Ne, njerëzit e rinj, pa emër, me nje pseudonim te thjeshte Nikola Tesla, Game4you, Sopoti, Ana_Gend, Puhiza, Beaute, Emaa, etj.. të vështirë për t’u kuptuar, ne, të lindurit para kohe të një të ardhmeje ende të patreguar, kemi nevojë për një qëllim të ri dhe për një mjet të ri, pra për një shëndet të ri, për një shëndet më të fortë, më të lartë, më të qëndrueshëm, më të guximshëm dhe më të hirshëm nga sa ka qenë ndonjëherë shëndeti. Për atë për të cilën shpirti ka etje që të përshkojë gjithë shtrirjen e vlerave dhe dëshirave deri më sot të lejuara, për të lundruar nëpër të gjitha plazhet e këtij “Mesdheu” ideal, për të mësuar nga aventurat e përvojës së vet se cili është shpirti i një pushtuesi dhe zbuluesi të idealit, për më tepër, edhe shpirti i një artisti, i një shenjti, i një ligjvënësi, i një të urti, i një të dituri, i një të devotshmi, i një hyjnori të shmangur nga stili i vjetër, për të gjithë këtë është e nevojshme vetëm një gjë, shëndeti i madh, një shëndet që jo vetëm e ke, por edhe duhet ta sigurosh e ta fitosh në mënyrë të njëtrajtshme, sepse shpenzohet dhe duhet ta shpenzosh vazhdimisht... Dhe tani, pasi kemi ecur për shumë kohë, ne argonautët e idealit, ndoshta më të guximshëm nga sa këshillon edhe kujdesi, dhe mjaft shpesh duke përjetuar edhe ndonjë mbytje apo fatkeqësi, por siç është thënë, më të shëndetshëm nga sa duhet t’ia lejonim vetes, rrezikshmërisht të shëndetshëm, gjithnjë përsëri të shëndetshëm, besojmë se kemi si shpërblim para nesh një tokë ende të pazbuluar, të cilës ende askush nuk ia ka parë kufinjtë, një përtej tokave të njohura, një qoshe të idealit, një botë kaq të mbushur me bukuri, me gjëra të çuditshme, problematike, të tmerrshme dhe hyjnore, saqë kureshtja dhe dëshira jonë për ta zotëruar kanë dalë jashtë vetvetes. Ah, tashmë asgjë nuk mund të na ngopë më!... Por pasi kemi parë këtë gjë dhe me këtë uri të llahtarshme për dije dhe për vetëdije, si mund të kënaqemi ende me njerëzit e sotëm? ثshtë mjaft e trishtueshme, por është e pashmangshme që ne të na duket e vështirë të ruajmë seriozitetin, apo dhe të mos i hedhim më sytë mbi qëllimet e tyre më të denja dhe mbi shpresat e tyre... Një ideal tjetër vrapon para nesh, një ideal i mrekullueshëm, tundues, i rrezikshëm, për të cilin nuk mund t’i mbushim mendjen askujt, sepse askujt nuk ia njohim lehtë të drejtën për këtë ideal; ideali i një shpirti që, i patëkeq, pra pa e dashur, dhe për shkak të plotësisë dhe fuqisë së tij vërshuese, luan me gjithçka që deri tani është quajtur e shenjtë, e mirë, e paprekshme, hyjnore, për të cilin gjërat më të larta e me arsye i shërbejnë popullit si masë për vlerat, por kjo do të thotë edhe rrezik, dekadencë, rënie, ose të paktën pushim, verbëri, harrim i përkohshëm i vetes; ideali i një mirëqenieje dhe i një dashamirësie njerëzore dhe mbinjerëzore që mjaft shpesh shfaqet si jonjerëzore, për shembull, kur vendoset përballë gjithçkaje që deri tani ka qenë serioziteti i botës, përballë çdo solemniteti në qëndrim, në fjalë, në tinguj, në vështrim, në moral dhe në detyra, sikur të ishte parodia e tyre e pavullnetshme e mishëruar dhe me të cilën, megjithatë, fillon ndoshta serioziteti i madh, atëherë pikëpyetja e vërtetë vendoset, fati i shpirtit ndryshon, akrepi lëviz, tragjedia fillon...