Dashurrejtja e një Kryeministri/Nga Edmond Tupja.

Frank

Mysybet Anëtar. :D
Edmond-Tupja-1-727x450.jpg

Prej kohësh është folur, por jo vetëm në rrethet e psikologëve, psikiatërve dhe sidomos të psikanalistëve, për karakterin antinomik të disa marrëdhënieve themelore midis njerëzve. Kështu, ndër të tjera, edhe vetë dashuria, që i lidh fort njerëzit, ka momente kur shndërrohet në urrejtje, ndërkohë që edhe urrejtja, që i ndan njerëzit, ndodh të shndërrohet në dashuri, ndonëse më rrallë: Më rrallë, sepse edukata dhe kultura krijojnë normalisht tek individi i prirur drejt së mirës një mekanizëm rregullator të dukurisë në fjalë. Kjo dukuri në gjuhën tonë amtare mund të emërohet fare mirë me termin “dashurrejtje” që ende nuk figuron në fjalorët tanë, qofshin ata të përgjithshëm, sinonimikë, antonimikë, frazeologjikë apo terminologjikë.


Gjithsesi, ky term, pra, “dashurrejtje”, shërben jo vetëm kur analizojmë marrëdhëniet në gjirin e çifteve hetero apo homoseksuale, por edhe kur analizojmë marrëdhëniet e tjera njerëzore si ato midis prindërve dhe fëmijëve, midis vetë fëmijëve, midis shokëve e midis miqve etj., etj., duke përfshirë edhe ato midis qeveritarëve dhe të qeverisurve. Sigurisht, që dashuria mund të marrë tiparet e miqësisë ose të simpatisë, ndërkohë që urrejtja mund të marrë ato të përbuzjes, të përçmimit, madje edhe të mospërfilljes.

Në botën artistike (shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, këngëtarë etj.), por edhe në sferën e politikës, formimi i aleancave midis partive dhe më tej prishja e tyre ilustrojnë më së miri vlefshmërinë e termit në fjalë. Pikërisht, në këtë drejtim do të këmbëngulim sot, siç e shpreh vetë titulli i kësaj rubrike të përjavshme. Po të ndjekim rrugëtimin politik të Kryeministrit Rama, nuk do ta kemi fort të vështirë të vëmë re që sjellja e tij jo vetëm si politikan, por edhe si individ mbështetet gati sistematikisht në këtë luhatje midis dy poleve që përmbledh termi “dashurrejtje”.

Kështu, gjatë mandatit të tij të parë në krye të qeverisë, ai pati një muaj mjalti thuajse të shkëlqyer me LSI-në e Ilir Metës, ndërsa gjatë mandatit të tij të dytë, kur e mori vetëm ai timonin e tepsinë e pushtetit në dorë, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Republikës Meta u gjendën acarueshëm përballë njëri-tjetrit deri në atë pikë sa dyluftimi midis atyre u shfaq dhunshëm me tiparet e një armiqësie të mirëfilltë, e cila kulmoi me përpjekjet e egërsuara të të parit për ta shkulur të dytin nga kolltuku presidencial.



Më tej, gjatë mandatit të tij të dytë, një ditë të bukur për disa, por fatkeqe për të tjerë, pasi i lavdëroi për punën e kryer dy nga ministrat e tij më seriozë e deri diku më të suksesshëm, zonjën Mirela Kumbaro dhe zotin Ditmir Bushati, Kryeministri Rama i befasoi ata – dhe jo vetëm ata – me vendimin e pakthyeshëm për t’i larguar nga postet përkatëse si ministra të Kulturës e të Punëve të Jashtme duke i zëvendësuar paradoksalisht me dy persona dukshëm të një niveli që, sipas mendimit tonë, linte e lë vërtet për të dëshiruar. Në këtë rast, gjithashtu, ky veprim duhet ta ketë pasur zanafillën në një çrregullim të mekanizmit rregullator të dashurrejtjes kryeministrore që kaloi ashtu papritmas nga besimi te mosbesimi, pra nga vlerësimi te zhvlerësimi.

Po gjatë mandatit të tij të dytë, me të marrë vesh se studentët ishin hedhur me vendosmëri në një protestë masive për të mbrojtur të drejtat e tyre të ligjshme, Kryeministri Rama na habiti kur i cilësoi ata me përbuzje, pra, me antipati, si një grup “ngelësish”, kurse një apo dy ditë më vonë deklaroi se po të kishte qenë edhe ai vetë student, do të ishte bashkuar me protestën e tyre. Ky ndryshim qëndrimi – nga antipatia te simpatia – dëshmon sërish se diçka e papëlqyeshme po i ndodh Kryeministrit Rama, diçka që e shtyn të veprojë herë pas here në mënyrë të paparashikueshme në përçapjet që ndërmerr.

Së fundi, por jo më së paku, a nuk ju duket juve, të nderuara lexuese dhe lexues të nderuar, se edhe loja ngriva-shkriva që bëri para disa muajsh Kryeministri Rama kur trumbetoi me të madhe “Mini-Shengenin” e famshëm, pikërisht pasi Shqipërisë nuk iu hap drita e gjelbër për të filluar negociatat me Bashkimin Europian, mund të shpjegohet deri diku me mosfunksionimin e mekanizmit rregullator të dashurrejtjes kryeministrore, mosfunksionim që e bën atë, Kryeministrin, pra, të paparashikueshëm?

Mos vallë paparashikueshmëria e tij si pasojë e një dashurrejtjeje të sfazuar, të çoroditur apo të çekuilibruar – cilësojeni si të doni -, tregon deri diku se Kryeministri Rama është i lodhur, i tejlodhur, madje i rraskapitur nga qëndrimi në pushtet dhe se ka nevojë për pushim, për një pushim të gjatë, shumë të gjatë, nën mbikëqyrjen e mjekëve më të mirë që ka bota, përfshirë mes tyre edhe psikologë, psikoterapisë, psikiatër apo psikanalistë
 
Top