• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Mendje Drejtvizore

Nga Ardian Vehbiu
1601978642080.png


Të kesh opinione për gjuhën tënde, se si duhet folur, nëse një shprehje është apo jo gramatikisht e saktë dhe nëse një fjalë është përdorur apo jo mirë, kjo nuk është “e natyrshme” – por varet nga rrethana dytësore, si mësimi i gjuhës në shkollë, norma gjuhësore (standardi), përzierja e gjuhëve, e kështu me radhë.

Ai që ngrihet dhe i thotë dikujt se ke përdorur një fjalë “të huaj” të papërshtatshme, duhet – para së gjithash – ta kujtojë veten në gjendje për të dalluar (1) se çfarë është e përshtatshme në leksik dhe (2) se cila fjalë mund të etiketohet si “e huaj”; të dyja këto lloje njohurish ia ka dhënë shkolla dhe ia ka përforcuar kultura pas-shkollore. Një folës i shqipes që dallon se tjetri ka përdorur një fjalë italishte (p.sh. edicola) zakonisht di aq italisht sa ta njohë fjalën si të asaj gjuhe; edhe pse për një kategori fjalësh shqipe, si orientalizmat, detektimi ndodh edhe pa ditur ndërhyrësi turqisht.

Shpesh gjuhëtarët i quajnë epilinguistike të gjitha ato opinione ose dyshime që, gjithë pa qenë të formuluara mirë, marrin pjesë në prodhimin e ligjërimit (p.sh. “a është fjalë e ndyrë të pëgëra”); dhe metalinguistike ato opinione, gjykime dhe arsyetime që folësit i përdorin për të përshkruar gjuhën. Kur unë them që “dashboard anglisht është e njëjta gjë me cruscotto italisht” jam duke përdorur shqipen si metagjuhë, për të krahasuar anglishten dhe italishten.

Edhe kur flasim, edhe kur shkruajmë, ndalemi të mendojmë se cila formë do të ishte më e përshtatshmja për të shprehur atë që duam; veçanërisht në ato situata ku na lejohet të zgjedhim mes variantesh. Idealisht, ligjërimi duhej të rridhte vetvetiu, pa ndërhyrjen e “vetëdijes metalinguistike”, siç u ndodh shkrimtarëve në ekstazë (ose në frymëzim), por në realitet të gjithë që kemi qenë në shkollë i përjetojmë dilemat e normës (“çfarë është gramatikore dhe çfarë nuk është; cila nga këto dy fjalë duhet përdorur” etj.). Në fakt, një nga synimet e mësimit tradicional të gramatikës, në shkollë, është të na tregojë se po flasim dhe po shkruajmë “keq”; çfarë ka të bëjë me disiplinën dhe nënshtrimin po aq sa edhe me të mësuarit e gjuhës.

Mësimi i gramatikës në shkollë – në versionin tradicional – ka shërbyer dhe ende shërben edhe si një lloj stërvitjeje rreshtore për mendjen, duke ndërmjetësuar në kalimin prej fjalëve te rregullat (dhe përjashtimet). Asnjë folës i gjuhës amtare nuk ka nevojë t’i tregojnë si bën një fjalë në shumës – por kjo bëhet e nevojshme nëse duam t’i veshim fëmijët me uniformën e normës gjuhësore, ose t’u japim një instrument që u duhet për të folur të njëjtën gjuhë artificiale. Por, le të mbajmë parasysh, që gramatika fillon që herët t’i edukojë fëmijët me nocionet e çfarë është “drejt” dhe çfarë është “gabim” në të folur dhe në të shkruar, përfshi këtu edhe drejtshkrimin.

Si rezultat, të gjithë ne përjetojmë një lloj ankthi, sa herë që ulemi të komunikojmë në publik; sepse nuk jemi kurrë totalisht të sigurt se nuk po bëjmë “gabime” në të shprehur.

