Të lumtur dhe të mjerë: Si e përballuan njerëzit pandeminë

Të lumtur dhe të mjerë: Si e përballuan njerëzit pandeminë​

Screenshot-2021-11-10-at-7.05.36-PM.jpg


Nga Helen Russell

Mund të mos na pëlqejë, por shumica prej nesh e kanë përballuar çuditërisht mirë pandeminë tonë të parë globale. Sipas Raportit më të fundit të Lumturisë Botërore, nuk ka pasur asnjë ndryshim të përgjithshëm në aftësinë tonë për të përjetuar emocione pozitive.

Por nga ana tjetër ka pasur një rritje prej 10 për qind të numrit të njerëzve që thanë se ishin të shqetësuar ose të trishtuar një ditë më parë. Dhe 22 për qind prej nesh raportojnë se shëndeti ynë mendor është më i keq se përpara shfaqjes së Covid-19, me një rritje të ndjeshme të depresionit dhe ankthit.

Por ndërsa mund të jemi ende në gjendje të përjetojmë “gjërat e mira”, po bëhemi njëherazi edhe më “të trishtuar Një arsye është distancimi fizik dhe izolimi i nevojshëm gjatë pandemisë, të cilat i kanë komprometuar lidhjet tona sociale, që janë jetike për lumturinë e njeriut.

Shumë nga ne janë ndjerë më të vetmuar, më pak të lidhur, dhe më pak të mbështetur tek të tjerët se më parë, dhe të gjitha këto na bëjnë më pak të lumtur. Shumë njerëz e humbën punën e tyre. Dhe sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare në Britani (ONS), të rinjtë përbëjnë gati 2/3 e humbjeve të vendeve të punës që nga fillimi i pandemisë.

Ndërprerja e aktivitetit në shkolla dhe universitete, ka qenë dëshpëruese edhe për shumë njerëz. Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zbuloi se të rinjtë në Angli ishin ndër më pak të lumturit në Evropë përpara pandemisë.

Por “Raporti i Fëmijërisë së Mirë 2020”, vuri në dukje se nivelet e lumturisë midis 10-15 vjeçarëve në Mbretërinë e Bashkuar kanë rënë akoma më tej. Shqetësimet kryesorë të tyre ishin provimet dhe miqësitë. Koha e kaluar para ekraneve nuk po ndihmon aspak, pavarësisht se sasia e kohës që kalojnë adoleshentët në mediat sociale, është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dekadës së fundit.

Koha e shpenzuar në media dixhitale, do të thotë më pak kohë për të bashkëvepruar në nivel personal. Studiuesit në SHBA kanë zbuluar se adoleshentët që kalojnë më shumë kohë me pajisjet elektronike janë më pak të lumtur, ndërsa ata që kalojnë më shumë kohë në aktivitete sociale më të lumtur.

As gratë nuk janë më të lumtura. Ato kanë më shumë gjasa ta kenë humbur punën në këtë periudhë. Të dhënat nga ONS,tregojnë gjatë mbylljes së shkollave, nënat ishin ato që u morën më shumë me shkollimin e fëmijëve në shtëpi, shpeshherë në dëm të karrierës së tyre.

Gratë priren të kenë më shumë miq, dhe të shoqërohen më shumë sesa burrat. Një tregues i mirëqenies në kohëra normale, por që i ka bërë shumë gra të ndihen më keq gjatë bllokimit, pasi sipas një studimi nga Universiteti Essex,humbja e lidhjeve sociale është ndjerë më fort prej tyre.

Sipas Qendrës për Kërkimin e Politikave Ekonomike, pandemia ka sjellë gjithashtu më shumë humbje të vendeve të punës tek gratë. Ndërkohë Raporti i Lumturisë Botërore e lidh të qenit të papunë gjatë pandemisë, me një rënie prej 12 për qind të kënaqësisë nga jeta.

Ne mund të jemi për momentin jashtë bllokimit, por pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë do të ndihen edhe në vitet në vazhdim, sidomos nga gratë. A do të bëhet dikush më i lumtur?Sipas Raportit të fundit të Lumturisë Botërore, kjo do të ndodhë me ata që janë mbi 60 vjeç.

Kjo kategori kishte shumë më pak gjasa të raportonte probleme shëndetësore sesa në vitet e mëparshme, pavarësisht se ishin grupmosha më e rrezikuar nga Covid-19. Gjithashtu ata treguan një rritje të ndjeshme në perceptimin e të pasurit dikë për t’u mbështetur. Ndërkaq njerëzit mbi të 60-at, ishin gjithashtu grupi i parë i vaksinuar, kështu që mund të dilnin më herët nga bllokimi sesa shumica.

Pra mirëqenia e të atyre mbi të 60-at është rritur ndjeshëm, veçanërisht në krahasim me ata në moshën e mesme. Por kjo nuk duhet të jetë një surprizë, pasi jeta jonë ndjek zakonisht një kurbë në formë e një U-je, ku lumturia arrin kulmin në të dy skajet, por prek nivelin më të ulët në fund të të 40-ave dhe më pas rritet.

Ekonomistët Dejvid Blançflauer dhe Endrju Osvald, filluan që të vërenin modele në studimet e kënaqësisë nga jeta në vitet 1990. Tani ata vërtetuar se kënaqësia ne jetë bie gjatë moshës madhore, dhe arrin pikë me të ulët në të40-at, përpara se të nisë të rritet sërish.

Shpesh supozohet se kjo rënie ndodh për shkak të ngarkesave të moshës së mesme:stresi nga puna, shqetësimet për të ardhurat, dhe përgjegjësitë si familjarë. Por studiuesit kanë parë të njëjtën prirje edhe tek shimpanzetë, gjë që sugjeron se ky modeli është i rrënjosur në faktorë biologjikë apo evolucionarë.

Një teori është se ne dhe kushërinjtë tanë, shimpanzetë, kemi nevojë për nivele më të larta të mirëqenies gjatë fazave të jetës kur kemi më pak burime, si rinia apo mosha e thyer. Një ide tjetër është që ndërsa plakemi dhe reduktohen horizontet kohore, ne investojmë tek gjërat që janë më të rëndësishme për ne – siç janë marrëdhëniet e ngushta njerëzore – dhe kështu përfitojmë kënaqësi më të madhe prej tyre. / “Science Focus” – Bota.al
 
Top