B&B

Nga Edmond Tupja


Nuk dëshiroj aspak që me titullin e këtij shkrimi të intrigoj ato lexuese e ata lexues, të cilët më kanë ndjekur besnikërisht që në fillimet e mia gazetareske te “Panorama” këtu e mbi dhjetë vjet më parë; e shkruar më shkoqur, më duhet të pranoj që është hera e dytë që po e përdor këtë titull, sepse m’u duk sërish i një aktualiteti ulëritës.

Ulëritës në rrafshin politik, më saktë në marrëdhënien midis pushtetit qendror dhe atij vendor, por edhe më saktë në marrëdhënien midis dy kryetarësh (me “t”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të saj), pra midis Edi Ramës, kreut të qeverisë (e tmerrshme kjo fjalë, sepse, gabimisht – me dashje ose pa dashje – atë mund ta kisha shkruar “qenverisë”, ku do të kishin spikatur, të ngërthyera pazgjidhshmërisht, fjalët “qen” e “enver”!) dhe Erion Veliajt, kryebashkiakut të kryeqytetit tonë të betonuar neveritshëm (fjalë kjo që, po aq gabimisht, mund ta kisha shkruar “enveritshëm”).

Gjithsesi, dy personazhet e lartpërmendur formojnë një çift, në gjirin e të cilit ekziston prej kohësh një marrëdhënie e çuditshme, që do ta quaja dashurrejtje, d.m.th. edhe dashuri, edhe urrejtje (oh, të më falin sidomos lexueset në këtë çast për praninë e fjalës “shurr” – paksa të cunguar në fund – te fjala “dashurrejtje”, por, ç’është e vërteta, marrëdhënia midis dy personazheve në fjalë nuk ka ardhur gjithnjë erë parfum!). Megjithatë, të dy të lartpërmendurit, teorikisht, pra, politikisht, janë B & B. Ende shumkujt i tingëllojnë në vesh fjalët e kryeministrit në adresë të kryebashkiakut kur ky merrej me mbjelljen e pemëve, pikërisht të atyre pemëve, rrëzë të cilave sot banorët e Tiranës shohin sesi qentë ngrenë njërën prej këmbëve të pasme duke i përshëndetur e nderuar ato bujarisht me shurrën e tyre, madje kjo shurrë, në ditët e vaposura, i përshëndet shkurrnajat e shpifura përreth sheshgungës “Skënderbe” me parfumin e saj të papërballueshëm deri në atë pikë saqë ato, pra shkurrnajat, me të drejtë mund të cilësohen si shurrnaja apo shurrëtore ekologjike veçanërisht në kushtet e ngrohjes së planetit tonë si pasojë e efektit serrë. Madje shembullin e këtyre qenve një ditë, më falni, një natë të bukur por pa hënë, mund ta ndjekin edhe lypësit apo të dehurit e gjorë, mjafton që, kur t’u vijë për të shurruar apo edhe për të jashtëqitur, të nisin të lehin si qentë duke shfaqur kështu mirënjohjen e tyre për kryebashkiakun Veliaj që u ka krijuar kushte për një shurrosje ose menderosje biologjikisht të denjë për jetën që bëjnë. Pra, siç shihet qartas, pikërisht qentë e rrugëve dhe të shesheve të kryeqytetit tonë – që Erion Veliaj, me t’u bërë kryebashkiak, i mori aq shumë në mbrojtje duke u sugjeruar apo propozuar madje fëmijëve të kryeqytetit të birësonin secili të paktën një prej tyre – këta qen, pra, po kontribuojnë në luftën heroike që zhvillon njerëzimi për të mbrojtur të drejtat e këtyre kafshëve aq njerëzore me parullën “Qentë që lehin nuk kafshojnë, jo! / Ata vetëm të lëpijnë kudo!”

Nga ana tjetër, trotuaret e Tiranës po zbukurohen e dekorohen çdo ditë e më shumë me kacarrumat organikë të qenve, aq sa kalimtarët e kanë përherë e më të vështirë të mos i shkelin ato, sepse kjo do t’u kallte një ndejnjë faji të papërballueshme ngaqë disa prej tyre janë vepra të mirëfillta arti të denja për ta mahnitur e mallëngyer jo vetëm kryebashkiakun e Tiranës, por edhe kryeministrin e Shqipërisë, të dy B & B jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht, kështu që, sipas disa burimeve, të cilat duan të ruajnë anonimatin, nuk përjashtohet mundësia që, pavarësisht ndonjë kontradikte jo anatagoniste midis tyre, dy personalitetet politike të sapopërmendura nuk do të ishin kundër ndërtimin të disa muzeve ku do të ekspozohej një mase e konsiderueshme kacarrumash si të qenve shqiptarë, ashtu edhe të atyre të huaj, në trajtë skulpturash e instalacionesh të të gjitha formave, pamjeve e përmasave nga më ekstravagantet, por veçanërisht të të gjitha shijeve.

Ndërkaq, si bonus, me shumë gjasë muzetë në fjalë mund të pajisen me oborre ku qentë e rrymës “mutart”, e para e këtij lloji në botë, do të ndiqnin paraprakisht edhe kurse performimi në mënyrë që me produktet e tyre të markës shqiptare “fekhale” ose “shitart” të realizonin performanca krejt origjinale duke lyer e lëpirë trupat e tyre ose të njëri-tjetrit nën breshërinë e duartrokitjeve të të fuarve dhe, në veçanti, të dy personaliteteve B & B!


Panorama.al
 
Top