë të mbërrijnë në zemrën e njerëzve.
Njerëz të cilëve goditjet e rënda të jetës t’u kenë mësuar të rriten me përkëdhelje të ëmbla në shpirt.
 

Ledia

ShKoDrAnE.4.eVeR
Ka ditë...

Ka ditë që si zjarr digjen
Ditë kur heshtim dhe durojmë
Netëve mendja me zemrën grinden
Dhe pse të dashuruar, gëzimin harrojmë.

Ka ditë, orë, minuta që i djegim
Sekonda që mendojmë se jeta është një
Vite që vuajmë e dhimbje mbështjellim
Çaste kur dashuria të biem s'na le.

Ka ditë kur zemërimin gëlltisim
Pasioni na djeg, veten fajësojmë
Me buzëqeshje hidhërimin e mbysim
E vështirë është të jesh Njeri s'harrojmë

Ka ditë të këndshme, ditë që bërtasim,
Ka ditë që flet mendja, ditë që shpirtrat flasin...
 

Legally_Sweet

Ain’t no sunshine when she’s gone
Staf në FV.AL
“...Gjate atyre diteve dhe 16 oreve ai me dhuroi me shume se pesedhjete trendafila te kuq. Sepse trendafilat e kuq me pelqejne me shume. Te fundit ma dhuroi oren e fundit, te gjashtembedhjeten. Ne aeroportin e Dublinit, pak para nisjes.
E di ti qe, kur kthehesha nga aeroporti, ai trendafil me dukej dhurata me e çmuar qe me kishin bere ne jete?!
Ai ishte i dashuri im dhe njeheresh…shoqja ime me e mire. Diçka e tille ndodh vetem neper filma, madje vetem ne filmat qe xhirohen ne Kaliforni. Kurse me mua ndodhi vertet ne Dublinin me shi. Ai me dha gjithçka dhe nuk kerkoi asgje ne kembim. Absolutisht asgje. Kurrfare premtimesh, kurrfare betimi, qe “vetem ai dhe asnjehere, askush tjeter”. Thjesht asgje. Kjo qe mangesia e tij e vetme, e tmerrshme.
Per femren s’mund te kete mundim me te madh se i dashuri kaq i mire, kaq besnik, qe e do aq shume, kaq i paperseritshem, te mos te kerkoje kurrfare zotimi. Ai thjesht ekziston dhe i jep asaj siguri se keshtu do te jete perjetesisht.
Vecse ti sikur ndjen frike se kjo perjetesi, pa kurrfare premtimesh standarte, do te jete e shkurter.
Perjetesia ime zgjati 88 dite dhe 16 ore. Nga ora 17:00 e dites se 89 une nisa ta prisja. Atje, ne aeroport. Nga porta e terminalit ai u largua me autobus. U ngjit ngadale shkalleve qe te çojne ne avion dhe ne maje te tyre, fare prane deres se avionit, u kthye nga sheshi ku kisha qendruar une – e dinte qe isha aty – dhe e vuri doren e djathte mbi gjoks, me syte nga une.
Pastaj u zhduk avioni… Dhe nuk e pashe me…
Tri dite urie nuk jane asgje ne krahasim me ato qe perjetova tre muajt e pare pas largimit te tij. Ai nuk me shkroi. Nuk me telefonoi. E dija qe avioni kishte mberritur deri ne Varshave, sepse pas nje jave heshtjeje pyeta ne byrone e agjencise ajrore ne Londer. Per t’u siguruar qe s’kishte ndodhur ndonje e keqe.
Ai vetem vuri doren ne zemer dhe u zhduk nga jeta ime…”.

J. Vishnjevski
 

Marla

On my way..
PA KUPTUAR...

...kemi ndryshuar...

distanca sa vjen e zgjatet
koha nuk mjafton
dhe asgjë nuk presim...

mendojmë më shumë
ndjejmë më pak...

trenat që nisen nga zemra
tashmë ndalojnë në tru...

mendja është stacioni i fundit
dhe aty zbresim …


© artangjyzelhasani
 
Mrekullia edhe shpirti

Mund t’i falësh dikujt trupin
Zemër, duar, mish e thua,
Vjen një ditë e i merr prapa
Sepse thjesht i ke dhënë ”hua”.
Por gjëkund në dor’zon shpirtin
Sërish prapa nuk të vjen,
”Bota jote e padukshme”
Ky është shpirti… Më se gjen!

