Historia e Hushpuppit: Blogeri që konsiderohet një nga mashtruesit më të mëdhenj në botë

hushpuppi-850x450-1.jpg

Ramon Abbas, i njohur për 2.5 milionë ndjekësit e tij në Instagram si Hushpuppi konsiderohet nga FBI si një nga mashtruesit më të mëdhenj në botë dhe përballet me një dënim me burg deri në 20 vjet në Amerikë pasi u deklarua fajtor për pastrim parash.

37-vjeçari filloi karrierën e tij në Oworonshoki, një zonë e varfër bregdetare në verilindje të Lagos, kryeqytetit tregtar të Nigerisë.

Shoferi lokal Seye i tha BBC-së se e mbante mend Abbasin si një djalë të ri që punonte së bashku me nënën e tij në tregun Olojojo. Babai i tij ishte shofer taksie.


Ndërsa u rrit, tha Seye, Abbasit i pëlqente të “tregonte” paratë e tij.

“Ai ishte zemërgjerë. Ai blinte birrë për të gjithë përreth”.

Por të gjithë e dinin burimin e pasurisë së tij misterioze, krimin kibernetik; ai ishte një “Yahoo”, thotë Seye.

“Yahoo Boys” janë ‘romance scammers’ (mashtrues romantikë që përdorin rrjete sociale dhe platforma për të mashtruar të tjerët. Quhen të tillë sepse krijojnë një lloj lidhje me viktimat), që morën emrin e tyre nga emaili i parë i disponueshëm në Nigeri.

“Ata dolën me idenë e vjedhjes së identiteteve. Dhe pastaj me atë vjedhje identiteti, ata fillonin mashtrimet”, shpjegon Adedeji Oyenuga, një ekspert i krimit kibernetik në Universitetin Shtetëror Lagos.

Sapo të krijohet një marrëdhënie nëpërmjet një identiteti të rremë, mashtruesit romantikë marrin para nga partnerët e tyre në internet.

Ashtu si shumë djem të Yahoo, Abbas zgjeroi horizontet e tij kriminale. Shumë shkuan në Malajzi dhe Abbas i ndoqi ata, duke përfunduar në Kuala Lumpur rreth vitit 2014, pastaj Dubai në 2017.

Hakerat e Koresë së Veriut

Në këtë moment postimet e tij në Instagram dhe krimet shkuan në një nivel tjetër.

Në Shkurt 2019, ai u përpoq të pastronte 13 milion euro të vjedhura nga një bandë hakerësh të Koresë së Veriut nga Banka Malteze e Valletta.

Abigail Mamo, shefi ekzekutiv i dhomës malteze të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, thotë se grabitja e zhyti ishullin e pushimeve në “kaos”.

Karrocat e blerjeve të mbushura me mallra u braktisën në arka pasi sistemet e pagesave u mbyllën.

“Ne morëm telefonata nga anëtarët tanë duke na thënë se ata po dërgonin para duke përdorur platformën e Bankës së Valletës tek furnizuesit e tyre të huaj,” thotë Mamo.

“Furnizuesit e tyre të huaj nuk i morën paratë … Po flasim për mijëra euro.”

Banka tha se arriti të rimarrë 10 milion euro.

“Dreqin” tha Abbas në një tekst për një shok mashtrues në atë kohë në mesazhet e marra nga FBI.

Përgjigja tregon se vjedhja tjetër ishte duke u planifikuar: “Tjetra është brenda pak javësh; do t’ju njoftoj kur të jetë gati. Shumë keq që e kapën sepse do të kishte qenë një pagesë e mirë”.

hushi1.jpg

Në maj 2019, Abbas krijoi një llogari bankare në Meksikë.

Ai duhej të merrte 100 milion paund nga një Klub Futbolli i Premier League, dhe 200 milion nga një firmë në Mbretërinë e Bashkuar. Asnjëra nuk përmendet në dokumentet e gjykatës.

Mashtrimet duhej të kryheshin përmes Email-it të Biznesit (BEC).

Shumë e thjeshtë, BEC punon duke përgjuar pagesat përmes emaileve të rremë që duket se vijnë nga një adresë që është pothuajse saktësisht e njëjtë me atë të furnizuesit. Vetëm një shkronjë ose numër i vetëm do të jetë i ndryshëm.

Në atë email mashtruesit, duke u paraqitur si një furnizues në pritje të pagesës, zakonisht thonë se kanë ndërruar bankat, kështu që pagesa do të duhet të lidhet me një llogari tjetër; detajet për të cilat ata do të japin.

Nëpunësi i llogarive mashtrohet duke menduar se është një kërkesë legjitime nga furnizuesi dhe, me një klik të vetëm të mausit, shuma të mëdha parash humbasin.

Por mashtrimi u shpërbë kur bankat britanike refuzuan të paguajnë në llogarinë meksikane.

“Vëlla, nuk mund ta dërgoj nga Britania e Madhe në Meksikë”, i dërgoi mesazh ndihmësi i Abbasit. “Ata vazhdojnë ta zbulojnë.”

