Pabarazia po e rrit polarizimin politik në mbarë botën

Pabarazia po e rrit polarizimin politik në mbarë botën​

1640181183056.png

Nga Alexandru Micu

Sipas një studimi të ri, bota është më e ndarë politikisht sot se sa në çdo moment tjetër të 5 dekadave të fundit. Dhe kjo nuk ka të bëjë më vendin ku jetoni. Njerëzit në mbarë botën janë sot më fanatikë në pikëpamjet e tyre politike, më pak të hapur ndaj pikëpamjeve të ndryshme, dhe e identifikojnë veten më fort me lëvizjen politike me të cilën janë të lidhur.

Hulumtimi i ri i udhëhequr nga studiuesit në Universitetin e Shën Endrjus, shqyrtoi faktorët që fshihen pas kësaj rritje të polarizimit, dhe çfarë mund të bëjmë për t’i kapërcyer serish hendeqet.

“Ne e dimë se me kalimin e kohës, njerëzit janë bërë më të polarizuar politikisht, si për shembull në SHBA. Por nuk e dimë me saktësi se përse identiteti politik po bëhet kaq i rëndësishëm”- thotë dr.Aleksandër Stjuart i Shkollës së Matematikës dhe Statistikave në Universitetin Shën Endrjus, autori kryesor i studimit.

“Ne u përpoqëm ta kuptonim këtë duke zhvilluar një model teorik mbi evolucionin kulturor të identitetit partiak, duke e krahasuar atë me të dhënat. Dhe zbuluam se nëse ka një armiqësi apo konflikt midis llojeve të tjera të grupeve të identitetit, siç janë grupet e ndryshme racore, njerëzit do të priren të ndryshojnë identitetet e tyre politike me kalimin e kohës, për t’iu përshtatur me identitetin e tyre racor, gjë që çon në një polarizim të madh politik.

Kjo gjë ndodh sepse e redukton konfliktin brenda një partie. Këtë proces mund ta nxisin faktorë të tillë si pabarazia, të cilët çojnë në një armiqësi më të madhe midis grupeve të identitetit”- thekson Stjuart.

Autorët e studimit shpjegojnë se lëvizjet populiste – si Brexit në Britaninë e Madhe dhe fushata e Donald Trumpit në SHBA – pavarësisht se nisën me mbështetjen e qytetarëve të zakonshëm, zhvillojnë me kalimin e kohës lidhje të forta me identitetet politike, dhe nxisin një antagonizëm me lëvizjet politike kundërshtare.

Por pse ndodh ky proces dhe çfarë e nxit atë? Autorët e studimit, raportojnë se kjo ka të bëjë në radhë të parë me çështjet e ndryshme sociale që nxisin këto lëvizje. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, fushata e Trump u kujdes dhe kësisoj u ushqye pjesërisht nga ndjenjat raciste midis votuesve.

Trajtimi i valës në rritje të polarizimit politik, kërkon që ne të trajtojmë fillimisht këto çështje themelore, dhe çështjen më të madhe të pabarazisë sociale. Por vetëm kjo nuk do të mjaftojë. Hapi tjetër është që të gjithë aktorët politikë, të marrin një qëndrim aktiv kundër këtyre ndarjeve në rritje.

Ata që udhëheqin, duhet t’u kërkojnë atyre që i ndjekin të bashkëpunojnë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe me ata që kanë ndjenja politike të kundërta me të tyret. Gjetjet bazohen në një seri modelesh matematikore dhe llogaritëse që përdori ekipi i ekspertëve.

Këto simulime shqyrtuan, se si ndryshuan qëndrimet dhe identitetet politike me kalimin e kohës në raport me pabarazinë në rritje në shoqëritë tona. Rezultatet mund të ekstrapolohen për të na dhënë një pasqyrë të rritjes së partive apo lëvizjeve populiste që e përshkruajnë veten si “kundër elitave”, përfshirë mbështetësit e Trump në SHBA, Modit në Indi, Lë Pen në Francë, Bolsonaro në Brazil, dhe lëvizja Brexit në Britani.

“Për shembull, ne kemi zbuluar se në SHBA polarizimi racor i shprehur nga votuesit ka rënë, ndërsa polarizimi politik midis republikanëve dhe demokratëve është rritur. Ndërkohë partitë politike, janë bërë gjithnjë e më shumë të renditura sipas linjave racore. Kjo gjë sugjeron se antagonizmi midis grupeve racore, është zhvendosur për t’u lidhur me identitetet politike me kalimin e kohës”- shprehet Stjuart.

Ekipi u përpoq gjithashtu që të fuste kushte të ndryshme në simulimet e tyre, për të testuar mënyrat e mundshme për të reduktuar polarizimin politik. Një nga metodat që testuan ata ishte shpërndarja e pasurisë.

Studiuesit arritën në përfundimin se ndërsa masa të tilla (përpjekjet për të reduktuar pabarazinë sociale në të gjitha format e saj) mund të hedhin bazat, ato nuk mund të na çojnë në një zgjidhje përfundimtare. Në vetvete, ato nuk mjaftojnë për të sprapsur polarizimin. Që të arrihet realisht kjo, duhet t’u bëhet thirrje të veprojnë kundër tij.

“Që të zvogëloni polarizimin, duhet të eleminoni më së pari kushtet që ndihmuan në krijimin e tij (pra të zvogëloni pabarazinë), dhe më pas të angazhoheni në ”përpjekje të koordinuara” për të ndryshuar qëndrimet, si për shembull duke sinjalizuar nga elitat politike në formën e bashkëpunimit dypartiak apo retorikën e përmirësimit të situatës në‘anën tjetër”-përfundon dr.Stjuart. / “Zme Science” – Bota.al
 
Top