Kanceri ne qafen e mitres!!!

Monique

Shine like a Moon!
Staff member
kanceri i qafes se mitres dhe shkaktaret

Kanceri i qafës së mitrës është një ndër tumoret e shpeshta që po rrezikon shëndetin e gruas edhe në vendin tonë. Bluzat e bardha vënë në dukje faktin se shpesh herë neglizhenca në kryerjen e diagnostikimeve të hershme e rëndon edhe më shumë bilancin e përhapjes së kësaj sëmundje. Në një intervistë për gazetën “Dita”, onkologu Shahin Kadare tregon faktorët që nxisin përhapjen e kësaj sëmundje, kategoritë më të rriskuara, si dhe kujdesin që duhet të kemi për parandalimin e kësaj sëmundje.



ا’është kanceri i qafës së mitrës dhe ku zhvillohet?

Kanceri i qafës së mitrës është një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë dhe quhet kështu sepse zhvillohet në atë pjesë të organeve gjenitale femërore që njihet në mjekësi si ”qafa e mitrës ”. Qafa e Mitrës është një strukturë anatomike në formën e një kanali me mure të trashë dhe të fortë që lidh pjesën fundore të vaginës me hapësirën e mitrës, apo vendin ku zhvillohet fëmija. Nëpërmjet këtij kanali realizohet dalja periodike e menstruacioneve, si dhe kalimi i fëmijës gjatë procesit të lindjes.



Sa i shpeshtë është dhe në cilat mosha takohet më tepër ?

Në shumicën e vendeve të botës, kjo sëmundje zë vendin e dytë tek gratë për nga shpeshtësia, pas kancerit të gjirit. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Studimeve për Kancerin (IARC), rreth 500,000 gra sëmuren dhe rreth 280,000 të tjera vdesin çdo vit në botë nga ky lloj kanceri. Shumica dërrmuese, apo më shumë se 80-85 % e rasteve, takohen në vendet e varfra, me nivel socio-ekonomik të ulët, ku kujdesi dhe kultura shëndetësore lënë mjaft për të dëshiruar. Në vendet e përparuara, ku gratë kryejnë rregullisht kontrollin e organeve të tyre gjenitale me anë të Pap-testeve të përsëritura ose ekzaminimeve të tjera, numri i vdekjeve nga ky lloj kanceri në 20-30 vjetët e fundit, është ulur më shumë se 70-75 %. Edhe në vendin tonë, ky lloj kanceri është relativisht i shpeshtë dhe përbën më shumë se 6 % të gjitha rasteve të kancerit tek gratë, duke u renditur në vendin e dytë, pas kancerit të gjirit. Si rregull, takohet duke filluar nga mosha 20 vjeç dhe mund të prekë çdo moshë deri në pleqërinë e thellë, por është më i shpeshtë në gratë e moshës 35-55 vjeçare. Përpara moshës 20 vjeç takohet vetëm në raste tepër të rralla.



Cilat janë shenjat e para me të cilat shfaqet kanceri i qafës së mitrës?

Si rregull, në shumicën dërrmuese të rasteve, (në stadet e hershme të zhvillimit), nuk shoqërohet me shenja apo shqetësime serioze për gruan. Kjo është dhe arsyeja se përse shumica e grave që nuk tregojnë kujdesin e duhur për shëndetin e tyre dhe nuk kryejnë rregullisht Pap-teste periodike, zakonisht diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes, kur mjekimi është më i vështirë, më agresiv, dhe rezultatet e tij më pak të kënaqshme. Shenja kryesore me të cilat shfaqet, zakonisht janë rrjedhjet hemorragjike nga vagina që mund të ndodhin: ”pas raporteve seksuale, në periudhën ndërmjet rrjedhjeve të zakonshme menstruale, pas menopauzës (ndërprerjes fiziologjike të menstruacioneve)”. Shenja të tjera, mund të jenë dhimbja dhe një ndjenjë parehatie, veçanërisht gjatë aktit seksual të cilat shfaqen zakonisht në faza më të avancuara të sëmundjes.



A dihet se cili është shkaktari i kancerit të qafës së mitrës ?

Po. Zbulimi i shkaktarit të kancerit të qafës së mitrës është një nga sukseset më të rëndësishme të arritura deri më sot në fushën e studimeve mbi kancerin. Studimet e viteve të fundit kanë provuar, se pothuaj të gjitha rastet shkaktohen nga një virus i veçantë, që njihet me emrin “Virusi i Papillomës Humane” ose shkurt “HPV”. Në të vërtetë, HPV nuk është një virus i vetëm, por një grup apo familje e gjerë, përbërë nga një numër i madh virusesh të tipave të ndryshme që, edhe pse janë të ngjashëm midis tyre, ndryshojnë përsa i përket agresivitetit të tyre biologjik, si dhe llojit të dëmtimeve që shkaktojnë në organizëm. Deri tani janë zbuluar më shumë se 100 lloje HPV, dhe secili prej tyre njihet me një numër të veçantë, sipas radhës së zbulimit të tyre (HPV1, HPV2, HPV3 etj.).



