Diçka mbi Fishtën

Lauri

Anunnak
30 VITE MË PARË: PËRKUJTIMI I FISHTËS

Përkujtonim Fishtën për të mos kaluar në heshtje 50-vjetori i vdekjes së tij, ndërsa po ato ditë do shokë të Bllokut – sot në pushtet – përkujtonin Beatles-at. Nuk e dinim që diku nga fundi i sallës, në petka civile, ndodhej një dëshmitar krejt i veçantë, At Zef Pllumi i panjohur deri atëherë, që ka bërë dëshmi për ngjarjen si vijon:

* * *

“Ishin ditët e fundit ë vitit 1990; të gjitha qytet kishin pamjen e mjerueme të gërmadhave mbas njaj lufte të gjatë; vendi vuente hemorragjinë e ikjeve në masë; ndërkohë për Poetin afrohej 50-vjetori i vdekjes. Atëherë nji grusht intelektualësh shqiptarë, të pamvarun prej partive e politikave, të gjithë të nji breznie të re, menduen me e hapë sherrin me “vijën e partisë” në letërsi dhe arte; vendosën që 50-vjetori i vdekjes së Fishtës ma nuk duhej kalue në heshtje. Ishin Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj dhe Rudolf Marku. U bashkuen, për me recitue, edhe aktori Ndrekë Luca e poeti Jorgo Bllaci. Në mure u ngjit njoftimi për “përkujtimin” e Fishtës me 28 dhetor 1990; nji njoftim i habitshëm, për herë të parë i nënshkruem me formulën demokratike gati të harrueme “nga një grup dashamirës të poetit”.

U duk se do të ndodhte nji skandal i vërtetë. Salla e përhime e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u mbush plot e përmaje me trima e me servila, me kureshtarë e me spijuj. Kjenë çaste emocionuese. N’atë sallë, ku kjenë shpallë sa e sa dënime shkrimtarësh, ku kishte fillue edhe denigrimi i figurës së Fishtës vetë më 1948, tash lufta bahej mes artit të lirë dhe atij të planifikuem partiak. Armët, kësaj radhe, kjenë ligjet e shkencës së letërsisë, rregullat e pamëshirshme të kritikës letrare e të historisë së letërsisë si disiplina shkencore. U kërkue kthimi i shkrimtarit të madh në vendin që i takonte në historinë e letërsisë shqipe, prej nga kje shgulë. Fjalët me të cilat Aurel Plasari mbyllte pleduarinë e tij këtu e gjashtë vjet ma parë ishin domethanëse:

“Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së rij fizike e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje edhe për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Ta mbrojmë këtë jetëgjatësi duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre e, sidomos, duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha: jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”.

Recitimet e pjesëve nga epika e lirika e Poetit shkaktuen në sallë ngashëri të vërtetë. Folën edhe kritikët Virgjil Muçi e Agron Bala, poetët Vehbi Skënderi e Petraq Kolevica. Dhjetra të tjerë kërkonin me recitue a përshëndetë, aq sa “përkujtimi” do të zgjatej tej çdo parashikimi.

Më 30 dhetor ‘Drita’ botonte ligjëratën e Skënder Buçpapajt: ‘Njëri nga sovranët e letrave tona’, ndërsa gazeta e sapodalun ‘Rilindja demokratike’ në numrin saj të parë botonte ligjëratën e Aurel Plasarit ‘Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë’.

Mbas disa ditësh grupi u ftue që ta përkujtonte Fishtën në Shkodër. As dyert e teatrit ‘Migjeni’, as ato të kinemasë ‘Republika’ nuk u hapën për ta. Pushteti tiranik, edhe pse në grahmat e fundit, përpiqej me shpëtue çka mund të shpëtohej nga ‘kultura’ e realizmit socialist. Trimnia e nji 'përgjegjësi rinie' u lëshoi nji salon të vogël, ish-kisha e Murgeshave Stigmatine, i cili s’kishte ku t’i strehojë ata që kërkojshin me marrë pjesë”. .

* * *

Nga: At Zef Pllumi, 'Nji vor për At Gjergj Fishtën', 1996, në 'Françeskanët e mëdhaj', Tiranë 2001. Një foto nga përkujtimi në Tiranë dhe dy nga përkujtimi në Shkodër, prej arkivit fotografik të mikut të vyer Piro Naçe. Vetë z. Naçe duket në foton e tretë, në rreshtin e parë të lozhës.
(A.plasari)
FB_IMG_1611749050983.jpg
FB_IMG_1611749065059.jpg
FB_IMG_1611749069794.jpg
 
Top