Gratë në media ngacmohen seksualisht dhe paguhen më pak se burrat

grateee.jpg
Gjinia luan rol në shkeljen e të drejtave të punës së gazetarëve, ndërkohë që shumë prej tyre ngacmohen seksualisht në vendin e punës, fyhen përmes gjuhës së përdorur apo paguhen më pak. Këto janë çfarë vërehen mes të tjerash në një studim të fundit të bërë publik nga fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, ku sillen shembuj konkretë të rasteve ku shkelen të drejtat e grave në media.

Ngacmimi seksual

Në studimin e quajtur “Të ndryshosh narrativën për gratë në media- Vështrim i dimensioneve të ndryshme të diskriminimit me bazë gjinore në media” vërehet se gratë janë shpesh viktima të ngacmimit seksual në ambientin e punës, çka ndodh edhe sepse kryesisht punëdhënësit janë burra, të cilët shfrytëzojnë pushtetin e tyre.

Kur u pyetën për këtë temë, 25 % e gazetareve të anketuara, u shprehën se ndihen nën trysni prej eprorëve burra. Ndërkohë 31% e tyre u shprehën se njohin raste ku koleget e tyre janë ngacmuar seksualisht në ambientet e punës.

Edhe pse nuk e pranojnë me zë të lartë, mungesa e politikave të qarta kundër diskriminimit gjinor dhe ngacmimit seksual në kompanitë mediatike, flet për një mosdëshirë dhe vullnet nga ana e tyre për ta trajtuar seriozisht problemin.

“Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, detyron çdo sipërmarrje të ketë politika kundër diskriminimit dhe hallka të raportimit të incidenteve, por kompanitë shqipare të mediave shquhen për një organizim vertikal të monopolizuar të punës, që zbret nga pronari tek punonjësi, duke u lënë pak rol drejtorive të burimeve njerëzore, të cilat janë ende në konsolidim e sipër.”,- vërehet mes të tjerash në raport, ndërsa sillet në vëmendje edhe lëvizja “Me too”.

“Edhe fakti që lëvizja Me too pati një jehonë të vakët në Shqipëri, tregon se ngacmimi seksual në Shqipëri mbetet një temë tabu në përgjithësi dhe sektori i medias nuk përbën përjashtim. Vetëm tre programe televizive u organizuan asokohe për të folur për këtë çështje dhe sërish shembujt u dhanë dhe u kërkuan në sektorin e kinemasë, për analogji me Hollivudin, pa guxuar të hapet diskutimi për sektorin e medias. Edhe vetë Unioni i Gazetarëve, si organizata më e madhe për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në vend, nuk e pranon se ngacmimi seksual është një problem në vendin e punës, duke pohuar se këto janë raste sporadike dhe minimale”, theksohet në hulumtim.

Gjuhë fyese dhe degraduese

Gjuha fyese dhe degraduese në mjedisin e punës, është raportuar gjithashtu si një problem më i madh për gazetaret sesa për kolegët e tyre burra dhe djem. 44% e gazetareve të anketuara u shprehën se punëdhënësi iu flet në gjuhë fyese. Ndërkohë, vetëm 16.7% e gazetarëve të anketuar raportuan të njëjtën gjë. Gjithashtu, duhet theksuar se gratë përjetojnë më keq shkeljet që iu bëhen gazetarëve, pavarësisht gjinisë. Për shembull oraret e zgjatura, apo puna në orët e vona, shpesh kanë një peshë më të madhe për gratë, në ato raste kur atyre iu duhet të përmbushin pritshmëritë familjare të një shoqërie me mentalitet patriarkal, që e inkurajon rolin e gruas si përgjegjëse për punët e shtëpisë. Studimi nënvizon se gjuha fyese/degraduese është vërejtur ndaj gazetareve edhe në komunikimin public, ndërsa merr si shembull që kreu i qeverisë Edi Rama është kritikuar për intimidimin e gazetarëve në debate dhe në raste të veçanta, kjo ka rënduar mbi gazetaret, duke vënë theksin në role të tjera të tyre, si p.sh. nëna.

“Nëpërmjet këtij trajtimi të gazetareve në debatet publike, u jepet një sinjal aspak i dobishëm trollsave të internetit, të cilët komentojnë pa etikë dhe me sulme të gjuhës së urrejtjes ndaj çdo gazetareje që përfshihet në debat. Në ndonjë rast, kjo gjuhë urrejtjeje manifestohet edhe me sulme në publik”, thuhet mes të tjerash në raport.

grafikuuu-808x550.jpg

Paga më të ulëta

Çështja e pagesave të ulëta është një problematikë që shoqëron sektorin e medias prej vitesh, pavarësisht gjinisë. Gazetarët ankohen se nuk paguhen në nivelin e punës së tyre, madje në rrethe, kjo pagesë bie edhe nën minimumin jetik ndonjëherë. Në këtë kuadër, çështja e pagave të pabarabarta për shkak të gjinisë, shoqërohet me një polemikë të vazhdueshme, pasi palët nuk bien dakord se dukuria ekziston.

