Para ardhjes në Shqipëri, afganët strehohen përkohësisht në bazën amerikane në Gjermani.

afganet-1-1024x576.jpg

Afganët e parë që janë larguar nga Kabuli të premten pasdite, në bordin e një Globemaster C17, kanë mbërritur në Gjermani, në bazën ushtarake amerikane të Ramstein.
Ramstein është një nga bazat më të mëdha të ushtrisë amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara, e cila tashmë është transformuar në një qendër të përkohshme tranziti, deri në zhvendosjen e të gjithë afganëve drejt Shteteve të Bashkuara.
“Ky është operacioni ajror më i madh dhe më i rrezikshëm i evakuimit në histori”, deklaroi Presidenti amerikan Joe Biden të premten. Trupat amerikane shpresojnë që të evakuojnë nga 5 mijë deri në 9 mijë njerëz në ditë, por që duket pothuaj në kufinjtë e së pamundurës, ndërsa afati i zhvendosjes së të gjithë afganëve është 31 gushti.

Sipas CNN, që i referohet Gjeneral Brigade Josh Olson, në marrëveshjen mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, të evakuuarit do të qëndrojnë nga 48-72 orë në bazën ajrore të Ramstein dhe jo më shumë. Më pas, një pjesë e tyre do të zhvendosen në shtete të ndryshme të botës, siç është ofruar edhe Shqipëria, për mbajtjen e përkohshme të tyre, ndërkohë që destinacioni final do të jenë Shtetet e Bashkuara.
Mbetet ende i paqartë numri i afganëve që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri, kur fillimisht u raportua për rreth 300 persona, ndërsa më pas kryeministri Edi Rama, në disa deklarata për mediat ndërkombëtare, e rriti këtë numër në 3000.
Enigma mbetet edhe për faktin se marrëveshjet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me shtete të ndryshme për strehimin e afganëve janë mbajtur sekret.

Baza ushtarake e Ramstein ka një kapacitet prej 5 000 njerëzish, por me një intensitet fluturimesh çdo 90 minuta, ky kapacitet do të tejkalohet, ndaj është menduar që kampi të zgjerohet edhe me disa çadra të tjera që mund të mbajnë edhe 2500 persona të tjerë.

Sipas autoriteteve të bazës, njerëzit do të qëndrojnë të ndarë sipas gjinisë. Nënat dhe fëmijët janë vendosur në brendësi të hangarëve të avionëve, ndërsa burrat dhe djemtë në çadrat jashtë. Është krijuar një corridor i ndërmjetëm ku mund të takohen familjarët.
Të gjithë i nënshtrohen kontrolleve të shpejta të bagazheve që kanë me vete, marrin ujë dhe ushqime, ndërsa bëhet edhe matja e temperaturës për Covid-19.

A2news.com
 
Top