A janë të gjithë tipat e HPV njëlloj të rrezikshëm për zhvillimin e Kancerit të Qafës së Mitrës ?

Tipat e ndryshëm të HPV nuk janë njëlloj të rrezikshëm lidhur me rolin që ata luajnë në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës. Disa prej tyre janë shumë më të rrezikshëm, ndërsa të tjerë kanë një rrezikshmëri më të ulët ose nuk përbëjnë asnjë rrezik real si shkaktarë të kancerit. Në varësi të shkallës së rrezikshmërisë që tipat e ndryshëm të HPV paraqesin si shkaktarë të mundshëm. Tek njeriu ata ndahen në dy nëngrupe të veçanta. Në nëngrupin e parë futen “viruset HPV me rrezik të lartë”, nga të cilët më të rrezikshmit janë HPV16 dhe HPV18, që shkaktojnë më shumë se 70% të gjitha rasteve të kancerit të qafës së mitrës, si dhe disa tipa të tjerë (HPV 31, 33, 35, 39, 45 dhe 51) me rrezikshmëri të një shkallë më të ulët se tipat 16 dhe 18. Në nëngrupin e dytë bëjnë pjesë “viruset HPV me rrezik të ulët”, ku futen një numër tipash të tjerë të HPV, roli i të cilëve në zhvillimin e kancerit është shumë më i vogël.



Sa të shpeshta janë infeksionet me tipat e ndryshëm të HPV dhe a janë njëlloj të rrezikuar nga ky lloj infeksioni si burrat ashtu dhe gratë.

Infeksionet me virusin HPV janë jashtëzakonisht të shpeshta si në gratë ashtu dhe në burrat që kanë filluar jetën aktive seksuale. Rreth 70-75 % të femrave, pas fillimit të aktivitetit seksual, infektohen nga një apo më shumë tipa të HPV dhe normalisht prania e virusit në organet gjenitale tek femrat e moshës së re, është shumë e shpeshtë. Por, në kushte normale, HPV luftohet nga sistemi imunitar i organizmit dhe brenda 1-2 vitesh, në më shumë se në 90 % të rasteve, HPV zhduket vetiu, pa asnjë lloj mjekimi dhe pa asnjë pasojë serioze për shëndetin e gruas. Në raste më të rralla, për arsye që ende nuk janë plotësisht të qarta, virusi nuk zhduket, por vazhdon të mbetet në organizëm duke shkaktuar dëmtime qelizore të shkallëve të ndryshme që me kohë mund të çojë në zhvillimin e kancerit.



Në ç’mënyrë ndodh infektimi i grave me viruset HPV ?

“Virusi i Papillomës Humane” kalon nga një person tek tjetri me anë të kontaktit të drejtpërdrejtë. Në shumicën dërrmuese të rasteve infeksioni transmetohet gjatë raporteve seksuale, por mund të ndodhi gjatë çdo lloj kontakti tjetër me zonat e infektuara të lëkurës ose mukozave të ndryshme. Tipat e ndryshëm të HPV vendosen dhe janë të aftë të mbijetojnë vetëm në qelizat sipërfaqësore të lëkurës dhe të mukozave të qafës së mitrës, të vaginës, të anusit, të vulvës, të penisit, të gojës dhe të grykës. Ata nuk rriten në pjesët e tjera të trupit dhe nuk mund të infektojnë apo të përhapen me anë të gjakut ose lëngjeve të tjera të organizmit. Kjo është arsyeja se përse organet e tjera të brendshme të njeriut, si p.sh zemra ose mushkëritë, nuk infektohen nga viruset e papillomës humane.



Cilat gra janë më të rrezikuara nga ky lloj infeksioni ?

Infeksionet me viruset HPV mund të prekin çdo grua, por një pjesë e tyre janë më të rrezikuara se të tjerat dhe kjo gjë lidhet në radhë të parë me praktikat e jetës së tyre seksuale. Ndër faktorët më të rëndësishëm, të cilët favorizojnë mundësinë e përhapjes së HPV mund të përmendim: “seksi i pambrojtur veçanërisht me persona të rastit ose të panjohur, fillimi i raporteve seksuale përpara moshës 18 vjeç, raporte seksuale më shumë partnerë, raporte me partnerë të cilët nga ana e tyre kanë pasur më parë ose vazhdojnë të kenë marrëdhënie me partnere seksuale të shumta. Transmetimi infeksionit nga nëna e infektuar tek fëmija i porsalindur ndodh vetëm në raste të rralla.



