Distancimi social dhe disiplina… Kush nga të dyja vjen e para?

AnaVie

Undisputed woman
Staf në FV.AL
84EB1FD9-B611-42DB-AB65-84D00BF0907D.jpeg

Sot e që prej shumë ditësh të shkuara, luftojmë të papërgatitur në frontin e një beteje të çuditshme, po aq edhe të ndryshme nga gjithë betejat e shkuara. Sot, nuk jemi duke vrapuar për të kapur kohën! Koha është aty! Duket sikur pret të shikojë lëvizjen tonë të rradhës. Dhe ne, një Zot e di pse kemi ngrirë e nuk vrapojmë më si më parë. Kemi ngecur në atë vështrim të ftohtë. Kemi ngrirë pikërisht aty. Të frikësuar… Sikur e shkuara të ketë qenë një përrallë e bukur. Dhe e vërteta paskësh qenë ndryshe. Nuk kemi qenë duke vrapuar për të kapur kohën, por për t’i ikur asaj. Koha po na kërkonte ne për të na parë kështu. Në sy. Në dritë të syrit. Si tani. Lufta e vërtetë paskësh qenë të shihemi në sy. Pa u frikësuar. Mijëra të vërteta ka aty.


Do të njohim patologjinë e marrëdhënieve tona. Do të kuptojmë se thelbësore në to është lidhja e shpirtit dhe jo e trupit. Dhe ne jemi në izolim fizik. Jemi në një distancim vetëm fizik nga njëri-tjetri. Është i nevojshëm ky distancim për t’u mbrojtur. Dhe një kulturë si e jona që e shpreh mirënjohjen, falenderimin, miqësinë, ngrohtësinë dhe dashurinë vetëm në përqafime dhe puthje pa kriter, sigurisht që do të rrudhë vetullat dhe do të shqyej sytë kur të njohë këtë të vërtetë të parë.

Sepse një i rritur nuk ka pse merr leje për të puthur një fëmijë. Dikushit që takojmë në rrugë, nuk i mjafton një fjalë përshëndetëse, por i duhet të shtojë edhe një përqafim dhe një puthje në rastin më të mirë në të dyja faqet dhe në rastin më të keq tre herë në secilën faqe. Distancimi fizik, për të, është njësoj me distancimin social. Për një shoqëri që “prekjen” e ka thelbësore për të dashuruar, për të dëshiruar, për të falenderuar apo për të disiplinuar, ky distancim është sfidues.

Në këto kushte, kësaj shoqërie i duhet të ripërshtatet dhe të rimësojë si “fjala” mjafton për të shprehur edhe ndjenjën më sublime ndaj një të rrituri, të riu, fëmije apo bebe. Kjo është një kohë e mirë për ta bërë këtë. Sepse në këtë distancim fizik mund të përdorim “fjalën” për t’u lidhur me të dashurit tanë nëpërmjet teknologjisë. Dhe përtej një ekrani, ne kemi shansin për të zhvilluar dhe pasuruar “fjalën”. Të flasim ndoshta për herë të parë për mendimet, ndjenjat dhe ndijesitë më të thella të shpirtit tonë. Thellësi, të cilën kurrsesi nuk mund ta përçojmë nëpërmjet “prekjes”. Së pari, le t’i themi kohës faleminderit që po na rimëson se marrëdhëniet për të qenë edhe më të bukura dhe më të forta kanë nevojë për fjalë të pasura.


485E66F6-203A-43A8-AE5C-170FCDDB2D3D.jpeg
“Fjala” është fuqi. Është fuqia jonë! Ajo mposht dhe shkatërron izolimin apo distancimin fizik. Le të dashurohemi, të duhemi dhe të shmallemi duke folur. Dhe do të kuptojmë kështu se është domosdoshmëri dashuria dhe respekti për veten gjithashtu. Disa mund ta quajnë disiplinë. Por, rëndësia nuk qëndron tek emërtimi. Pavarësisht si e quajmë, duhet të nënkuptojmë përqafimin që do t’i bëjmë shpirtit tonë çdo ditë.

Sa herë të zgjohemi në mëngjes, të bëhemi të bukur, edhe pse të izoluar. Dita do të jetë vetëm pasqyrimi ynë. T’i buzëqeshim vetes në pasqyrë dhe ta përgëzojmë për diçka të bërë bukur ditën që kaloi. Të ruajmë buzëqeshjen dhe pozitivitetin edhe përpara enëve të papastra në kuzhinë apo rrëmujës në sallon. T’i buzëqeshim rradhës së humbur sepse një grua hyn përpara nesh, pa të drejtë. Ta pyesim me mirësjellje shitësin nëse ka ardhur ai produkti që kemi ditë që e kërkojmë. Ta falenderojmë edhe nëse nuk ka ardhur ende. Të marrim frymë dhe të ndjejmë si mbushemi plot jetë prej saj.

T’i japim vetes kohë dhe të presim të jemi gati. Të zgjedhim! Në vend që të dëshirojmë me ankth të përfundojmë detyrat rutinë të çdo dite, të bëjmë diçka tjetër, ta bëjmë këtë rutinë të përditshme sikur të mos e kemi përjetuar kurrë më parë.

Burimi : Revista Psikologji.
 
Top