54 vite nga dita kur “qëlluam Zotin me gurë”!

Si u bë Shqipëria vendi i parë ateist në botë, lufta e “Partisë” kundër fesë me tanke e topa.​

6 Shkurti i vitit 1967, na kujton ditën kur diktatori Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull "Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, duke nisur kështu rrugën e Shqipërisë, si i vetmi vend ateist në botë.

ipiccy_image-12-1024x741.jpg

54 vite më parë, Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë! I fshehur pas të ashtuquajturës “Revolucioni Ideologjik e Kulturor”, Enver Hoxha përmes një fjalimi të mbajtur më 6 shkurt 1967 porositi “zhdukjen” e besimit fetar në Shqipëri, duke ndaluar me ligj çdo shprehje të saj, e cila do të shoqërohej me ndëshkime të tmerrshme, që ende sot kanë mbetur në histori.

“Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor,“-shkruhej në Kushtetutë, ndërsa ateizmi u përforcua po ashtu me një ligj të 1975 që detyronte t’u viheshin fëmijëve emra jofetarë. Por “lavazhi” nuk kishte përfunduar me kaq.

Ligji i Reformës Agrare, i cili ishte miratuar në gusht 1945, vetëm pak pas ardhjes në pushtet të Partisë së Punës, nisi shpronësimi masiv i tokave që i përkisnin komuniteteve fetare. Vetëm nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, shteti i shpronësoi 3163 hektarë tokë dhe 61.000 rrënjë ullinj, sigurisht që pa asnjë kompensim. Por duke menduar atë që erdhi më pas, marrja e pronës ishte e keqja më e vogël për komunitetet fetare në Shqipëri. Të rinj nga i gjithë vendit, por jo vetëm, ndërmorën një “aksion” për shkatërrimin e disa objekteve, duke nisur nga shenjtërora ortodokse në Shëna Vlash të Durrësit, për t’u përhapur më pas në të gjithë Shqipërinë.

Ndonëse ishte bërë një studim për ruajtjen e kishave dhe xhamive të vjetra me vlera të trashëgimisë e të kulturës, Kisha e Shën Marisë në Vaun e Dejës edhe pse nuk funksiononte si e tillë, e mbrojtur nga shteti si Monument Kulture, u hodh në erë më 30 maj 1969. Më pas, mbrëmjen e 12 qershorit 1967, vetëm disa orë para ditës së shenjtë të kishës në Laç, dy batalione kishin rrethuar me artileri të rëndë gjithë zonën e një rreze prej 4 kilometrash duke sulmuar godinën me mortaja e topa. Vendi u përcaktua si zonë ushtarake dhe shtigjet ku kalonin besimtarët u mbyllën.

Në të njëjtën mënyrë, me shpërthime eksplozivi, tanke dhe ndërmarrje të pajisura me mjete të rënda, u shkatërruan 2172 faltore, prejt të cilave: 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike e 530 teqe. Por “aksioni” nuk kishte të bënte vetëm me godinat…


Sipas punonjësit në Institutin e Monumenteve asokohe, Pirro Thomo, pasoi një valë shkatërrimesh jo vetëm e objekteve fetare dhe ndërtesave të tyre, por edhe e kodikëve, dokumenteve e librave fetarë, duke mos kursyer as ndërtesat që për vlerat e tyre ishin shpallur monumente kulture, duke i sjellur kështu fondit të kulturës kombëtare një dëm të pallogaritshëm. Hapësira boshe në kulturën e vendit tonë, që sot i shohim të përsëriten vetëm në Lindje, në kërdinë që bën organizata terroriste e ISIS.

Por besimi shpirtëror, me të cilin kishin lindur dhe ishin brymosur nuk mund të zhdukej si pa të keq nga qytetarët dhe përfaqësuesit e klerit. Por e gjithë kjo rëndonte në “kurrizin” e tyre. Shifra të paimagjinueshme klerikës u shënuan në burgje internimi, për të mos folur më pas për të vdekurit, numri i saktë i të cilëve ndoshta nuk do të mësohet kurrë. Të pagëzoje një fëmijë në kohën e “Partisë së Punës”, mund të ishte një krim i barabartë me një vrasje sot.

Megjithatë besimi nuk u zhduk kurrë… Njerëzit luteshin e faleshin në shtëpi, duke mbyllur dyer e dritare për të mbajtur larg ndonjë sy të keq që mund ta çonte fjalën në veshin e gabuar. Por kurrë nuk ndalën me ritet e tyre fetare. Ramazani u mbajt si gjithmonë, Krishtlindjet u festuan çdo 25 dhjetor, e kështu çdo datë e rëndësishme. Por gjithmonë nën zë, pa e marrë vesh askush.

Deri 23 vite më vonë. Në nëntor të vitit 1990, prifti katolik, Dom Simon Jubani, i cili edhe vetë kishte vuajtur dënimin burgjeve komuniste, mbajti meshën e parë, duke rikthyer sërish atë që na bëri ndryshe, besimin. Vlerë që sot na dallon nga popuj të tjerë, duke na bërë më tolerantë dhe të hapur ndaj besimeve të tjerë, e duke na mësuar të bashkëjetojmë në paqe me njëri-tjetrin…

(k.m/dosja.al)
 
Top