• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Kontesti serbo-shqiptar

Iron_Leon

شيطان בעל זבוב
KONTESTI SERBO-SHQIPTAR


Arbën XHAFERI | 18/04/2009


Të gjithë jemi në pritje ankthi: a thua çfarë qëndrimi do të marrë Gjykata e Hagës lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës, ose thënë më saktë, "shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës", siç thuhet në aktpadinë e qeverisë serbe.
Udhëheqësit serbë, ashtu si pjesa dërmuese e serbëve, mendojnë se ata kanë të drejtë dhe janë thellë të bindur se kjo çështje do të zgjidhet në favor të tyre. Këto bindje të tyre shkaktojnë inkoherenca flagrante logjike, siç ishte, bie fjala, fjalimi i fundit i presidentit serb, Boris Tadiq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai i luti shtetet e botës që të mos nxitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, deri sa nuk merr qëndrim Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Pas kësaj kërkese, kreu i shtetit serb menjëherë e kumtoi qëndrimin e paluhatshëm të shtetit të tij përmes një fjalie, në fakt vardisëse ndaj elektoratit të tij, se " Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës". Mirëpo, ky apel është në kundërthënie të plotë me padinë. Pra, nëse paditësi nuk do ta pranojë vendimin e Gjykatës, atëherë kujt i duhet padia? Kjo kontradiktë elementare fsheh një qëllim tjetër, që buron nga subkoshienca e tij, nga një mendim heretik, një dëshirë sekrete, ashtu si e Millosheviqit paraprakisht, që një faktor mbinatyror, vice-mayor, të pranojë këtë realitet, të cilin ata vetë nuk janë në gjendje ta gëlltisin.
Përfaqësuesit serbë ende nuk arrijnë të kuptojnë se kontestet ndëretnike, pra edhe ai serbo-shqiptar, nuk mund të zgjidhen me kategori formale juridike, ngaqë liria është kategori morale që nuk mund të kufizohet me asgjë. Kjo paaftësi e tyre, detyrimisht është e ndërlidhur me mendësinë, identitetin, me botëkuptimet e tyre kolektive, që shpeshherë e shtrembërojnë perceptimin normal jo vetëm të ngjarjeve aktuale, por edhe ato të së kaluarës. Këto shtrembërime lindin si pasojë e kontaminimit ideologjik të historisë, të projektimit të koncepteve të sotme në të kaluarën. Shumë popuj vuajnë nga iluzionet e kësaj natyre, por shumë pak prej tyre përpiqen në vazhdimësi ta ndryshojnë të kaluarën përmes elaborateve gjenocidale, ashtu si përpiqej dhe përpiqet elita nacionaliste klerikale serbe në dy shekujt e fundit. Si duket, kjo elitë nuk paska kuptuar se të kaluarën mund ta ndryshojnë vetëm zotat, ndërkaq njeriu ka dhunti ta ndryshojë të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Ideologjia nacionaliste klerikale, projektuese serbe, ka një veçori sui generis: si çdo ideologji që prodhon dogma, ajo i ngurtëson, i ontologjizon armiqësitë shqiptaro-serbe, kufijtë e shtetit serb, heronjtë dhe tradhtarët, me një fjalë "të vërtetat" e përjetësuara që, në kohën e shekullarizimit obligues, do të shërbenin si bazë për një teodice origjinale serbe.
Dallimet mes kërkesave shqiptare dhe serbe ekzistojnë në planin projektues: serbët projektojnë aspiratat e tyre maksimaliste, të shndërruara në dogma nacionaliste religjioze dhe përpiqen me dhunë t'i realizojnë ato, ndërkaq shqiptarët aktivizohen vetëm kur në horizont shfaqet rreziku shfarosës kundër tyre.
Gjatë procesit historik, vazhdimisht shfaqet dukuria e popujve të suksesshëm dhe të atyre që, ose dështojnë në tërësi, ose vegjetojnë në margjina të shoqërive të ndryshme. Popujt zhduken ose tkurren, ndërkaq të tjerët zgjerohen territorialisht dhe rriten numerikisht, duke okupuar territoret e të tjerëve dhe duke i asimiluar popujt e okupuar. Ky proces, deri më tani, nuk ka mundur të kontrollohet me norma juridike, ndonëse ato deri diku e kanë zbutur nivelin e përdorimit sistematik të dhunës.
