Ashtu si kriza financiare, edhe Covid-i është një dhuratë për populistët

Screenshot-2020-12-17-at-1.20.11-PM.jpg
Nga Philip Stephens
Për një periudhë kalimtare pas krizës financiare të vitit 2008, dominoi mendimi se dëmi i shkaktuar nga kapitalizmi financiar i parapriu një reformimi të ekonomisë së tregut. Kështu shpresohej që bankierët do të frenonin disi lakminë e tyre, ndërsa“fusha e lojës” do të ri-formatohej për të shpërndarë në një mënyrë më të drejtë fitimet nga inovacioni teknologjik dhe globalizimi.
Por këto shpresa u shuan shumë shpjet, kur Bankat Qendrore i vendosën shtypshkronjat e tyre në mbrojtje të statuskuosë. Por pasojat më të qëndrueshme të asaj krize, rezultuan të jenë politike. Duke nxjerrë në pah pabarazitë e ‘konsensusit të Uashingtonit’ në ekonomi, kriza grumbulloi një ushtri të gatshme mbështetësish për populistët e të djathtës dhe të majtës ekstreme, që u drejtuan kundër elitave.
Programet qeveritare të masave shtrënguese, ulën pagat dhe nivelin e pagesave të asistencës sociale, duke shtuar më tej ankesat e të majtëve në shoqëri. Rebelimi popullor që ushqeu vendimin pro Brexit në Britani dhe zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së,nuk ishin aspak të rastësishme.
Katër vjet më vonë, dhe gati një vit nga nisja e pandemisë së koronavirusit, qiejt duket sikur befas janë ndriçuar. Vaksinat kanë ngjallur shpresën, në mos për eliminimin e Covid-19, të paktën për pasjen e kapacitetit, për t’a vënë atë nën kontroll.
Është krejtësisht e mundur të imagjinohet, që nga mesi i vitit të ardhshëm, të paktën në shoqëritë e pasura, se jeta do të kthehet në një lloj normaliteti. Ekonomitë do të rriten, papunësia do të fillojë të bjerë, dhe kufijtë do të rihapen. Në masën që virusi do të vazhdojë të përhapet, ai do të jetë më i menaxhueshëm.
Copëza drite dhe shprese ka pasur edhe në frontin politik. Mosrespektimi i hapur i Trump për sundimin e ligjit dhe vlerat e tjera themelore demokratike, ka qenë një dhuratë për autoritarët kudo që ndodhen. Demokracia ishte vënë përfund, e sfiduar edhe në BE, duke e shtuar anti-liberalizmin në shtetet ish-komuniste.
E si mund të krijojmë shoqëri tolerante, të hapura kur udhëheqësi i demokracisë më të fuqishme në botë, nuk mund t`a fshehë admirimin e tij për Vladimir Putinin e Rusisë? Fakti i thjeshtë i fitores së Xho Bajdenit në zgjedhjet e 3 Nëntorit ndryshon llogaritë.
Presidenti i zgjedhur, me një rekord të gjatë të mbështetjes së një sistemi ndërkombëtar të bazuar tek rregullat, dëshiron që demokracitë liberale të botës t`a bëjnë demokracinë,kauzën e tyre të përbashkët. Mbi këtë çështje ka shumë retorikë, por gjithsesi e rëndësishme është që autokratët e kanë humbur tashmë një aleat në Shtëpinë e Bardhë, dhe se fjalët për demokracinë janë tani në anën e duhur të argumentit.
Rreziku është që historia mund të përsëritet. Neve na është thënë se trashëgimia e dëmshme e pandemisë Covid-19, ashtu si ajo e krizës financiare të një dekadë më parë, do të jetë ekonomike, e dukshme sërish me borxhet e mëdha të qeverive.
Megjithatë, fokusimi vetëm tek kostoja në dollarë dhe euro e kësaj krize, rrezikon sërish të fshehë rreziqet politike, që mendoj se janë potencialisht më të mëdha. Triliona dollarë janë shpenzuar për të zbutur goditjen që ka pësuar prodhimi dhe punësimi për shkak të bllokimeve.
Vetëm Britania e Madhe ka shpenzuar 280 miliardë paund,për t’i përballuar këto kosto.
Të ardhurat nga taksat janë zvogëluar. Shumica dërrmuese e bizneseve kanë zvogëluar investimet. Dhe me shumicën e ekonomive që gjenden ende në një formë bllokimi, Ministritë e Financave në të gjithë botën kanë filluar hartimin e programeve fiskale të tërheqjes, për të ristabilizuar buxhetet e tyre.
Shqetësues është fakti që ashtu siç ndodhi pas krizës financiare, plane të tilla parashikojnë që kostoja e çdo mase kursimi pas Covid-19 të ndihet më shumë tek më pak të pasurit – pra tek njerëzit që janë aktualisht më të dëmtuar nga pandemia – përmes shkurtimeve të shpenzimeve publike.
Viktimat më të mëdha të Covid-19 kanë qenë pagat e ulëta, të pakualifikuarit, dhe ata që janë në punë të pasigurta – një numër i madh prej tyre në industritë e mikpritjes dhe të ashtuquajturës “ekonomi koncertesh”.
Një pjesë e madhe e punonjësve të aftë, kanë qenë në gjendje t’i përshtaten punës nga distanca, ose janë ndihmuar nga programet e financuara nga qeveria. Shumë nga të pasurit, kanë parë t’i shtohen kursimet e tyre gjatë bllokimeve.
Një përgjigje zyrtare e ndjeshme, do të vononte çdo lloj shtrëngimi buxhetor, derisa ekonomitë të mos e dëmtojnë plotësisht prodhimin ekonomik të humbur nga pandemia. Më pas duhet të sigurohet që aty ku kërkohet shkurtimi, ai të vijë në formën e rritjes së taksave me bazë të gjerë mbi ata me të ardhura të mesme dhe të larta.
Ndërkohë në vend të kësaj, refleksi i Ministrive të Financave, ka qenë reduktimi i financimit të programeve të shpenzimeve sociale që janë të dizenjuara të ndihmojnë më të varfrit. Në raste të tilla, ata që janë lënë mënjanë, u kërkohet të paguajnë dy herë. Dhe kjo qasje do të ishte ideale për t’i dhënë populizmit një epokë të dytë lulëzimi.
Kriza e vitit 2008,nxori në pah pabarazitë e kapitalizmit financiar të tipit ‘laissez faire’. Covid-19 ka nënvizuar pasigurinë e frikshme të jetës se atyre që janë më të varfër. Nëse politikanët janë vërtet seriozë në lidhje me shpëtimin e demokracisë, ata duhet të fillojnë duke rivendosur një masë të drejtësisë në funksionimin e ekonomisë së tregut. / “Financial Times” – Bota.al
 

Attachments

  • Screenshot-2020-12-17-at-1.20.11-PM.jpg
    Screenshot-2020-12-17-at-1.20.11-PM.jpg
    205.1 KB · Shikime: 0
Top