Mrekullia do t’ish ajër
Pluhur, gjepura, teori,
Po t’mos kish diçka prej teje
Sigurisht… Ajo je ti.
Sikur gojën të m’a mbyllnin
Të më zinin vesh e sy,
Vetëm duar të më linin
Më mjaftojnë, të shkruaj për ty.
Se në trup të mbaj të mbyllur
E më mbyt në frymëzim,
Ti më mban ndër shkronja lidhur
Ndaj dhe quhesh shipirti im.

Bledi Ylli
 

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Kumbulla përtej murit - Ernest Koliqi
(Fragment)

_________
Ai s’dinte, as nuk donte n’at ças, me pa qartas ndër ndiesina të veta të ndërlikueme. Lëshohej me mirakandje në valë të tyne. Donte me hypë mbi at mur e me ngranë aso kumbullash të verdha... Ndoshta ky ish deshir i vjetër puth zgjohej rishtas mbas nji gjumi dhetë vjetësh. Ndoshta ish trill i ri lindë n’at paq zhegu ari. Por kjo s’i duhej gja m’e dijtë. Dishka ma e fortë se urtija e shtynte m’u ngjitë maje murit.
“Marri! S’jam ma i vogël si atëherë! Dikur do sende mund i bajshëm... Tashti asht marre me më pa kush...”
Ky mendim s’i vjefti. Harroi moshën, humbi njohunin e kohës e të vendit, shtini në punë kambë e duer edhe u gjet maje murit, midis degve të kumbulles. Si i dishruem, me at lakmi për pemë në gemb puth vetëm kalamajt ushqejnë, çoi dorën kah kokrrat e verdha dhe, kur i shtrëngoi ndër gishta për me i këputë, i rrëshqiti nji të dridhun andjeje në trup si të prekte mishin e njomë të nji krijatyre nxehtësisht e gjatë mot andrrue e pritë. Langu i kumbullave i ngjalli në gojë nji shije verash të humbuna, nji amë stinësh të mbrekullueshme shlulzue mbas nji prendimi të largët.
 

Në parkun që mbuluan fletët​


Në parkun që mbuluan fletët

Të dy ne ecim qetësisht,

Pas shijes saj ka shtruar vjeshta

Qilim të verdhë natyrisht.



Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë

Ju fanit një muzg i vonë

Ky park që kanë mbuluar fletët

Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.



Nga vagabondët me cigare

Ti mos u tremb e dashur kot

Imazhin tënd as dinosaurët

Shekuj më parë s'e shtypën dot.



Që ti të vije kaq e bukur

Me këta flokë, me këtë hap

Toka të egrën klimë e zbuti

Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.



Dhe s'kish se si të ndodhte ndryshe

Të ndodhte ndryshe s'kish se si.

U desh të zhdukeshin përbindshat

Që te kjo botë të vije ti...

Ismail Kadare
 

Legally_Sweet

Ain’t no sunshine when she’s gone
Staf në FV.AL
5FEDB85B-3778-4732-BAC0-CA469403B941.jpeg
 

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
K'I ME MBAJT MÊND VITKË
**********************
K'i per ta m'ajt mênd Vitke
dashuninê e pa ane dhe syte e mi ne prozhm
sa gur do prekesh me sandalet e tua kambezbathun
neper shiun e imte e plote mjegull qytezes
Ti ki per t'u qeshun pa pra...
Ki per te qeshun kur do nxirrsh nga gjyksi letrat e vjetra
budalliqet tona, lumtunite e pa shterrshme
e neper shi kur ti lexoi nji nga nji pikat e shiut kan mu njit si pulla.
prap te qullosuna n'gjyks k'i mi kthy
Ti k'i mi ulun syte e zi
Vitke e dashun, ti ke ul serish syte mbi drrasen e syve te mi
qe puthin heshtazi duart tua, qafen, gushen e pjesen me te ngroht te buzes
Ti do t'abstenosh me levizje duersh , sa her duart e mia te kapin cepat e fustanit
qe te zdirgjet llanave pa zhurme...
K'i per ta m'ajt mênd Vitke
takimet ne qoshin e hekurishtave, Plepin e thate e zanat e bretkosave,
Ç'ti bajsh ata kishim miq, ata na numronin puthjet: Plepi i that' dhe shushurima e bretkosave.
Ti ki me ikun Vitke mbas mjegulles fuqiplote
mbrapa do me lejsh aromen e flokeve, kuptimin e puthjes dhe takimin e radhes te shkruar ne cepin e buzeve - t'huja
Esat .Halilaj
 