Sipas studimit të fundit mbi “Të drejtat e gazetarëve në vendin e punës, KSHH, 2020”, vetëm 3.33% e të anketuarve mendojnë se burrat paguhen më shumë se gratë, kundrejt 30% që thonë se paguhen njëlloj. Megjithëse 81% e gazetareve shprehen se punojnë më shumë se 40 orë në javë, ato raportojnë të jenë më keq ekonomikisht se sa gazetarët burra. Kjo situatë ekonomike, i pengon gazetaret që t’i rifitojnë të drejtat e tyre gjyqësisht, sidomos në kushtet e një informaliteti të lartë të punës për shkak të mungesës së kontratave. Kështu, 68% e gazetareve të anketuara shprehen se nëse do të padisin punëdhënësin, situata e tyre ekonomike mund të përkeqësohet edhe më tepër. Menaxherët e mediave nuk e pranojnë që një gjë e tillë ndodh në institucionet e tyre. Çështja e pagave më të ulëta për gratë, reflektohet edhe në pagesën e lejes së lindjes, e cila në shumë raste nuk iu garantohet e plotë gazetareve. Edhe në rastet kur punëdhënësi ua njeh lejen e lindjes, duke qenë se rroga e tyre nuk deklarohet e plotë, shpërblimi që ato marrin është shumë më i vogël seç duhet të ishte, nëse punëdhënësi nuk do shkelte ligjin.

Përjashtimi nga pozicionet drejtuese

Në vitin 2017, Shqipëria u rendit poshtë mesatares së vendeve të BE-së në Indeksin e Barazisë Gjinore në fushën e pushtetit social të grave, që mat përfaqësimin në organet e bordeve organizative të kërkimeve shkencore. Si shembull u soll fakti se përfaqësimi i grave në Këshillin Drejtues të RTSH-së, ishte vetëm 9.1 % krahasuar me 36% që është në vendet e BE-së. Situata vazhdon të mbetet e tillë edhe në vitin 2020, madje është përkeqësuar, pasi në rinovimin e Këshillit Drejtues, Parlamenti votoi në shumicë absolute burra, duke e çuar në zero kuotën e grave në këtë Këshill. Kjo gjë ndodhi edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga organizatat e grave, si Gruaja Shqiptare në Audiovizual, AWA për respektim të ligjit të barazisë gjinore dhe ndryshim të dispozitave në Ligjin për Mediat Audiovizive.

Kupola drejtuese e RTSH-së gjithashtu është e përbërë në shumicë absolute nga burra – drejtori i përgjithshëm, zv/ drejtori, drejtori i njësisë së lajmeve, drejtori i njësisë së programeve dhe drejtori i njësisë teknike. Shifra të tjera të pozicioneve në departamente, tregojnë po ashtu për mbizotërim të burrave. Në sektorin privat të medias, e cila mban dhe peshën e luanit në pikëpamje të peshës së tregut mediatik, gazetaret vërejnë diskriminim në caktimin e pozicioneve të punës, ndërsa për burrat/djemtë, kjo gjë justifikohet. “Ka diskriminim gjinor, e shoh te pjesa e drejtuesve, kryeredaktorëve dhe drejtues mediash. Nuk e di pse mendojnë që vetëm burrat e bëjnë këtë pozicion, ka dhe burra të aftë, nuk them, por edhe zonja.”, shprehet një gazetare që punon në median vizive. Ndërkohë që kjo situatë pranohet edhe nga gazetarët meshkuj.

“Unë di një rast që një gazetë kërkonte një reporter vetëm djalë, sepse vajza do martohet dhe do ketë detyrime. Në televizion i preferojnë më shumë djemtë, po vajzat punojnë më shumë, por paguhen më pak. Reporteret e reja çohen më së shumti në vende të vështira se janë më të shkathëta, kemi vajza shumë të mira dhe kemi djem që janë me të mefshtë dhe megjithatë mbështetja ndaj djemve, është më e madhe.”, – shprehet një gazetar, i cili punon në median vizive.

Fakti është se në median shqiptare kryeredaktorët janë në një masë absolute burra, me përjashtim të disa rasteve.

