Fëmijët që do të lindin dekadat e ardhshme mund të jetojnë deri në 150 vite

Fëmijët që do të lindin dekadat e ardhshme mund të jetojnë deri në 150 vite​

1648117536387.png

Nga Tom Chivers

“inews.co.uk”


Kërkimi i pavdekësisë është përralla më e vjetër në botë. Është historia më e vjetër e shkruar e njohur nga historianët si Eposi i Gilgameshit, i shkruar për herë të parë në shkrimin kuneiform sumerian, rreth 4000 vjet më parë në atë që është Iraku i sotëm.

Në këtë vepër, mbreti Gilgamesh kërkon një bimë që do t’i jepte jetën e përjetshme. (Ai e gjen, por një gjarpër ia vjedh para se të mund ta përdorë). Shatërvani i Rinisë, Guri Filozofik, çdo qytetërim ka versionin e tij. Jeta e njeriut është e shkurtër. Plakja dhe vdekja vijnë shumë shpejt. Ndaj ne ëndërrojmë mënyra për t’i shmangur ato.

Megjithatë për herë të parë në historinë njerëzore, tani duket se po kuptojmë disa nga proceset e vërteta themelore të plakjes. Dhe më e pabesueshmja kemi një ide se si t’i ngadalësojmë ato, dhe ndoshta edhe t’i anulojmë fare këto procese.
Në dekadat e ardhshme, mund të zbulojmë mënyra që do t’i japin mundësinë njerëzve të jetojnë deri në ditëlindjen e tyre të 150-të, apo edhe më tej. Gati të gjitha sëmundjet që na prekin, nga kanceri tek demenca, sëmundjet e zemrës, madje edhe shumë sëmundje infektive si Covid-19 apo gripi, janë të lidhura shumë me moshën tonë.

Një metodë efektive për të ndalur plakjen, do të zhdukte jo pak vuajtje për njeriun. “Do të ishte një budallallëk të vihet bast se ato nuk do të funksionojnë gjatë 50 viteve të ardhshme”- thotë Endrju Still, një biolog kompjuterik. Multimiliarderi Xhef Bezos, themeluesi i kompanisë “Amazon”, ka investuar shuma të mëdha parash në kompaninë bioteknike “Altos”, të fokusuar në “përtëritjen qelizore”.
Kohët e fundit, një studim i botuar në revistën “Nature Aging”, zbuloi se duke ç’aktivizuar disa gjene tek minjtë, që janë përgjegjëse për procesin e plakjes, procesi i plakjes mund të shtyhet nëkohë pa sjellë ndonjë efekt anësor të dëmshëm. Një studim tjetër i botuar në “Aging Cell”, zbuloi diçka të ngjashme. Studime të tjera gjatë viteve të fundit, e kanë zgjatur jetëgjatësinë tek lloje të ndryshme kafshësh, nga krimbat e rrumbullakët deri tek mizat e frutave dhe minjtë.
Studiuesit u morën me 2 gjëra kryesore. Së pari i nxitën qelizat të rikthehen në një formë të mëparshme. Qelizat në trupin tonë, përveç spermës dhe vezëve tona, të gjitha kanë të njëjtin gjenom. ADN-ja në qelizat e veshkave është e njëjta me ADN e qelizave të trurit apo të lëkurës.

Por secila prej tyre bën gjëra të ndryshme. Pra çdo qelizë aktivizon vetëm një grup të caktuar gjenesh.
Por të gjitha qelizat në trupin tonë, burojnë fillimisht nga vetëm dy qeliza, sperma dhe veza që na krijuan. Për të prodhuar të gjitha këto qindra lloje të ndryshme qelizash, në fillim të zhvillimit trupat tanë kishin shumë qeliza jo të specializuara, të cilat kishin potencialin të bëheshin çdo gjë: pjesë e një veshke, e një truri apo e lëkurës suaj.

Këto “qeliza staminale pluripotente”, janë mënyra se si trupi ynë i bën pjesët e tij të ndryshme të specializuara. Rreth 15 vjet më parë, shkencëtarët zbuluan se mund të udhëzonin aktivizimin e një grupi të caktuar prej 4 gjenesh në çdo qelizë. Kjo mund të bënte që kjo qelizë të rikthehej në një qelizë staminale. Gjenet njihen si “faktorët Yamanaka”, sipas emrit të biologes japoneze fituese e çmimit Nobel, Shinya Yamanaka.

Një tjetër zbulim i kohëve të fundit është se qelizat kanë një orë biologjike shumë të saktë brenda tyre. ADN-ja përbëhet nga një zinxhir i gjatë molekulash më të vogla të njohura si nukleotide. Atoi janë 4: C (citozina), A (adenina), G (guanina) dhe T (timina). I gjithë kompleksiteti i jetës vjen nga renditja e tyre në renditje të ndryshme.

Ndërsa rritemi, C-të ndryshojnë pak, pasi u ngjitet një shënues i vogël kimik, i quajtur grupi metil. Leximi i numrit të citozinave në gjenomin tuaj që janë bërë metiluar, tregon moshën e dikujt brenda 3 viteve. Uolf Reik, studiues në Institutin Babraham të Kembrixhit, më tha disa vite më parë se ky është biomarkeri më i saktë i plakjes që njohim deri më sot.

Dhe aktivizimi i “faktorëve Yamanaka” në një qelizë për një kohë të gjatë, e rikthen në zero orën e metilimit. Por ajo që nuk është ende e qartë, të paktën, deri tani është nëse metilimi përfaqëson shkakun e plakjes, apo është thjesht një lexim i tij. Por sido që të jetë, ai është i dobishëm.
Ajo që bënë studiuesit e studimit të botar në “Nature Aging” ishte inxhinierimi gjenetik i minjve, në mënyrë që “faktorët Yamanaka” të aktivizoheshin vetëm në prani të një ilaçi të veçantë, antibiotikut doksiciklinë. Më pas ata u përpoqën t’i jepnin minjve doksiciklinë në doza tëndryshme.

Ata zbuluan se minjtë, të cilëve iu dha ilaçi në mënyrë sporadike – ndoshta për 2 herë në çdo shtatë ditë – ora e tyre e metilimit të ADN-së shkoi prapa. Pra ishin bërë më të rinj. Ëndrra është realizimi i kësaj ndërhyrjeje tek njerëzit. Dhe këtu ka disa pengesa.

Së pari, minjtë mbi të cilët janë kryer këto studime janë të modifikuar gjenetikisht. “Inxhinieria gjenetike është etikisht shumë e vështirë tek njerëzit”- thotë profesor Jurg Bahler, gjenetist në Institutin e Kolegjit Universitar të Londrës mbi plakjen e shëndetshme. Edhe nëse do të lejohej, redaktimi i ADN-së së embrionit nuk do të ishte i dobishëm për njerëzit që janë gjallë sot.

Por kjo nuk është një sfidë e pakapërcyeshme. Vitet e fundit, zhvillimi i “terapisë gjenetike” u ka dhënë shpresë të sëmurëve nga sëmundjet gjenetike, duke modifikuar kodin gjenetik në qelizat e tyre. Ky proces është shumë më i vështirë, pasi kërkon redaktimin e ADN-së jo në 1 apo 2 qeliza, por në miliona ose miliarda, duke përdorur një virus për të futur kodin e ri në qeliza.

Por po funksionon. Njerëzit janë trajtuar për anemi drapërocitare, verbëri kongjenitale dhe sëmundje të tjera të tmerrshme.
bota.al
 
Top