Marla

On my way..
/Agota Kristof


Njëherë, pastaj, do të flas për diçka
të bukur gjërash të këndshme
të mbaj me një trishtim
të paperceptueshëm
një mbrëmje kur qielli do të bëhet i bukur
kur shtëpitë do të bëhen gri
dhe gjithçka do të jetë mjegull.
Atje në shi
midis shtëpive monokrone
Do të flas për pushtetin
e gjetheve të vjeshtës
sepse do të jetë tetor.
Pas mjegullës
heshtni me jakën
e ngritur me duart
e ftohta në xhep
pa dritë si hija.
Dhe shiu bie mbi kokat tona
të zbuluara nën jakat tona të hijshme
shi i butë
bie mbi shtëpitë,mbi pemët dhe qielli
bëhet gjithmonë dhe më i bukur.
Dhe bukuria do të zbresë mbi ju
me një trishtim të paperceptueshëm
dhe do të kuptoni
që tani e tutje,
do të jetë përgjithmonë vjeshtë.
 
LULJA

Një lulëz mes një libri gjeta

Të tharë edhe pa kundërmim
Dhe për një çast i shtangur mbeta
E humba thellë n’ëndërrim Kur lulëzoi?

Ç’pranverë thua?

Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

A për kujtim të një takimi?

Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një endje pikëllimi
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo, jetojnë vallë?

Ku thua janë, ku bredhin ku?
Apo mos ndoshta janë tharë
Si dhe kjo lulëze këtu?
Pushkini
 

Legally_Sweet

Ain’t no sunshine when she’s gone
Staf në FV.AL
Bente pjese ne ate tip serioz femrash te cilat jane si mjalti ne ngjyre te erret, i lemuar dhe jashtezakonisht ngjites; me nje gjest terheqes, hedhje flokesh prapa, me nje vervitje te vetme fshikulluese te veshtirimit te tyre mund te sundojne oden e te rrine te heshtura qofte edhe ne qender te ciklonit, gjoja te pavetedijshme per forcen e tyre te gravitetit, me ane te te cilit joshin ne menyre te parezistueshme mallin dhe shpirtrat e burrave, por edhe te grave.

Parfumi, Patrik Zyskind
 

Ber

Antarë i Respektuar
Miqte- Nga Timo Flloko.

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri, ti s’fal, thotë Krishti,
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë,
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak,
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”!
 

Ber

Antarë i Respektuar
Ti nuk lexon- Nga Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse ti nuk lexon.
Vendi yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.
Ti del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet; “Janë bërë me pare droge”. Ore, të thotë ndonjëri, eja në vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.
Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.
Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.
Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.
Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.
Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.
Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.
Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.
 

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Kam dëgjuar shumë burra që thonë se dëshirojnë një grua inteligjente në jetën e tyre.
Unë do t’i këshilloja që të mendohen mirë për këtë.
Gratë inteligjente marrin vendime vetë, kanë dëshirat e tyre dhe vendosin kufijtë.
Ti nuk do të jesh kurrë qendra e jetës së tyre sepse kjo e fundit rrotullohet rreth vetes së tyre.
Një grua inteligjente nuk lejon të manipulohet e as të shantazhohet, ajo merr përgjegjësi mbi vete. Gratë inteligjente vënë në diskutim, analizojnë, zihen, nuk kënaqen, avancojnë para.
Ato gra kanë patur një jetë të tyren para teje dhe e dijnë mirë se do ta kenë përsëri edhe pasi të kesh ikur ti. Ajo lajmëron, nuk kërkon leje. Këto gra nuk kërkojnë në çift një lider të cilin ta ndjekin, një baba që zgjidh dhe as për të shpëtuar një fëmijë.
Ato nuk duan të të ndjekin e as t’i tregojnë rrugën dikujt.
Duan të ecin përkrah teje.
Një grua inteligjente është e lirë sepse ka luftuar për lirinë e saj. Nuk është një viktimë, por e mbijetuar.
Mos u mundo ta prangosësh sepse ajo do të dijë sesi të arratiset. Sidomos ato që janë përballur me situata të ngjashme në të shkuarën.
Gruja inteligjente e di që vlera e saj nuk qëndron në aspektin e trupit të saj. Mendohu mirë para se ta gjykosh për moshën, gjatësinë, vëllimin apo sjelljen seksuale sepse kjo është dhunë emocionale dhe ajo e di këtë.
Prandaj: para se të thuash se dëshiron një grua inteligjente në jetën tënde, pyete veten nëse je me të vërtet i gatshëm që ti të futesh në të sajën.

