• Mirësevini tek Forumi Virtual

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diksutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti.

    Regjistrimi është plotësisht falas në komunitetin tonë, pasi të regjistrohesh do të gëzosh shumë të drejta si të japesh mendimin tënd në një diskutim, të hapësh një diksutim tëndin, të komunikosh me anëtarët e tjerë të komunitetit në mënyrë private, të marësh pjesë dhe të votosh në konkursin e poezisë dhe të fotografisë dhe shumë opsione të tjera... duke përdorur mënyrën më të thjeshtë dhe të sigurtë për tu rregjistruar
    GOOGLE Microsoft Yahoo

    Për cdo problem mos hezitoni të na " KONTAKTONI ".

Si nje Projektligj behet Ligj

Iniciativa legjislative
Programi dhe kalendari i punimeve të Kuvendit
Shqyrtimi në komisione
Këshilli për Legjislacionin
Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve
Shqyrtimi në seancë plenare
Dekretimi nga Presidenti i Republikës
Hyrja në fuqi
Shqyrtimi i projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe i projektligjeve financiare



Iniciativa Legjislative

E drejta për të propozuar ligje i takon Këshillit të Ministrave, çdo deputeti, si dhe 20 mijë zgjedhësve, sipas nenit 81/1 të Kushtetutës). Nga praktika del se shumica e ligjeve propozohen nga Këshilli i Ministrave. Projektligjet, të shoqëruara me relacionin përkatës, i dërgohen Kuvendit dhe Kryetari i Kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e kopjeve të tyre deputetëve. Kopje të projektligjeve u vihen në dispozicion përfaqësuesve të medias dhe personave të tjerë të interesuar me kërkesën e tyre. Një projektligj nuk mund të futet në rendin e ditës pa kaluar të paktën një afat 2 javor nga dita e paraqitjes së tij, me përjashtim të rasteve kur në Rregulloren e Kuvendit parashikohet ndryshe.


Programi dhe kalendari i punimeve të Kuvendit

Për organizimin e punës dhe shqyrtimin e projektligjeve, miratohet programi dhe kalendari i punimeve të Kuvendit. Programi i punës së Kuvendit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve për një periudhë nga 4 deri në 12 javë, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, pasi ka marrë më parë mendimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhje me Kuvendin, të kryetarëve të komisioneve të përhershme dhe të shërbimit juridik në Kuvend. Për zbatimin e programit të punës së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit i propozon Konferencës së Kryetarëve kalendarin e punimeve të Kuvendit për një periudhë 3 javore. Në mbledhje merr pjesë edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhje me Kuvendin. Në kalendarin e punimeve për çdo çështje shënohet edhe komisioni përgjegjës që do të shqyrtojë çështjen.


Shqyrtimi në komisione

Komisionet i shqyrtojnë projektligjet sipas një radhe të përgatitur nga kryesia e komisionit, por që duhet të përkojë me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit. Komisioni përgjegjës për shqyrtimin e çështjes cakton relatorin ose relatorët e çështjes. Relatorët caktohen në mbledhjen ku miratohet programi i punës së komisionit dhe për çdo çështje, që është në program. Mendimi i relatorit ose relatorëve për çështjen duhet të jepet me shkrim dhe të paktën 3 ditë përpara datës së caktuar për të shqyrtuar çështjen në komision. Për hartimin e raportit relatori ose relatorët mund të kërkojnë të ndihmohen nga specialistë të Këshillit të Ministrave të lidhur me çështjen, nga shërbimi juridik në Kuvend, si dhe nga ekspertë të tjerë.
Komisioni përgjegjës fillimisht kryen diskutimin në parim të projektligjit ose të çështjes. Relatori paraqet vlerësimin e përgjithshëm për projektligjin ose çështjen që diskutohet dhe, nëse e sheh të arsyeshme, i propozon komisionit të kërkojë mendimin e Këshillit për Legjislacionin. Kryetari i komisionit, pas dëgjimit të relatorit, fton anëtarët e komisionit për pyetje drejtuar nismëtarëve të projektligjit dhe relatorit dhe, pas kësaj, deklaron të hapur diskutimin në parim për projektligjin. Diskutimi në parim bëhet gjithmonë në prani të përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të diskutimit në parim, komisioni vendos për miratimin në parim ose mosmiratimin e projektligjit.
اdo deputet ka të drejtë të dëgjohet në mbledhjen e komisionit përgjegjës për mendimin e tij në lidhje me projektligjin që shqyrton komisioni.
Në rast se komisioni përgjegjës miraton në parim projektligjin, ai fillon shqyrtimin dhe votimin nen për nen të tij dhe për çështjet që propozohen për t’i kërkuar mendim Këshillit për Legjislacionin ose komisioneve të tjera, vendos me votim nëse duhet t’u dërgohen ose të mos u dërgohen. Shqyrtimi i këtyre pikave kryhet pasi është marrë mendimi i Këshillit për Legjislacionin ose i komisionit të përhershëm.
Kur komisioni përgjegjës vendos mosmiratimin në parim të projektligjit, ose kur mendimi i Këshillit për Legjislacionin është për mosmiratimin në parim të tij, çështja vendoset për diskutim në seancë plenare. Kur Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin në parim të projektligjit, komisioni përgjegjës fillon shqyrtimin nen për nen të tij në mbledhjen më të parë.
Vendimet në komision merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit. Gjatë mbledhjeve të komisioneve mbahet një procesverbal i përmbledhur. Në përfundim të diskutimit komisioni harton një raport, i cili votohet nga anëtarët e komisionit.

