E rëndësishme është ajo që nuk tha Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë!

E rëndësishme është ajo që nuk tha Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë!
Nga Artan fuga.
1608451887374.png

Analiza në Shqipëri sipas meje nuk arriti t'a kuptonte fare atë që tha presidentja në detyrë e Kosovës zonja Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e vizitës të saj atje.
Ajo lëshoi popla nga foltorja për politikën e jashtme të Shqipërisë në raport me Kosovën, por jo vetëm. Dhe ana komike ishte se për herë të parë ato fjalë si dush i ftohtë nuk guxoi kush t'i kundërshtonte, pozitarë kokënginjur apo gjoja opozitarë, jo vetëm që spikeri i Kuvendit nuk i tha dot : Pusho se do të të përjashtoj nga seanca!, por pashë se si ministra u detyruan të ngrihen në këmbë dhe të duartrokisnin, protokolli i detyronte, por edhe deputetë nga salla që u detyruan të ngrihen në këmbë , protokolli i kamzhikonte edhe ata, por nuk duartrokisnin, sepse syri i kamerës, raportues, i shihte me vigjilencë.
Vjosa Osmani tha gjëra që i kishte thënë aty këtu edhe më parë, madje edhe ishin artikuluar me qindra e mijra herë dhe në median shqiptare, se minishengeni është problem serioz, se trau mes Shqipërisë dhe Kosovës është urë ndarëse, se shkëmbimi i territoreve të Kosovës ishte një ide sa e marrë dhe aq budallaqe, etj, etj.
Megjithatë analiza në Shqipëri duke mos vendosur në shërbim të punës që thotë se bën, pra sqarimin e mesazheve politike për tipa si Qenan K. dhe shumë të tjerë, që nuk kanë kohë dhe as dëshirë të merren me llafe politike, pra duke mos ditur shkencat e komunikimit, nuk kuptoi rëndësinë që Vjosa i tha Ismail Qemalit apo Skënderbeut që e shihnin me sy portreti nga zyrat e shtetit në Shqipëri.
Ka një parim të madh që ua mësojmë në dy vjet rresh gazetarëve të rinj në Shqipëri, se sekreti i asaj që thuhet qendron te ajo që nuk thuhet. Kuptimi i fjalës qendron te heshtja! Nuk ka rëndësi ajo që thuhet, por ajo që nuk thuhet. Kush nuk kupton thellësitë honike të së pathënës, por ngelet te sipërfaqja e fjalëve, që janë thënë kushedi sa herë, ai mbytet në filxhanin e kafesë.
Pra, nuk ka rëndësi ajo që tha zonja Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë, dihet se çfarë mendon ajo për ato çështje. Rëndësia e tyre është një alternativë që ka ekzistuar prej kohësh dhe ajo ka ditur ta artikulojë me finikërinë e saj, si edhe me një pamje disi të elaboruar naiviteti që bashkë me pafajësinë u kanë dhënë fjalëve edhe një ndikim të pamatë.
Problemi është ajo që Vjosa Osmani nuk e tha. Cfarë nuk u tha? Ajo që nuk u artikulua dhe ajo sigurisht nuk do ta shprehte atë, ishte se çfarë rrethanash kanë ndryshuar, çfarë sizmike e nëndheshme ka ndodhur, ku, si, pse, që Vjosa Osmani, si presidente në detyrë e Kosovës, tha ato që tha në Kuvendin e Shqipërisë. Jo në miting elektoral, jo në intervista për qejf të saj, jo në diskure deputeteje, por si presidente, dhe bash m'u nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.
Kush di sadopak nga filozofia e komunikimit, e di si buka që ha se më të rëndësishme se fjalët që shprehen janë kushtet komunikative që u krijojnë atyre fjalëve të shprehen në një vend dhe kohë të caktuar, një audienca të caktuar. Në këtë kuptim nuk ka rëndësi se çfarë thuhet, përmbajtja e asaj që thuhet, por kush e thotë, pse e thotë, ku e thotë dhe kujt ia thotë. Pa analizën e këtyre faktorëve sikurse thoshte Harold Laswell nuk kuptohet psikopatologjia e politikës.
Përmbajtja nuk ka rëndësi për të kuptuar atë përmbajtje fjalësh, por ka rëndësi kapitale se cilat janë kushtet e reja gjeopolitike planetare dhe lokale që e lejuan Vjosa Osmanin t'i thotë politikës shqiptare me zë të lartë mendime që edhe deputeti më i mjerë në Shqipëri dhe në Kosovë i mendon, por nuk i thotë dot.
Cfarë ka ndodhur, cfarë ka ndryshuar, çfarë sizmike gjeopolitike ka ndodhur në planet, Evropë, dhe Ballkan që Vjosa i ka kapur, ose ja kanë sugjeruar, për të thënë ato fjalë që zyrtarisht, janë censuruar ose vetë censuruar nga presidentët, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.
Këtu është sekreti që shpjegon shumë gjëra. Këtu është sekreti që kush e kupton, e di si buka që ha që kjo do të vijojë të ndikojë fort politikat ballkanike, kupton vijat e forcës që kanë ndryshuar.
Ajo që do të ndodhi në vazhdim është "fshehur" pikërisht te ato që Vjosa nuk tha, se nuk mund t'i thoshte, pra te kushtet komunikative që i kanë krijuar mundësitë eventuale t'i thotë ato që tha.
Nuk është vendi këtu të shpalosen ato, por janë boll të qarta nëse përtej llollollove të politikës që vazhdon dhe inaguron lloj - lloj muresh e çatish, ndërkohë që nuk mund të bëjë diçka më të mirë, nuk kupton se ka ndodhur një lëvizje tektonike gjeopolitike.
Sa për mua, unë marr lejen e lexuesit të pakënaqur që nuk po i them këtu, për t'i thënë se këto pllaka sizmike të gjeopolitikës që kanë ndryshuar pozicion, i kam shprehur gjatë e gjerë te botimi im "Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë në Shqipërinë pastotalitare".
 
Top