GABRIEL GARCIA MARQUEZ
 

Ber

Antarë i Respektuar
Nga Albatros Rexhaj

Sa më do? - e pyeti ajo.
Vërtet dëshiron ta dish? - ia ktheu ai.
Patjetër që dua! - tha ajo dhe një buzëqeshje e bukur përkëdheli fjalët.
Ai humbi i tëri në bukurinë e buzëqeshjes së saj.
U magjeps! Kushedi për të satën herë e ndjeu me tërë qenien.
Mund të takonte edhe një milion vajza tjera, por asnjëra nuk mund të krahasohej me të.
U përhumb në mendime. Dashuria e tij ishte një det i madh që përpinte çdo mendim.
Ma thuaj, - këmbënguli përsëri ajo dhe e ktheu në realitet.
Mbylli sytë, - i tha ai dhe pastaj e përqafoi derisa ajo i mbylli sytë në kraharorin e tij. - Përpiqu të përfytyrosh gjithë universin, - vijoi ai dhe pastaj e puthi lehtë në faqe.
Vajza deshi të thoshte diçka, por ai ia vuri gishtin tregues mbi buzë.
Tani të gjithën shumëzoje me pafundësi, - i foli lehtë në vesh, - dhe përsëri do të arrish të përfytyrosh vetëm një pjesë të asaj që ndiej për ty. Ti je universi im, i shumëzuar me pafundësi... dhe shumë më tepër se kaq...
 

Marla

On my way..
- Nëno!...
- Bir!
- Dua bukë!
Mëma hesht.
- Nëno!
- Bir!
- Ngriva!
Mëma psherëtin.
- Nëno!
- Bir!
- Më dhemb koka!
Mëma s'përgjigjet.

S'ka bukë, s'ka zjarr, s'ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s'përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tiktaket e zemrës së te birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. S'guxon të qajë; ka frikë mos ta zgjojë djalin që porsa filloi të flejë. Rri dhe e vështron. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.

- Nëno!
- Biri i nënos.
- Dua bukë!
Nëna hesht.
- Nëno!
- Xhani i nënos!
- Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin.

Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron, dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në oden pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerëzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njëzet!

Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron koren e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndijë shprese shkëlqen në sytë e saj.
Shën Maria hesht!
Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.
-Nëno!
-Bir!
-S'jam mirë!
-T'u bëftë nëna, fli!

Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron koren, vështron djalin dhe psherëtin thellë. Dhe djali fle! Mëma i vë doren në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mema qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht. Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje. S'u prish bota, as fukuaralleku s'mori fund.

Nonda Bulka

FB_IMG_1603736083045.jpg
 

Marla

On my way..
Çati fluturuese eshte dashuria…
…por kur jemi të pastrehë nuk e dimë...

ngrejmë muret mbrojtëse dhe dritaret
derën me çelës të lumtur,
bravën lozonjare,
e quajmë shtëpi
dhe fillojmë të banojmë në të
duke kujtuar se është përgjithnjë e jona
e fortë ndaj dimrit,
shiut,
tërmetit,
stuhisë
deri kur një ditë të bukur me diell
fëmija brenda nesh
e fshin shkujdesur nga vizatimi i tij...


©artangjyzelhasani
 

Ber

Antarë i Respektuar
"Kur çdokush vret te dashurin e vet"-nga Tuncel Kurtiz.


Çdokush e vret te dashurin e vet...
Dikush e ben kete me nje te shikuar, e dikush e ben me fjale te renda.
Frikacaket vrasin me puthje, te fortet me goditje shpate.
Dikush e vret te dashurin kur eshte i ri, e dikush kur eshte i vjeter.
Njeriu i ndershem e vret kur eshte i ri, i pandershmi te vjeter.
Njeriu i meshirshem perdor thiken, sepse kush vdes me thike, ftohet shpejt.
Dikush nuk e do fare, e dikush e do shume.
Dikush e shet , e dikush e blen.
Dikush qan derisa e mbyt, e dikush e mbyt pa iu dridhur qerpiku.
Sepse çdokush e vret te dashurin e vet...por jo çdokush qe vritet, vdes!
 