Këshilli për Legjislacionin


Këshilli për Legjislacionin përbëhet nga 10 deputetë që janë me profesion jurist ose kanë një përvojë të spikatur legjislative.
Këshilli shpreh mendimin e tij për projektligjet me kërkesën e komisionit përgjegjës, që ka në shqyrtim projektligjin, ose të Kryetarit të Kuvendit. Komisioni përgjegjës, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij, ose Kryetari i Kuvendit mund të kërkojnë mendimin e Këshillit për Legjislacionin në lidhje me cilësinë e hartimit të një projektligji, për qartësinë dhe thjeshtësinë e tij, për çështjet kushtetuese ose ligjore që ngrihen në tekstin e tij, si dhe për çështje të tjera, të cilat komisioni ose Kryetari i Kuvendit i konsiderojnë të nevojshme. Kërkesa duhet të paraqitet duke i lejuar Këshillit një kohë të arsyeshme shqyrtimi, si dhe duhet të jetë në përputhje me kalendarin e punimeve të komisionit përgjegjës dhe të harmonizohet me kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në mbledhjen e Këshillit merr pjesë relatori në komisionin përgjegjës dhe përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave. Raporti i Këshillit për Legjislacionin i përcillet komisionit përgjegjës për shqyrtimin e projektligjit. Nëse komisioni përgjegjës nuk merr parasysh mendimin e Këshillit, ai paraqet edhe arsyetimin përkatës në raportin për seancën plenare.

Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve.


Me kërkesën e Këshillit të Ministrave ose të një të pestës së të gjithë numrit të deputetëve, Kuvendi mund të shqyrtojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar. Kjo procedurë nuk lejohet të përdoret në rastet e ligjeve të cilat miratohen me një shumicë prej tre të pestash, me përjashtim të ligjit për gjendjen e jashtëzakonshme. Kërkesa për procedurë të përshpejtuar të shqyrtimit të projektligjit paraqitet me shkrim nga Kryetari i Kuvendit në seancën plenare më të parë. Kryetari i Kuvendit i paraqet Kuvendit për votim projektvendimin përkatës, në të cilin përcaktohet data e shqyrtimit të projektligjit në komisionin përgjegjës, afati brenda të cilit mund të propozohen amendamente dhe data e shqyrtimit në seancë plenare. Afati, brenda të cilit duhet të shqyrtohet çështja në komision dhe në seancën plenare, nuk mund të jetë më pak se një javë nga data e paraqitjes së kërkesës nga Kryetari i Kuvendit në seancë plenare.

