Çfarë është në të vërtetë seksizmi?

59B0D551-FAB9-4896-BDE0-1FA94CBF6C64.jpeg




Në përpjekje për të thënë se disa komente dhe fjalë lejohen në një emision dashurie, gjatë puntatës së fundit të “Për’Puthen”, opinionisti Arjan Konomi u shpreh se seksizmi është “kur ti ngacmon seksualisht apo diskriminon seksualisht apo qoftë fizikisht në një marrëdhënie të caktuar”. ”Seksizmi në një emision dashurie, nuk ka seksizëm. Nuk mund të lidhesh me një vajzë dhe të dashurohesh se i thua trupi yt është i bukur, se ke belin e bukur”,-shtoi ai. “Ama është seksizëm nëse të marr në intervistë pune dhe të vlerësoj nga beli apo këmbët”.

Shpjegimi i opinionistit është i paqartë, sepse ngatërron seksizmin me ngacmimin dhe abuzimin seksual, terma që mund të lidhen me njëri-tjetrin, por nuk janë e njëjta gjë. Në këtë artikull do të shpjegojmë se çfarë është realisht seksizmi, si lindi dhe si e promovojmë sot.



Përkufizimi

Organizata udhëheqëse e të drejtave të njeriut në Europë miratoi në vitin 2019 përkufizimin e termit “seksizëm”. Seksizmi përcaktohet si ”Çdo veprim, gjest, përfaqësim vizual, fjalë të thëna ose të shkruara, praktikë ose sjellje bazuar në idenë se një person ose një grup personash është inferior për shkak të seksit të tyre, i cili ndodh në sferën publike ose private, qoftë online apo jo”.

Rekomandimi i Këshillit të Europës gjithashtu theksoi se seksizmi është një shfaqje e “marrëdhënieve historikisht të pabarabarta të pushtetit “midis burrave dhe grave, e cila çon në diskriminim dhe parandalon përparimin e plotë të grave në shoqëri”.

Këshilli shtoi se seksizmi është “i përhapur në të gjithë sektorët dhe të gjitha shoqëritë dhe seksizmi dhe sjelljet seksiste janë të rrënjosura dhe forcojnë stereotipet gjinore”.

Seksizmi dhe vajzat/gratë

Ndikimi i dëmshëm i seksizmit mund të jetë më i keq për disa gra dhe burra për shkak të përkatësisë etnike, moshës, paaftësisë, origjinës shoqërore, fesë, identitetit gjinor, orientimit seksual ose faktorëve të tjerë. Seksizmi prek kryesisht gratë. Mund të prekë djemtë dhe burrat kur nuk përputhen me stereotipet gjinore.

Seksizmi është pjesë e çdo sfere në shoqëri dhe këto fakte të Këshillit të Europës e vërtetojnë:

– 63% e grave gazetare janë përballur me abuzim verbal.
– Gratë kalojnë pothuajse dy herë më shumë kohë sesa burrat në punë shtëpie të papaguara.
– 80% e grave deklaruan se janë ballafaquar me fenomenin e “keqpërdorimit” dhe “keqtrajtimit” në punë.
– Burrat përfaqësojnë 75% të burimeve dhe subjekteve të lajmeve në Europë.
– Në Mbretërinë e Bashkuar, 66% e vajzave 16-18 vjeç të anketuara kanë përjetuar ose kanë parë dëshmi të përdorimit të gjuhës seksiste në shkollë.
– 59% e grave në Amsterdam raportuan një formë të ngacmimit në rrugë.

Shembuj të seksizmit në gjuhë dhe komunikim:
– Kopertina e një botimi që përshkruan vetëm burra.
– Emërtimi i një gruaje me terma mashkullorë për profesionin e saj.
– Një fushatë komunikimi që përdor lakuriqësinë e grave.
– Një reklamë me një burrë që i tregon një gruaje se si të përdorë një makinë larëse. /Anabel.al/
 
Top