Me çfarë shenja shoqërohet infeksioni me HPV dhe si mund ta kuptojë gruaja që është e infektuar ?

Si rregull, infeksioni me HPV nuk shoqërohet me shenja të veçanta dhe mund të jetë i pranishëm me vite pa dhënë asnjë lloj shqetësimi për gruan, me përjashtim të rritjeve vegjetative (papillomave) në zonat anogjenitale apo në pjesë të tjera të lëkurës ose mukozave, që siç thamë, shkaktohen nga tipat e viruseve me rrezik të ulët (kryesisht tipat 6 dhe 11). Shumica e grave të infektuara nuk e dinë, madje as nuk e dyshojnë, se janë të infektuara me këtë lloj virusi, dhe në këtë mënyrë, pa e ditur as vetë, mund të bëhen burim infeksioni për personat e tjerë.



A ka një test apo ekzaminim për të provuar nëse një grua është e infektuar me HPV ? Nëse po, kur dhe si bëhet ky lloj ekzaminimi?

Për të provuar praninë e HPV në qafën e mitrës ose në lokalizimet e tjera shërben një ekzaminim i veçantë, që quhet testi i HPV. Në ndryshim nga Pap-testi, që zbulon vetëm ndryshimet qelizore të shkaktuara nga HPV, pra zbulon vetëm pasojat e infeksionit, testi i HPV ka për qëllim të zbulojë nëse gruaja është apo jo e infektuar nga HPV. Si rregull, testi i HPV bëhet pas moshës 30 vjeçare sepse në moshat më të reja prania e HPV është mjaft e shpeshtë. Ky test ndihmon mjekun për të vendosur se në ç’mënyrë duhet ndjekur një grua që paraqet ndryshime të lehta ose fillestare në qafën e mitrës. Në qoftë se testi i HPV vë në dukje praninë e një HPV me rrezik të lartë, si tipi 16 ose 18, gruaja duhet të vazhdojë me disa ekzaminime më të thelluara për të vlerësuar nëse prania e viruseve të tillë kanë dhënë apo jo dëmtime patologjike në qafën e mitrës. Të tilla ekzaminime janë kolposkopia që do të thotë kqyrja e qafës së mitrës me një aparat të posaçëm ose biopsia që do të thotë marrja dhe ekzaminimi mikroskopik i një fragmenti të vogël indor nga qafa e mitrës. Sot, në disa vende, përdorimi i testit të HPV, rekomandohet edhe si një metode e mundshme e depistimit masiv të grave, por kjo mundësi vazhdon të mbetet e diskutueshme.



A është i mjaftueshëm vetëm infeksioni me HPV për të shkaktuar kancer të qafës së mitrës apo në zhvillimin e tij ndikojnë dhe faktorë të tjerë?

Nuk ka asnjë dyshim se HPV është shkaktari kryesor, përgjegjës për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës. Por, vetëm prania apo infeksioni me HPV, në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e kancerit. Kjo provohet nga fakti i thjeshtë që ka një numër shumë të madh grash të infektuara me HPV, por vetëm një pjesë e vogël e tyre sëmuren nga kanceri, çka tregon se, krahas HPV, ekzistojnë dhe faktorë të tjerë që fuqizojnë ose dobësojnë aftësinë e virusit për të shkaktuar kancer dhe në këtë mënyrë nxitin ose frenojnë zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.



Cilët janë faktorët e tjerë më të rëndësishëm që mund të favorizojnë zhvillimin e Kancerit të Qafës së Mitrës krahas infeksionit me HPV ?

Faktorët e ndryshëm, që në një mënyrë ose një tjetër favorizojnë zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, duke ndihmuar apo fuqizuar veprimin e HPV, quhen ndryshe dhe “faktorë rreziku”. Duhet kuptuar se gratë tek të cilat këta faktorë janë të pranishëm nuk do të thotë aspak se do të sëmurën pa tjetër nga kanceri. Prania e “faktorëve të rrezikut” do të thotë vetëm se këto gra kanë një predispozicion disi më të lartë se të tjerat dhe duhet të tregojnë kujdes më të madh për t’u mbrojtur nga ky lloj kanceri. Së pari, duke u përpjekur të mënjanojnë dhe të mbrohen nga ato faktorë që janë të mënjanueshëm. Së dyti, duke kryer Pap-teste të përsëritura në periudha kohe më të shpeshta, se gratë e tjera.