Pos dallimit në segmentin e hartimit të projektit për hegjemoni, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ekziston një dallim tjetër i rëndësishëm. Nacionalizmi projektues serb, krahas hartimit të elaborateve, ka krijuar edhe shtresën që do ta bartë realizimin e këtij projekti. Kjo barrë gjithmonë i bie në shpinën e shtresës së mesme. Pra, dallimi mes këtyre dy popujve qëndron te fakti se serbët kanë ndërtuar një sistem nacionalist që, përmes elaborateve dhe mekanizmave konkrete, janë përpjekur që të imponojnë hegjemoninë e tyre, ndërkaq shqiptarët janë kundërvënë në mënyrë të turbullt, të paorganizuar në krahasim me rrezikun, në mënyrë heroike, ose siç thotë rapsodi popullor "shqiptari e djeg veten dhe të përvëlon ty". Deshëm s'deshëm, mënyra e reagimit të shqiptarëve kundër rreziqeve të tilla është vetëflijimi, në dallim nga ajo serbe që i flijon të tjerët. Nga aspekti i qëllimit përfundimtar nuk është me rëndësi kush çfarë metode përdor, kush prodhon heronj (shqiptarët) dhe kush kriminelë lufte (serbët). Me rëndësi është realizimi i elaboratit, prandaj serbët nuk mërziten që sot në Hagë, e gjithë paria e tyre jep llogari për krimet e bëra. Serbët do të reagojnë ashpër vetëm nëse do të anulohen rezultatet e arritura përmes krimit, por siç shihet një rrezik i tillë nuk ekziston. Hëpërhë, ekziston një tendencë e fuqishme serbo-ruse për relativizim të fajit.
Raportet serbo-shqiptare kurrë s'kanë qenë më të këqija se sot. Ata që historinë nuk e kundrojnë si proces, por si një sistem të përjetshëm, relacionesh të ngurtësuara janë të prirur, pikërisht për shkak të dogmatizimit të sistemit ideologjik, ta pastrojnë historinë nga të gjitha të dhënat që nuk përputhen me botëkuptimet e sotme. Duke i përjetësuar antagonizmat, elita serbe mëton të ikë nga përgjegjësia individuale dhe kolektive për një politikë anakronike dhe kriminale në kohë të gabuar. A thua ky antagonizëm i sotshëm ka qenë gjithmonë i tillë ashtu si flitet sot në mediumet serbe?
Sipas të dhënave historike, këto kundërthënie etnike janë të reja dhe zënë fill në kohën kur serbët filluan t'i hartojnë elaboratet e tyre nacionaliste klerikale. Së pari, të gjithë personalitet historike, duke filluar prej Sveti (Shën) Savës, Rastkos, të birit të Nemanjes, Car (Perandorit) Dushanit, Gjurgje Brankoviqit (të birit të "tradhtarit" mitik serb, Vuk Brankoviqit) e deri te Arseni اarnoeviqit, Abrahamit serb, prijësit të eksodit përrallor serb, kanë pasur raporte korrekte ndaj shqiptarëve. Në librin "Hilandarska Povelja" i vitit 1198, Sveti Sava shkruan: "Nemanja jo vetëm që e ktheu trashëgiminë e gjyshërve që me dhunë e mbante populli grek, por arriti t'i përvetësojë edhe disa territore të tjera bregdetare", prej Rabnos (Shqipërisë, Rabno është vendkëmbim, metatezë e fjalës arbno, që do të thotë Arbërisë) e deri te tokat greke" (me këtë nocion është quajtur Kosova dhe Metohia. Fjala Metohi, greqisht do të thotë tokë e manastireve). Pra, në këtë kohë, Kosova ka qenë nën sundimin grek. Prej kësaj kohe, gjuha shqipe ka trashëguar disa fjalë greke që përdoren vetëm në Kosovë, si bie fjala "lefter" (njeri i shlirë i papërgjegjshëm). Car (perandori?!) Dushani, mbretërinë e vet e ka cilësuar si shtet i serbëve, shqiptarëve, ndërkaq, Gjurgje Brankoviqi e identifikonte veten si sundues i Zetës, Shqipërisë (Arbanisë), Rashkës, Serbisë, Sllavonisë, etj. Pra, sipas këtyre të dhënave të pakontestueshme historike, del se Serbia barazohet me entitetet e tjera administrative të asaj kohe.
