Dekomunistizim i Pilotuar

Që nisma e dekomunistizimit të shoqërisë, shpalosur nga Partia Demokratike së fundi (por jo për herë të parë, duhet thënë), është një furtunë e stisur brenda një gote, nuk do shumë mend. Ajo paraqitet nga njëfarë establishment-i i cili, për arsye të kuptueshme, përballet me dy shtrëngesa (ose shtrëngata) të rëndësishme:
së pari, i duhet që të largojë vëmendjen nga një debat përmbysës që një entourage i caktuar brenda partisë ka hapur prej pak muajsh, e që me gjasë nuk do të rreshtë së qeni në qendër të skenës mediatike dhe politike së paku deri në dhjetëditëshin e dytë të dhjetorit; së dyti, sepse në kohët e krizave të mëdha identitare – e kjo parti është në ethe jermi në këtë drejtim – një llakim i mirë ideologjik, mundësisht me terma të thjeshtëzuar dhe të përciptë, konsiderohet se shtrëngon radhët dhe fuqizon (për aq sa mund të fuqizojë) mbështetjen përreth kujt predikon.

E parë në tërësi pra, nisma rrezikon të harrohet déjà pak ditë pasi u lakua, e të jetë vendosur sërish në sirtarin e emergjencave të çastit; e pavarësisht se një deputet idiot i partisë kundërshtare (idiotësia është modë që duhet marrë parasysh seriozisht në rrethin e parlamentarëve), ia serviri PD-së në një pjatë argjendi një mundësi të tillë fatlume për t’u rimëkëmbur. Antikomunizmi është qershiza e çdo carpe diem-i në politikëbërjen e djathtë, patjetër, ashtu si patriotizmi i çdo maskarai.

Sidoqoftë, janë disa pika të paqarta në gjithë këtë mesele, duke filluar nga mosdallimi mes “dekomunistizimit” si proces dhe “antikomunizmit” si qëndrim (Sigurisht që nuk mund të jenë ithtarët e të dytit – je vetëm ata së paku – që të bëhen burokratë të të parit.) E pavend është edhe analogjia krahasuese që bëhet shpesh me denazifikimin e Gjermanisë pas vitit 1945 - sipërmarrje e cila, pikërisht atje ku u bë në mënyrë çrrënjosëse, në pjesën lindore filosovjetike (se në atë perëndimore nuk pati pak raste anashkaluese), pikërisht atje i dha jetë një lulëzimi të pashembullt lëvizjesh neonaziste deri në ditët tona. Dhe e quaj të pavend si analogji sepse merr në krahasim, përmes një skematike tërësisht ideologjike dhe spekulluese – siç është ajo e dy ekstreme totalitare - dy regjime politike që dallojnë edhe në përmbajtje edhe në formë (mos flasim pastaj për ndërthurrjen mes këtyre, marrë veçan, dhe specifikave socio-kulturore përkatëse). Me pak fjalë, kur pilotimi i projekteve më të thjeshta has në ndërlikime të mëdha, mund të kuptohet se ç’të ardhme (se të ardhurat dihen, janë shumë) këto dekomunistizime që shkruhen nga OJF-të diku larg nesh dhe flamurosen nga partitë shumë pranë nesh.

Denazifikimi i Gjermanisë – ndryshe nga defashistizimi i Italisë që nuk u krye kurrë – i referohej një ambalazhit të një periudhe të caktuar historike, e veçanërisht simbolikave të shprehura të një formë udhëheqjeje dhe lidershipit që e përfaqësonte: Adolf Hitler-i ad personam.
Nga ana tjeter, pak e dinë (por unë vlerësoj se disa intelektualë organikë pranë establishmentit të PD-së, duhet detyrimisht ta dinë) se mbërritja e Enver Hoxhës në shkallaren e pushtetit, në përfundim të Luftës II Botërore, është paraprirë nga rreth 150 vite histori të përdorimit, vetjak dhe tregues, politik dhe emancipues, tragjik dhe kunderthënës, të fjalës “komunizëm”. Atëherë, lind nevoja e sqarimit nëse kërkesa për të ndaluar ekspozime publike – kryer gati gjithmonë në raste për t’u mëshiruar, për të qenë të sinqertë – të fotove të ish-sekretarit të përgjithshëm të PPSH-së, përfshin apo jo gjithçka tjetër veç tij.
A do ndalohet simbolika e draprit dhe çekanit, ajo që u ngul në majë të Berlinit kur mori fund regjimi nazist pasi u shuajtën miliona jetë për këtë qëllim? Apo do të anatemohet ngjyra e kuqe në përgjithësi? (duke qenë se komunistët quhen edhe “të kuqtë” me përçmim) Do i tërhiqet vëmendja kujt këndon “Internacionalen”? apo do t’i tërhiqet veshi ndonjë DJ-i që vendos në sfond ndonjë version veror të “Bella ciao”-s? Apo do të gjobiten ata që recitojnë poezitë e Neruda-s dhe Hikmet-it? Po më librat e Brecht-it, Marx-it vetë, Ricosit dhe Gorkit, Saramago-s dhe Calvino-s – të tërë shkrimtarë dhe autorë të cilët, në mënyrë të dallueshme janë shenjuar nga përkatësia në lëvizje komuniste vendore dhe ndërkombëtare – me to ç’do të bëhet? Kur do e lemë që të mblidhemi në shesh për t’i djegur?
Ku fillon dhe ku mbaron komunizmi për t’u dekomunistizuar; a mund të dekomunistizohet vërtet komunizmi i futur kështu në thes sa për të mundur pezmin e një sezoni të vështirë partiak?

/Edon Qezari
 
Redaktimi i fundit:
Top