Legally_Sweet

Ain’t no sunshine when she’s gone
Staf në FV.AL
NATALIA GINZBURG - NJERIU I DUHUR


Një ditë takojmë personin e duhur. Qëndrojmë indiferentë, sepse nuk e kemi njohur. Shëtisim me personin e duhur nëpër rrugët e periferisë dhe na bëhet zakon, pak nga pak, të shëtisim së toku përditë. Hera-herës, pa e pasur mendjen, pyesim veten në mos vallë po shëtisim me personin e duhur, por na duket që jo, aspak. Jemi tepër të qetë; toka dhe qielli kanë ndryshuar; minutat dhe orët rrjedhin qetësisht pa na prekur kushedi se çfarë në zemër. Sa e sa herë jemi gabuar: kemi pandehur të kemi ndeshur personin e duhur, ndërsa nuk paskësh qenë i tilli. Dhe, në prani të atyre personave kinse të duhur, binim të rrëmbyer prej një trazire aq të vrullshme sa nuk na mbetej më fuqi për të menduar; na dukej vetja si të qenkëshim duke gjalluar mes një vendi ku ka rënë zjarr: pemë, shtëpi dhe objekte flakërinin rreth nesh. Mandej befas zjarri fikej, nuk mbetej veçse një grusht prush i vakët: mbas shpinës sonë viset e djegura janë aq të shumta sa as mund t’i numërojmë. Tani asgjë nuk digjet rreth nesh. Për javë dhe muaj kalojmë ditë me personin e duhur, pa e ditur që është i duhuri. Gjëja e çuditshme, me personin e duhur, është se ndjehemi gjithnjë aq mirë e aq në paqe, duke marrë frymë aq bollshëm, me ballin që për vite na ishte rrudhur e vruguar tanimë të shtendosur; dhe nuk lodhemi kurrë së foluri e së dëgjuari. E kuptojmë që nuk kemi pasur kurrë një raport si ky me asnjë qenie njerëzore; mbas pak të gjitha qeniet njerëzore na dukeshin aq të parrezikshme, aq të thjeshta e aq të vogla. Ndërsa ky person, teksa ecën përbri nesh me hapin e tij të ndryshëm prej tonit, me profilin e rreptë, ka një aftësi të pafund për të na bërë çdo të mirë dhe çdo të keqe. E megjithëkëtë ndjehemi pafundësisht të qetë”.
 
Madrigal-Federico Garcia Lorca

Puthja ime qe nje shege
E hapur, e thelle,
Nje trendafil prej letre
Goja jote qe.

Ne sfond nje fushe me bore.

Duart e mia qene te hekurta
Per kudhrat e renda
Dhe trupi yt i lehte
Qe perendimi i nje kenge.

Ne sfond nje fushe me bore.

Ne kafken e madhe te qiellit,
Te bere vrima-vrima,
Si stalaktite varen
Te gjitha “te dua-t” e mia.

Ne sfond nje fushe me bore.

Endrrat e mia femijerore
Shtresa ndryshku kane zene,
Dhimbja ime spirale
E ka zhbiruar henen.

Ne sfond nje fushe me bore.

Tani le te behemi serioze,
Le t’i veme te marrin mesime
Dashurite dhe endrrat e mia
(Meza te vegjel pa sy.)

Ne sfond shtrihet nje fushe me bore.
 
MALL
Ca pika shiu rane mbi qelq.
Per ty une befas ndjeva mall.
y ne nje qytet,
Dhe rralle shihemi sa rralle.

Edhe m'u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshte, ky mengjes.
Qiejt e ngrysur pa lejleke
Dhe shirat pa ylber ne mes.

Dhe thenia e vjeter e Heraklitit
Seç m'u kujtua sot per dreq:
"Te zgjuarit jane bashke ne bote,
Kurse te fjeturit jane veç".

Ne ç'enderr kemi rene kaq keq,
Qe dot s'po zgjohemi valle?...
Ca pika shiu rane mbi qelq
Dhe une per ty seç ndjeva mall
Poezi nga Ismail Kadare
 

Marla

On my way..
Poetit

Poet! Mos vlerëso, dashuritë e kota,
Lavdet e çmendura, zhurmën pa jetë.
Kur dëgjon zëra të marrë, të qeshura të ftohta,
I patundur qëndro, i heshtur, i qetë.

Mbret je! I vetëm jeto! Vlerëso lirinë!
Shko ku të çon mendimi i lirë.
Mbi çdo gjë kërko dashurinë,
Shpërblimin shpërfill, me zemër të dlirë.

Çdo gjë e ke vetë. Ti vetë je gjyqtar,
Asgjë s’mund të vlejë, sa fjalët – zjarr.
Nëse ato i do, i paepuri artist.