Arsenije اernoeviq, patriarku i njohur serb i shekullit të 17-18-të, i cili pra, në ideologjinë e sotme nacionaliste, mitizuese serbe, figuron si prijës i eksodit masiv (?!) të serbëve nga Kosova, kërkon nga perandori gjerman, Leopoldi i I, që t'ia ndajë titullin "Knjazi i Shqipërisë" (Gnesij de Albanie). ثshtë interesant fakti se perandori gjerman, Leopoldi i I, në letrën që ia dërgon patriarkut اernoeviç, me datën 6 prill 1696, thekson se, "duke marrë parasysh autoritetin që e gëzoni te popujt e atyre vendeve, para se gjithash te shqiptarët dhe rasianët..." (këto fakte për raportet serbo-shqiptare, citohen nga libri i Petrit Imamit "Serbët dhe Shqiptarët gjatë shekujve"). Pra, duke i dhënë përparësi faktorit shqiptar, pastaj atij rasian (serbëve, banorëve të Rashkës, selisë së shtetit të parë serb), mund të konkludohet se, pjesa dërmuese e popullatës që e braktisi Kosovën pas vdekjes së gjeneralit Pikolomini, do të kenë qenë në fakt shqiptarët katolikë, të cilët, të udhëhequr nga Pjetër Bogdani, morën pjesë në luftën kundër osmanëve. Këtë e pohojnë faktet historike, ndërkaq pretendimet e sotme ideologjike thonë të kundërtën: nga Kosova qenkan larguar vetëm serbët, ashtu si në Betejën e Kosovës (1389) paskan luftuar vetëm serbët!?
Përkeqësimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare fillon në kohën e ringjalljes së nacionalizmit hegjemonist serb dhe është plotësisht e pavërtetë teza se ato relacione gjithmonë kanë qenë të tilla. Madje, vlerësuar sipas të dhënave historike, këto raporte kanë qenë shumë të mira në një periudhë të gjatë historike. Etnologu i njohur serb, Vuk Karaxhiqi, bie fjala, u sugjeron serbëve që ta kopjojnë modelin shqiptar të tolerancës ndërfetare, për ta krijuar identitetin e ri serb, pa marrë parasysh cilit "ligj" (besim fetar) i takojnë ata. Ndërkaq, historiani serb, Rajko Veselinoviq, në librin e tij "Letopis Matice Srpske" ("Vjetari i Amzës Serbe", të vitit 1960) pohon se, deri në shekullin e XVIII, në Evropë nuk bëhej dallimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Duke i marrë parasysh të gjitha të dhënat, del qartë se këto marrëdhënie u përkeqësuan për shkak të elaborateve serbe për hegjemoni, sipas të cilave, territoret e banuara me shqiptarë, do të duhej të pastroheshin nga elementi jo luajal, shqiptarët. Urrejtjen ndaj serbëve e sollën në Kosovë, në atë kohë të sunduar nga osmanët, në fakt muhaxhirët shqiptarë, që me dhunë të llahtarshme u detyruan të largohen nga tokat e tyre shekullore rreth Nishit, Leskocit, Prokupës, etj. Për t'i fshehur këto të vërteta, ideologët e ekspansionizmit serb prodhojnë argumente që nuk kanë verifikim shkencor - historik. Cilat janë ato argumente:
Argumenti historik: ky argument, në fakt, mbështetet mbi metodën e projektimit të koncepteve, interesave, ambicieve të sotme në të kaluarën. Serbët kanë qenë njëri nga sunduesit e ngjashëm të Kosovës, siç janë grekët, bullgarët dhe turqit. Shteti i parë serb është formuar në Rashkë dhe jo në Kosovë. Nëse do t'i marrim parasysh të dhënat historike, atëherë do të shihet një e vërtetë paradoksale. Shumica e përpjekjeve të shqiptarëve për mëvetësi kanë nisur në Kosovë (Lidhja e Prizrenit, etj.), ndërkaq, asnjë zhvillim politik serb për pavarësi nuk është zhvilluar në Kosovë, por në rajone të tjera serbe. Sipas hulumtimeve të historianit kroat, Milan Shufllaj, gjurmët e prezencës shqiptare në Kosovë vërtetojnë vazhdimësinë e prezencës së tyre në këto anë. Formacionet ilegale terroriste serbe e likuiduan atë në mënyrë mizore në Zagreb, në vitin 1931, për shkak se mori guximin t'i kontestojë të vërtetat ideologjike serbe;