Ndër faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e Kancerit të Qafës së Mitrës

►Gjendjet patologjike që dëmtojnë sistemin e mbrojtjes imunitare të organizmit, veçanërisht të sëmurët me AIDS ose personat e infektuar nga virusi që shkakton këtë sëmundje (HIV). Kur sistemi imunitar i organizmit vuan, ai nuk arrin dot as të luftojë me sukses praninë e HPV në organizmin e gruas dhe as të shkatërrojë qelizat e dëmtuara nën veprimin kancerogjen të virusit.

►Pirja e duhanit

Gratë që pinë duhan janë dy herë më të rrezikuara për të zhvilluar kancer të qafës së mitrës, krahasuar me gratë e tjera.

►Përdorimi për një kohë të gjatë i kontraceptivëve (tabletat që merren për mënjanimin e barrës së padëshirueshme) nga goja. Përdorimi për një kohë të gjatë i kontraceptivëve që merren nga goja për mënjanimin e barrës së padëshirueshme e ekspozon gruan ndaj një rreziku më të madh të zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës. Rreziku nga përdorimi i kontraceptivëve bëhet më i madh sa më e gjatë të jetë koha e përdorimit të tyre, por me ndërprerjen e përdorimit, rreziku fillon të ulet gradualisht deri sa zhduket plotësisht.

►Lindjet e shumta

Gratë që kanë kryer 3 ose më shumë lindje janë më të rrezikuara për zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.

►Fillimi i raporteve seksuale përpara moshës 18 vjeç

Qelizat që veshin mukozën e qafës së mitrës në moshën e adoleshencës, janë akoma të papjekura plotësisht dhe për rrjedhojë, janë më delikate dhe më të ndjeshme ndaj veprimit dëmtues të agjentëve të ndryshëm duke përfshirë dhe HPV.

► Prania e sëmundjeve apo infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST);

Infeksionet e ndryshme që transmetohen me rrugë seksuale, veçanërisht kur kombinohen dhe me faktorë të tjerë, mund të veprojnë si një faktor favorizues në zhvillimin e Kancerit të qafës së mitrës.

►Dieta dhe mënyra e ushqyerjes

Ashtu si për një shumicë formash të kancerit, dieta hiperkalorike dhe mbipesha, si dhe dieta e varfër në fruta dhe perime rrit mundësinë e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës.

►Trashëgimia

Në përgjithësi, trashëgimia, nuk mendohet se luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Kancerit të qafës së mitrës. Megjithatë, tek gratë të cilat kanë pasur të afërm (nënë, motra ose gjyshe) që kanë vuajtur nga kanceri i qafës së mitrës është vënë re një rrezik relativ më i lartë krahasuar me gratë e tjera.



ا’është Pap-testi dhe përse është kaq i rëndësishëm për tu mbrojtur nga zhvillimi i kancerit të qafës së mitrës ?

Pap-testi është një ekzaminimi i thjeshtë, i padhembshëm dhe krejtësisht i parrezikshëm për gruan, me anë të cilit mund të zbulohet çdo lloj ndryshimi patologjik prekanceroz në qafën e mitrës, përpara se të bëhet i rrezikshëm për gruan. Ndryshimet e para qelizore që i paraprinë kësaj sëmundje dhe që me kohë mund të përparojnë në kancer, në një shumicë rastesh, fillojnë shumë kohë përpara se të fillojë kanceri i qafës së mitrës. Në fillim, këto ndryshime janë pak të shprehura dhe quhen dëmtime ”prekanceroze” (që i paraprinë kancerit). Shumica e dëmtimeve prekanceroze zhduken vetiu, pa pasur nevojë për mjekime të posaçme. Në raste të rralla, në qoftë se nuk diagnostikohen dhe nuk mjekohen siç duhet, këto dëmtime bëhen gjithnjë e më të thella dhe mund të çojnë gradualisht në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës. Për fat të mirë, duhet një kohë shumë e gjatë, rreth 10-20 vjet e më tepër, përpara se dëmtimet qelizore prekanceroze të arrijnë të transformohen në kancer. Gjatë gjithë kësaj kohe këto ndryshime fillestare mund të zbulohen me anë të një ekzaminimi apo testi të thjeshtë mjekësor që quhet testi i “Papanikolaut” ose thjesht ”Pap testi”. Pap-testi bën të mundur që të zbulohen edhe ndryshimet më fillestare me të cilat qeliza normale nis rrugën e gjatë shumëvjeçare të transformimit kanceroz në një fazë kur këto ndryshime nuk paraqesin asnjë rrezik për jetën e gruas dhe mund të mjekohen me sukses të plotë.
 
Top