Turma e marrë, le të çirret pafund.
Le të pështyjë altarin që ty të përkund,
Ti ik në rrugën që vetë po e ndrit!

PUSHKINI
 

Ber

Antarë i Respektuar
Nga Mario Benedetti

Më pëlqejnë njerëzit e përhedhur, të cilët nuk ke pse t’i shtysh, të cilëve nuk ke pse t’u thuash të bëjnë gjëra, sepse dinë çfarë duhet bërë dhe e bëjnë. Më pëlqejnë njerëzit që i venë në jetë ëndrrat e tyre, derisa ato ëndrra bëhen realitet. Njerëzit që janë të aftë të marrin përsipër pasojat e veprimeve të tyre, njerëzit që rrezikojnë sigurinë për të pasigurtën, duke shkuar pas një ëndrre, të cilët i kapërcejnë këshillat e arsyeshme, se zgjidhjet duhet t’i lësh në duart e Zotit.
Më pëlqen njerëzit që janë të drejtë me të tjerët dhe me vetveten, njerëzit që e çmojnë ditën e re dhe gjërat e mira që ekzistojnë në jetë, njerëzit që çdo orë jetojnë me qëllime të mira duke bërë më të mirën e tyre, që lumturohen se janë gjallë, se mund të dhurojnë buzëqeshje, se mund të ndihmojnë dikë bujarisht, pa pritur asgjë si shpërblim.
Më pëlqejnë njerëzit që janë të zotë të më kritikojnë në mënyrë të dobishme, ballë për ballë, pa më fyer dhe lënduar.
Njerëzit e kujdesshëm dhe të matur.
Më pëlqejnë njerëzit që kanë ndjenjën e drejtësisë.
Këta unë i quaj miqtë e mi.
Më pëlqejnë njerëzit që e dinë rëndësinë e gëzimit, që e rrezatojnë dhe e përhapin atë. Njerëzit, të cilët, përmes humorit, na mësojnë ta konceptojmë jetën të hareshme.
Njerëz që nuk pushojnë kurrë së qeni fëmijë.
Më pëlqejnë njerëzit që ta ngjitin energjinë e tyre.
Më pëlqejnë njerëzit e sinqertë dhe të çiltër, të aftë të kundërshtojnë me argumente të arsyeshme gabimet e kujtdo.
Më pëlqejnë njerëzit besnikë dhe këmbëngulës, të cilët nuk prapsen, për të vënë në jetë qëllimet dhe idetë e tyre.
Më pëlqejnë njerëzit me kritere, që nuk u vjen turp të pranojnë se kanë gabuar ose që nuk dinë diçka. Njerëzit që pranojnë gabimet dhe përpiqen vërtet të mos i përsëritin ato.
Njerëzit të cilët luftojnë kundër të keqes.
Më pëlqejnë njerëzit që kërkojnë zgjidhjen e problemeve.
Më pëlqejnë njerëzit që mendojnë dhe meditojnë brenda tyre. Njerëzit që vlerësojnë të tjerët jo për shkak të një stereotipi shoqëror dhe as si duken ata. Njerëzit që nuk paragjykojnë dhe as i lënë të tjerët të paragjykojnë.
Më pëlqejnë njerëzit që kanë personalitet.
Më pëlqejnë njerëzit që janë të aftë të kuptojnë se gabimi më i madh i qenies njerëzore është të përpiqesh të heqësh nga mendja atë që nuk e nxjerr dot nga zemra.
Ndjeshmëria, guximi, solidariteti, mirësia, respekti, qetësia, vlerat, gëzimi, thjeshtësia, besimi, lumturia, takti, shpresa, mirënjohja, mençuria, ëndrrat, pendimi dhe dashuria për të tjerët dhe vetveten janë gjëra themelore për t’u quajtur NJERI.
Me njerëz të tillë, jam gati të rrezikoj gjithçka, për pjesën tjetër të jetës sime, sepse duke qenë me ta, unë e konsideroj veten të shpërblyer mirë.
 

Ledia

ShKoDrAnE.4.eVeR
Sa e drejte kjo
Ndjeshmëria, guximi, solidariteti, mirësia, respekti, qetësia, vlerat, gëzimi, thjeshtësia, besimi, lumturia, takti, shpresa, mirënjohja, mençuria, ëndrrat, pendimi dhe dashuria për të tjerët dhe vetveten janë gjëra themelore për t’u quajtur NJERI.
 
  • Përqafim
Reactions: Ber
Private conversations
Help Users
    Top