Argumenti legalist: ky argument përdoret për të dëshmuar se Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, që nuk përputhet me realitetin. Ekzistimi i kufijve të Kosovës, të cilat i respekton edhe vetë Serbia, dëshmon të kundërtën, se Kosova gjithmonë ka qenë entitet i veçantë, element konstituiv i Federatës Jugosllave, me të drejtë të vetos. Rezoluta 1244 flet për ruajtjen e integritetit të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe jo të Serbisë. Serbët në Parlamentin e tyre, në seancën e datës 05.06.2006, pikërisht në mënyrë të njëanshme e shpallën pretendimin se ajo e trashëguaka Jugosllavinë. Por, ky vendim nuk e obligon komunitetin ndërkombëtar ta njohë këtë shpallje të njëanshme të kontinuitetit, veçmas shqiptarët;
Argumenti i së drejtës për ruajtje të integritetit të shtetit: Në të drejtën ndërkombëtare ekziston një kundërthënie ndërmjet dy parimeve:
respektimi i integritetit të shteteve (Parimi i Helsinkit) dhe
respektimi i të drejtës së popujve për vetëvendosje.
Shikuar më hollësisht, kundërthënia, në fakt nuk ekziston, ngaqë parimi i parë është teknik, ndalon ndërrimin me dhunë të kufijve, ndërkaq, parimi i dytë është imanent, afirmon të drejtën e patjetërsueshme të popujve për vetëvendosje dhe liri. Vetëm përmes këtij parimi të dytë mund të shpjegohet shtimi i vazhdueshëm i shteteve që bëhen anëtare të OKB-së. Së këndejmi, misionin e OKB-së duhet ta kundrojmë në rolin e kontrollit institucional dhe ndërkombëtar të procesit të dekonolizimit dhe të drejtës së popujve për liri dhe vetëvendosje. Vetëm me parimin e dytë mund të shpjegohet rritja e numrit të shteteve të pavarura në OKB. Po t'i referoheshim variantit të parë, atij të mos ndryshimit të kufijve, atëherë shtimi i shteteve nuk do të ekzistonte.
Argumenti i precedencës: këtë argument, serbët e përdorin vetëm kur dështojnë argumentet e tjera të tyre. Pra, ata paskan brengën nga efektet negative ndërkombëtare nëse pranohet pavarësia e Kosovës. Ky argument përdorej edhe paraprakisht, lidhur me shpërbërjen e Jugosllavisë. Por, siç dihet, kjo nuk ndodhi, kështu që Jugosllavia pësoi inplozion ashtu, si edhe Serbia vetë, etj.
Krahas këtyre pohimeve që u përmendën më sipër, duhet theksuar, po ashtu, se çështja e Kosovës nuk është problem aktual, por ka një histori të gjatë. Serbët, thuajse 200 vjet bëjnë përpjekje të kota për ta përvetësuar Kosovën. Interesi i tyre parësor nuk ka qenë Kosova, por dalja në detin shqiptar përmes saj. Kur dështoi ky plan ambicioz dhe joreal i serbëve, vetvetiu u dobësua edhe pesha gjeostrategjike e Kosovës: ajo më nuk pengonte ndërlidhjen gjeostrategjike të Serbisë me Greqinë dhe Malin e Zi. Këtë ndryshim, çuditërisht nuk e vërejnë ideologët e sotëm serbë, ata reagojnë me frustracione, si minjtë eksperimentalë të Pavllovit.
Insistimi këmbëngulës serb për arbitrazh ndërkombëtar lidhur me këtë kontest, bie ndesh me qëndrimet e tyre të deritashme, me bojkotimin e të gjitha iniciativave të deritashme ndërkombëtare, përfundimisht edhe të asaj që quhet pako e Ahtaisarit.









Gazeta shekulli
 
Top