?????? ????????? / ??????????? ??? ???????

Marla

Quo Vadis!
_____
Asokohe nuk kisha aq të holla sa për t’i shpenzuar në libra. Zgjidhjen e kisha gjetur tek një bibliotekë që t’i huazonte, e cila punonte njëkohësisht si librari dhe quhej “Shakespeare and Company”. Ishte në pronësi të Silvia Beiç dhe ndodhej në adresën nr. 12 të rue de l’Odeon. Në atë rrugë të rrahur prej erës dhe acarit, ky ish një vend i ngrohtë dhe i këndshëm, me një sobë të madhe që ndizej në dimër, me tryeza leximi dhe rafte librash. Vëllimet e sapo botuar shfaqeshin në dritare, ndërsa mureve qenë varur plot foto shkrimtarësh të gjallë e të vdekur. Të gjitha fotot dukeshin si të çastit, e madje shkrimtarët e vdekur në to ngjanin tamam si të kishin qenë gjallë. Fytyra e skalitur e Silvës ish plot jetë, me sy ngjyrë gështenjë, të gjallë si të një kafshëze dhe tërë hare si të një çupëze. Kishte flokë të kaftë me valë dhe të shtrirë përsipër ballit të saj plot nur, të prerë gjerazi nën veshë por pa cekur jakën e xhaketës kadife që ajo mbante. Me një palë këmbë fort të bukura, Silvia tregohej e sjellshme, gazmore dhe e gatshme për të të ndihmuar. Pëlqente shakatë, siç dhe thashethemin. Nuk di të kem njohur njeri më të përzemërt ndaj meje.

Pata hyrë tërë ndrojtje në librari, pasi nuk ma mbante xhepi për t’u bërë anëtar i bibliotekës. Megjithatë, ajo më tha ta bëja pagesën kur të mundesha dhe si më përgatiti kartën më ftoi të merrja gjithë librat që dëshiroja.
S’kishte pse të më besonte fundja. Mua nuk më njihte dhe adresa e banesës time, në numrin 74 të rue Cardinal Lamoine, nuk i përkiste një lagjeje të varfër. E gjithsesi, ajo u tregua mikpritëse, pos të qenit aq e qeshur dhe plot hijeshi, kurse pas krahëve të saj, që nga rrëza e tavanit e së thelli në sallën mu në qendër të godinës, m’u shpalos raft pas rafti gjithë begatia e bibliotekës.

E nisa më Turgenievin dhe dy vëllimet e tij të “Shënimeve të një gjahtari” si dhe me një prej librave të parë të D. H. Lorensit, që më duket se ishte “Bij dhe dashnorë”, ndonëse Silvia më tha të merrja të tjerë nëse dëshiroja. Kështu që zgjodha “Lufta dhe paqja” sipas botimit të përgatitur nga Kostancë Garnet, si dhe “Kumarxhiu e tregime të tjera” nga Dostojevski.

- Pra s’do shihemi shumë shpejt, nëse vërtet do t’i lexoni të gjithë – tha Silvia.
- Do kthehem që të bëj pagesën – ia bëra – I kam ca parà mënjanë.
- Nuk ua thashë për këtë – ma ktheu – Paguani kur t’ju jepet mundësia.
- Kur vjen Xhojsi këtu? – pyeta.
- Nëse vjen, ka të ngjarë pasdite vonë – më tha – E keni hasur ndonjëherë?
- Po, tek restoranti “Michaud”. Drekonte me familjen – thashë – Por nuk bën që t’ia ngulësh sytë tjetrit ndërsa është duke ngrënë. Aq më tepër që ai vend s’është aspak i lirë.
- Hani në shtëpi?
- Sidomos kohët e fundit – iu përgjigja – Kemi dikë që gatuan.
- Nuk keni restorante atypari, apo jo?
- Jo. Po ju si e dini?
- Larboja pat jetuar andej – tha – I pëlqente tej masë, me përjashtim të kësaj mangësie.
- Për të gjetur një vend ku mund të hash mirë dhe lirë duhet t’i afrohesh Panteonit.
- Nuk e njoh atë lagje, pasi edhe ne hamë në shtëpi. Jeni të ftuar të vini ndonjëherë, bashkë me gruan tuaj.
- Të shohim nëse do të mundem t’ju bëj pagesën – i thashë – Sidoqoftë, ju falënderoj.
- Mos lexoni me ngut – më tha.

Shtëpia në rue Cardinal Lamoine qe një apartament me dy dhoma, pa ujë të ngrohtë dhe pa banjë të brendshme (kishte veç një dollap për mjetet e higjenës), për të cilën nuk mund të qahej kush, si unë, ishte mësuar me barakat e Miçiganit. Mund t’i gëzoheshe një pamjeje të bukur nga dritarja, dyshekut dhe brofjes mbi shtratit e rehatshëm, ashtu si dhe pikturave të varura mbi mur që aq shumë na pëlqenin, çka e bënte atë apartament vërtet të këndshëm dhe gazplotë. Kur u ktheva me libra në duar i fola gruas time për vendin përrallor që gjeta.

- Po Tati, por duhet të kthehesh patjetër sot pasdite që t’i bësh pagesën – më tha ajo.
- Patjetër që do vete – i thashë – Madje do vemi bashkë. Pastaj në të kthyer i biem nga rruga ndanë lumit dhe ecim në trotuarin që shkon përgjatë.
- Ikim nga rue de Seine më mirë, të shohim galeritë dhe gjithë dyqanet që janë atje.
- Patjetër. Mund të shkojmë ngado dhe të ulemi në ndonjë nga kafenetë e reja, ku nuk njohim dhe nuk na njeh njeri. E atje porosisim nga një pije.
- Si thua, mund të porosisim nga dy pije?
- Mund të shkojmë edhe të hamë dikund.
- Jo. Mos harro që duhet të shkojmë për pagesën në bibliotekë.
- Atëherë do kthehemi në shtëpi, ta hamë këtu vaktin tonë të dashur dhe të pimë një shishe Beaume nga ai dyqani i lirë që duket sapo del në dritare dhe që i ka varur çmimet përjashtë. Pastaj do lexojmë, e më vonë do shtrihemi dhe do bëjmë dashuri.
- Dhe kurrë s’do duam kënd veç njëri-tjetrit.
- Kurrë.
- Ç’pasdite dhe darkë e mrekullueshme. Më mirë hamë drekë tani.
- Jam shumë i uritur – i thashë – Punova në një kafene, me një café crème para.
- Si shkoi, Tati?
- Them se mirë. Shpresoj të paktën. Çfarë kemi për drekë?
- Ca rrepa, një foie de veau të mirë me patate të shtypura dhe sallatë radhiqesh. Pastaj kek me mollë.
- E në fund kemi gjithë librat e kësaj bote për veten tonë, që mund t’i marrim edhe nëse udhëtojmë gjëkundi.
- Na lejohet thua?
- Po patjetër.
- Mos gjendet dhe ndonjë libër i Henri Xhejmsit aty?
- Patjetër.
- Sa mirë – tha ajo – Jemi me shumë fat që arrite të gjesh një vend të tillë.
- Ne jemi gjithnjë me fat – i thashë dhe si budalla që jam nuk trokita mbi dru. Aq më shumë që ai apartament kishte ngado dru mbi të cilin mund të trokisje.

(?ℎ???: Edon Qezari)
??? ??̈????? “? ???????? ?????”, ????????? ??, ??????? ?????, ??????, ??. 31-33.
 
Top