Në fonetikë, liria jonë për të zgjedhur mes varianteve të një foneme është minimale; edhe në morfologji, zakonisht, një emër e bën shumësin duke marrë një prapashtesë të caktuar, të cilën nuk mund ta zëvendësojmë sipas dëshirës; në sintaksë liria rritet disi, sepse mund të zgjedhim, bie fjala, midis një ndërtimi me veprore dhe një ndërtimi me pësore (“e shita shtëpinë”, “u shit shtëpia”); kur vjen puna te leksiku, megjithatë, kemi shumë më tepër liri për të zgjedhur mes fjalëve konkurruese. Në këtë kuptim, shumësi luftëra i emrit luftë na vjen shumë më i lehtë se përzgjedhja mes luftë, përleshje, konflikt, betejë etj.

Norma gjuhësore i prek të gjitha sistemet e gjuhës, por në leksik është gjithnjë më e dobët se në gramatikë. Prandaj edhe të gjitha ato ideologji, që duan ta mbrehin gjuhën në punë, e kanë më të volitshme që të manipulojnë leksikun, duke imponuar atje sisteme vlerash të jashtme.

Të marrim, për shembull, Rilindjen Kombëtare dhe pastrimin e leksikut të shqipes nga orientalizmat, për t’i dhënë kombit të rilindur shqiptar një shqipe të denjë. Ashtu siç u konceptua, ky program synonte (1) identifikimin e orientalizmave në shqipen sidomos të shkruar dhe (2) zëvendësimin e tyre me neologjizma ose me fjalë të tjera më të pranueshme. Shembull emblematik i zbatimit të këtij programi ishte botimi, nga Jani Vreto, i një versioni të ri të poemës Erveheja të M. Kyçyku-Çamit, me të gjitha orientalizmat të zëvendësuara.

Në rrjedhë të këtij operacioni gjithëpërfshirës, jo vetëm që fjalët shqipe jo-orientalizma filluan të shihen si të preferuara ndaj orientalizmave, por edhe vetë procesi i zëvendësimit të tyre mori atributet e një zotimi mirëfilli patriotik, ose shërbimi ndaj gjuhës shqipe. Ashtu filloi edhe botimi – që vazhdon edhe sot pas më se një shekulli – i listave me fjalë “të huaja” dhe i zëvendësimeve që rekomandohen; këto lista përmbajnë edhe orientalizma, edhe huazime të tjera, të reja, nga gjuhët neolatine.

Ashtu siç na e kanë mëkuar në shkollë, kujdesi për gjuhën shqipe që përdorim është pjesë integrale e qytetarisë – është qytetar i mirë ai që shkruan një shqipe “të mirë”, çfarë do të thotë, që ndjek rregullat e standardit dhe që përmban vetëm një minimum fjalësh “të huaja”. Për këtë arsye, ai personi që ndërhyn, në publik, për t’i thënë autorit se “po përdor shumë fjalë të huaja” është duke vepruar ngjashëm me atë të pensionistit, që u bërtet fëmijëve në park se janë duke shkelur barin. Në raste të tilla, shkelja e etiketës së mosndërhyrjes përligjet me nevojën për të ruajtur “the commons”.

Ka nga ata, prej nesh, që këtë rol mbrojtës ndaj gjuhës publike duan t’ia besojnë një autoriteti formal – p.sh. ligjit (të gjithë përmendin këtu një ligj francez, për mbrojtjen e frëngjishtes nga anglicizmat). Nuk kanë munguar përpjekjet, natyrisht të dështuara, për ta iniciuar një ligjshmëri të tillë edhe për shqipen – pa çka se shumë nga legjislatorët e tanishëm sa e duan gjuhën shqipe, aq edhe janë analfabetë funksionalë dhe nuk arrijnë dot të shkruajnë deri edhe një status në Facebook, pa u ngatërruar me këmbët e tyre.

Kjo gatishmëri, për të ndërhyrë në ligjërimin e tjetrit, lidhet edhe me krizën e autoritetit: shumë prej anonimëve ndihen të fuqizuar nga kaosi kulturor dhe nuk e përfillin më autoritetin e autorit: janë gjithnjë e më pak ata që thonë “autori e di më mirë se unë, se ç’fjalë të përdorë”. Nga periudha e Rilindjes kemi trashëguar patosin naiv për ta mbrojtur gjuhën prej së keqes; por kemi harruar që gjuhën e mbrojnë dhe e çojnë përpara ata që e përdorin; dhe se korrigjimet, nëse vërtet duhen bërë, duhen bërë në kod, jo në mesazh. Teksa vetëdija metalinguistike i ka kaluar, në thelb, turmës anonime, po na del nga vëmendja fakti që shumë nga problemet që i perceptojmë te shqipja publike i kanë rrënjët te dobësimi i normës leksikore.