Asnjë nga klubet e Premier League nuk e konfirmoi nëse ishin apo jo viktima e synuar.

Jon Shilland, ekspert në Agjencinë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se mund të jetë e vështirë të gjurmosh rrjetet kriminale të bazuara në juridiksione të shumta.

Një fakt i njohur shumë mirë nga avokati në Dubai Barney Almazar.

Ai përfaqëson rreth 25 persona, përfshirë tetë qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar, në Emiratet e Bashkuara Arabe, të gjithë ata besojnë se ata janë viktima të një prej mashtrimeve të Hushpuppi-t.

“Ne nuk mund të themi me 100% siguri se Hushpuppi qëndron prapa tyre”, thotë Almazar.

“Por nëse shikoni llogaritë bankare që policia ka gjurmuar, të gjitha ato i përkasin të dhënave të marra nga policia në bastisjet në shtëpinë e Hushpuppi në Dubai”.

Një viktimë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila donte të mbetej anonime, thotë se ka humbur 500,000 paund, është detyruar të largohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ajo vetë po përballet me procedime penale në Dubai për shkak të borxhit që ka marrë si rezultat i mashtrimit.

“Klientët e tij e kuptojnë se ai ishte viktimizuar,” shpjegon Almazar.

Almazar thotë se turpi pengon shumë më tepër viktima të Hushpuppi që të dalin me emër dhe fytyrë.

“Mashtrimi ishte shumë i sofistikuar. Profesionistët u viktimizuan. Disa janë në mëdyshje për të pranuar atë që ka ndodhur.”

Mashtrimi i fundit i madh i Abbasit para arrestimit të tij në Dubai në qershor 2020 ishte vjedhja e drejtpërdrejtë e identitetit, e huazuar nga mashtrimet romantike të Yahoo Boy të rinisë së tij.

Ai mori identitetin e një bankieri të Nju Jorkut për të kapur viktimën e tij, një biznesmen nga Katar që kërkonte një hua prej 15 milion dollarë për të ndërtuar një shkollë të re në Kenia.

Midis dhjetorit 2019 dhe shkurtit 2020, Abbas dhe një bandë e ndërmjetësve të supozuar në Kenia, Nigeri dhe SHBA vodhën më shumë se një milion dollarë.

Disa prej këtyre parave u pastruan përmes blerjes së një ore me vlerë marramendëse 230,000 dollarë.

Por shumë shpejt, filluan të shfaqeshin përçarjet midis bandës.

Një anëtar kërcënoi se do ta tregonte të gjithë mashtrimin pasi ishte i pakënaqur me paratë që po merrte.

Abbas ishte i vendosur t’ia mbyllte gojën.

Ai i dërgoi mesazh kontaktit të tij, oficerit të policisë nigeriane Abba Kyari, duke thënë: “Unë dua që ai të kalojë një goditje serioze të jetës së tij. Fute në burg për një kohë të gjatë”.

Pretendohet se Kyari më pas arrestoi në mënyrë të rreme dhe e mbajti ndërmjetësin për një muaj në një qeli të varfër nigeriane.

Dhe tani Kyari gjithashtu kërkohet në Amerikë me akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe vjedhjes së identitetit edhe pse ai më parë ka mohuar të ketë pasur ndonjë përfshirje kriminale me Abbasin.

Mashtrimi BEC është një çështje e madhe në të gjithë botën. Sipas FBI-së, në vitin 2020 mashtrimi i BEC rezultoi në humbje prej 1.8 miliardë dollarë.

Dokumentet e gjykatës pretendojnë se krimet e Abbasit u kushtuan viktimave pothuajse 24 milionë dollarë në total. Por disa besojnë se totali aktual mund të jetë shumë më i lartë.

Në Instagram, ai hoqi emrin e “Billionaire Gucci Master” për “Real Estate Developer” rreth tetë muaj para arrestimit të tij dhe transferimit të mëvonshëm në Amerikë për t’u gjykuar.

hushi2.jpg

Pavarësisht se ai u deklarua fajtor në prill për pastrimin e parave, mediat sociale të Hushpuppi janë ende aktive dhe kanë shumë ndjekës.

Një përfaqësues i tha BBC se kanë kryer një hetim në llogarinë e tij dhe kanë vendosur ta lënë hapur.

Oyenuga thotë se ndikimi i Hushpuppit qëndron pasi ai ende konsiderohet si një model për t’u ndjekur.

“Ne jemi në një vend ku shumë të rinj po vuajnë. Ata shohin një tjetër të ri që dikur ishte si ata të bëhej kaq i madh. Unë kam parë prindër që kanë tentuar të bindin fëmijët e tyre të mësojnë se si të bëhen Yahoo Boys”.

Seye thotë se të gjithë e dinë që Hushpuppi ka kryer një krim, por është e kuptueshme: “Askush nuk lutet të jetë i varfër dhe të gjithë duan pasuri”.(BBC, gazeta “Si”)
 
Top