Shqyrtimi në seancë plenare


Shqyrtimi i projektligjit në seancë plenare përfshin diskutimin në parim të projektligjit dhe shqyrtimin e tij nen për nen. Para fillimit të diskutimit në parim deputetët ftohen nga drejtuesi i seancës t’u drejtojnë pyetje nismëtarëve ose anëtarëve të Këshillit të Ministrave që kanë lidhje me projektligjin. Në seancë plenare projektligji shqyrtohet në prani të ministrit kundërfirmues dhe të nëpunësve të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Diskutimi në parim për projektligjin zhvillohet si në rastin kur komisioni përgjegjës ose Këshilli për Legjislacionin janë shprehur për miratimin e tij në parim, ashtu edhe në rastin kur janë shprehur për mosmiratimin e tij. Në rastin kur komisioni përgjegjës ose Këshilli për Legjislacionin janë shprehur për mosmiratimin në parim dhe Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin e tij, projektligji kthehet në komisionin përgjegjës për vazhdimin e shqyrtimit të tij nen për nen. Diskutimi në parim për projektligjin fillon me paraqitjen nga nismëtari të arsyeve që kanë çuar në propozimin e projektligjit, si dhe me paraqitjen e raportit të komisionit përgjegjës dhe, sipas rastit, të Këshillit për Legjislacionin. Leximi i raportit bëhet nga kryetari i komisionit. اdo deputet ka të drejtë të marrë pjesë në diskutimin në parim të projektligjit. Drejtuesi i seancës, pas përfundimit të diskutimit në parim, deklaron kohën kur Kuvendi do të vendosë nëpërmjet votimit Pas miratimit në parim kalohet në shqyrtimin nen për nen, ku mund të diskutojë çdo deputet dhe mund të paraqiten edhe amendamente të bëra me shkrim. Në përfundim të shqyrtimit dhe votimit nen për nen, kalohet në votimin në tërësi të projektligjit. Projektligji miratohet me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve, por ka edhe projektligje sipas nenit 81 të Kushtetutës, që kërkojnë një shumicë prej tre të pestave për miratimin e tyre ose në rastet të veçanta të parashikuara në Kushtetutë shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Asnjë projektligj joqeveritar, që bën të mundur rritjen e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit ose pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë më parë mendimin e Këshillit të Ministrave, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së projektligjit. Në rast se Këshilli i Ministrave nuk shprehet brenda afatit të sipërpërmendur, projektligji kalon në shqyrtim, sipas procedurës së zakonshme.

Dekretimi nga Presidenti i Republikës

Mbas miratimit të projektligjit, ai i dërgohet Presidentit të Republikës, i cili duhet ta shpallë atë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Presidenti ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin vetëm një herë. Dekreti për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se Presidenti nuk e shpall ose nuk e kthen ligjin për rishqyrtim brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij, atëherë ligji quhet i shpallur. Kur ligji kthehet për rishqyrtim, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës, që e ka shqyrtuar fillimisht. Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për cështjet e paraqitura nga Presidenti.


Hyrja në fuqi

Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo me pak se 15 ditëve nga botimit i tij në Fletoren Zyrtare, por në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast emergjence dhe nevoje, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikes jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet që të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.


Shqyrtimi i projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe i projektligjeve financiare


Kryetari i Kuvendit njofton menjëherë Kuvendin për paraqitjen e projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe të projektligjeve financiare që kanë lidhje drejtpërdrejt me të. Ato futen menjëherë në programin e punës së Kuvendit, i cili në këtë rast miraton një kalendar shqyrtimi të tyre të veçantë. Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, komision ky përgjegjës për shqyrtimin e projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe i projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me të, në bashkëpunim me relatorin kryesor, zëvendëskryetarin dhe sekretarin e komisionit, i paraqesin Kryetarit të Kuvendit projektkalendarin e shqyrtimit të projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe të projekligjeve financiare që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me të, në komisionet e përhershme dhe në seancë plenare. Në përputhje me kalendarin e punimeve, komisionet e përhershme, sipas fushave që mbulojnë, nisin shqyrtimin e projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe të projekligjeve financiare që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me të. Në përfundim të shqyrtimit komisionet hartojnë një raport vlerësimi dhe ia dërgojnë menjëherë Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Debati në parim në Komisionin për Ekonominë dhe Financat fillon me paraqitjen e projektligjit nga Ministri i Financave. Komisioni merr në shqyrtim edhe raportet e paraqitura nga komisionet e tjera të përhershme të Kuvendit. Kuvendi, në seancë plenare, diskuton dhe vendos për miratimin në parim të projektligjeve financiare që kanë lidhje me buxhetin dhe më vonë të projektligjit të Buxhetit të Shtetit. Pas miratimit në parim të projektligjit të Buxhetit të Shtetit dhe projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me të, Komisioni për Ekonominë e Financat fillon diskutimin e tyre nen për nen. Gjatë kësaj faze u jepet fjala edhe përfaqësuesve të komisioneve të përhershme ose deputetëve që kanë paraqitur amendamente. Komisioni fillimisht voton projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me Buxhetin e Shtetit dhe vijon me amendamentet për të ardhurat, amendamentet për shpenzimet dhe projektligjin nen për nen. Pas paraqitjes së raportit për shqyrtimin nen për nen të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi në seancë plenare fillon shqyrtimin nen për nen të projektligjeve financiare që kanë lidhje drejtpërdrejt me buxhetin dhe të projektligjit të Buxhetit të Shtetit. Pas diskutimeve nen për nen kalohet në votimin nen për nen dhe në tërësi.

Parlament.al
 
Top