Në anglishte dëgjon të thuhet: “this is not an English word.” Kush ka luajtur ndonjëherë Scrabble, do të bjerë dakord me mua që nocioni i “fjalës anglishte” është i përkufizuar deri në imtësi. Por le të provojmë të përfytyrojmë se çfarë do të ndodhte me diskutimet gjatë një Scrabble-i shqip: kufijtë mes fjalës shqipe dhe fjalës joshqipe nuk ka burrë nëne që t’i përcaktojë. Kush nuk më beson, le të kalojë ca orë me Fjalorin e Mehmet Elezit.

Dhe kjo, pavarësisht nga autoriteti që ushtron, apo që të paktën kërkon të ushtrojë, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (ai bazë, i 1980-ës) dhe versionet e tij të mëpasme; aq më tepër që, për një numër jo të vogël kontestuesish të standardit leksikor, gjuha shqipe, ajo “e vërteta”, fillon atje ku mbaron Fjalori…

Po çfarë është norma leksikore? Është një rregull i interiorizuar, që përcakton nëse një fjalë është apo jo e shqipes standard, por jo vetëm: norma leksikore na jep informacion edhe për statusin e fjalës – a është librore apo e ligjërimit bisedor; a është e stilit të lartë, apo e terminologjisë teknike-shkencore; e rrallë apo e kufizuar; a është dialektore apo zhargon; a është e vjetruar apo neologjizëm, dhe kështu me radhë. Të gjitha këto karakteristika të fjalës, duhen kuptuar si udhëzime për përdorimin e saj: p.sh., mbiemri i bruztë me kuptimin “në ngjyrë qielli të mbyllur” është fjalë relativisht e rrallë, që kufizohet në tekstet e shkruara; meqë shumë folës të shqipes do të preferonin “blu”; ndërsa mbiemri i mermë, me kuptimin “që ka e lëshon erë të mirë”, i përket një leksiku më të zgjedhur se aromatik, erëmirë, erëkëndshëm, etj.

Filozofia dhe ideologjia e Rilindjes u munduan ta përfshijnë në normën leksikore edhe atë karakteristikë të fjalës që ka të bëjë me prejardhjen e saj – duke u kërkuar, në thelb, përdoruesve të shqipes, sidomos atyre të shqipes së shkruar, që të këqyrin biografinë e fjalës, ose prejardhjen e saj; meqë fjala e identifikuar si “e huaj”, vetvetiu do të binte në status, deri aty sa të rrezikonte zëvendësimin. Mirëpo fjala, në leksik, nuk e bart biografinë e vet me vete dhe as e ka të shkruar në ballë: asnjë përdorues nuk ka arsye të dijë që, bie fjala, kollaj, është turqisht dhe duhet zëvendësuar me lehtë; sikurse i kollajshëm me i lehtë, etj. Asgjë nuk ka, në strukturën dhe përdorimin e fjalës kollaj, që t’ia zhvlerësojë përdorimin: ajo është e integruar mirë në shqipe, ka krijuar familjen e vet (i kollajshëm, i kollajtë, etj.) dhe, ndryshe nga i lehtë, e shpreh më saktë kuptimin e të qenit “easy, not hard” (meqë i lehtë ka edhe kuptimin tjetër, që lidhet me peshën). Megjithatë, që nga momenti që përdoruesit bëhen të vetëdijshëm se kollaj është “turqizëm”, do të fillojnë ta shmangin në përdorim ose ta kufizojnë vetëm në shqipen bisedore; të bindur se kështu edhe po i shërbejnë shqipes, pa çka se, në realitet, janë duke e varfëruar.
 
Last edited by a moderator:
Private conversations
Help Users
    Top