Duele pretendentësh në Kategorinë Superiore

PRAG-SUPERIORE-1100x620.jpgSfida pretendentësh në javën e shtatë të Kategorisë Superiore. Pas pikës në derbi, Partizani luan përballë Teutës, kandidate për titullin në fillim të sezonit, por që ka barazuar në katër ndeshjet e fundit. Për këtë arsye, dueli pa fitues nuk duket një opsion.

“Është një ndeshje që do të zgjidhet nga episodet, për vetë faktin që Teuta nuk ka humbur ende dhe ne kemi shumë ndeshje që nuk pësojmë. Momentalisht, me ngjeshjen e klasifikimit, më e rëndësishme është marrja e tri pikëve. Nëse merret me lojë të bukur do të thotë që ke më shumë elemente për vazhdimësinë. Marrja e 3 pikëve është gjëja kryesore për të cilën futemi në fushë kundër Teutës”, u shpreh Daja.

Edhe Tirana kërkon të kthehet te suksesi, i cili mungon prej pesë javësh, ku bardheblutë kanë grumbulluar vetëm tri pikë. Transferta në Laç mund të rezultojë vendimtare për të ndryshuar ecurinë e sezonit, me kryeqytetasit që favorizohen nga largimi i befasishëm i Stavri Nicës. Stoli i kurbinasve mbetet sërish pa drejtues, ndërsa për ndeshjen aty do të qëndrojë zëvendëstrajneri, Klevis Hima.

“Objektivi maksimal dihet, Tirana do titullin dhe e ka detyrim. Kjo përkthehet që në çdo ndeshje duhen marrë tri pikët. Janë gjashtë ndeshje dhe do tentojmë 18 pikë. Ne mundohemi të bëjmë maksimumin, lojtarët po ashtu. Rezultatet ndikohen nga situata dhe momente. Ndonjëherë, nuk ke fat, por do kërkojmë ta bëjmë vetë fatin”, tha Dede.

Në takimet e tjera, Vllaznia kryesuese përballet me Kastriotin, befasinë e sezonit. Kukësi luan në trasfertën me Bylisin, ndërsa Apolonia sfidon Skënderbeun, në atë që projektohet një duel mbijetese.

A2news.com
 
Top