Sipas Indeksit të Normave Sociale Gjinore të UNDP-së 2020, 91% e burrave dhe 86% e grave në 75 vende të botës që përfaqësojnë 85% të popullsisë, ka të paktën një paragjykim ndaj grave. “Mediat kanë një rol qendror për përfaqësimin e grave në shoqëri, nëpërmjet mënyrave të raportimit dhe pasqyrimit të rolit dhe jetës së tyre. Gratë gjithashtu përbëjnë të paktën gjysmën e audiencës potenciale të çdo media të zakonshme. Një media e pavarur, e lirë dhe efektive, ofron një platformë unike për të angazhuar qytetarët me idenë e arritjes dhe ruajtjes së një balance të barabartë gjinore brenda shoqërisë. Faktet e medias shqiptare provojnë se mediat mund të jenë si faktor negativ, ashtu edhe pozitiv: ato mund të jenë ose përçues të diskriminimit gjinor, duke paraqitur imazhe stereotipike dhe sensacionale të grave, ose mund të ofrojnë një mbulim të balancuar që fuqizon gratë, duke ekspozuar rastet e pabarazisë gjinore.”, nënvizohet në raport.

Natyrisht, gazetarët nuk mund të mbahen përgjegjësit e vetëm për gjallimin e pabarazisë gjinore. Gazetarët janë vetëm një pjesë e industrisë mediatike, që na përcjell imazhe të deformuara ose klishe të gruas dhe burrit, përfshirë reklamat, filmat artistikë, showbiz-i, programet zbavitëse, etj.

Përfaqësimi i ulët i grave dhe vajzave në lajme dhe në panele televizivë

Studimi i fundit tregoi se në emisionet televizive, rreth 73% e të ftuarve janë burra, ndërsa vetëm 27% e tyre janë gra. Studimi i realizuar nga organizata Pro-LGBT në bashkëpunim me ambasadën gjermane në Shqipëri, monitoroi 109 emisione televizive dhe 293 artikuj të medias së shkruar në periudhën mars-gusht 2020. Më herët, studime të tjera kanë konfirmuar të njëjtën prirje. Është shtuar larmia e profesioneve, ndërkohë që figura fikse e gazetares ka shërbyer për të mbyllur hendekun e madh me gjininë tjetër. Në përgjithësi, figura e gruas në programet talk show të aktualitetit, është në dimensionin profesional, jo e lidhur me persona të tjerë ose role gjinore tradicionale. Rrallë ftohen në statusin e nënës, motrës, bashkëshortes së dikujt. Këtu bëjnë përjashtim emisionet sportive, ku gruaja shihet më së shumti në rolin e tretë, si objekt seksual. Ka mungesë të theksuar të grave në debatet politike televizive, me përjashtime të rralla, që përforcojnë stereotipin e përhapur se “politika është punë për burra”.

“Përfshirja e gazetareve në programet talk shoë është një prirje, e cila zbut ndjeshëm mos-ekuilibrin e të ftuarve nga pikëpamja gjinore edhe në tema si ekonomia, siguria, drejtësia. Megjithatë është e rëndësishme që të kuptohet që edhe tema “të rënda” si ekonomia, kanë personalitete gra dhe vajza, të cilat janë ekonomiste, financiere apo analiste ekonomike që duhet të bëhen të dukshme, pasi deri tani edhe për ekonominë flasin në shumicë burrat. Seksualizimi i figurës së gruas përmes moderatoreve të emisioneve sportive, është shumë i pranishëm në televizionet shqiptare. Mungon një debat i mirëfilltë profesional lidhur me këtë temë. Është vënë re që kur autoret e programeve janë gra dhe vajza, ka një vëmendje të shtuar ndaj problematikës së barazisë gjinore”, vërehet në raport.

Gratë si viktima

Përqendrimi i lajmeve te kronika e zezë dhe politika, ka sjellë nga ana tjetër edhe mbizotërimin e figurave gra dhe vajza në pozicionin e viktimës. Kjo është një prirje globale pasi në shekullin e fundit gratë edhe pse janë përfaqësuar në median e lajmeve në raportin 1 me 5, ato gjenden më së shumti në histori krimi/dhune dhe personazhe VIP. Gratë janë shumë më pak të pranishme në lajmet politike. Ka pak profile/portrete grash në pozita të forta si drejtuese p.sh., police, ushtarake, ekonomiste, sipërmarrëse, gjë që përforcon idenë e statusit inferior të gruas në shoqëri. Televizionet i mëshojnë më shumë grave si nëna, amvisa, apo bashkëshorte, të dhëna pas modës, bukurisë dhe pamjes së jashtme. Kjo është një narrativë e shtrembëruar e realitetit pasi merret vetëm me sipërfaqen dhe atë që shkon keq, duke mos i lejuar gratë dhe vajzat në anën tjetër që të shohin modele pozitive të cilave duan tu ngjajnë. Një aksiomë e njohur thotë se ti nuk mund të bëhesh diçka që nuk e sheh. “Modelet e deformuara të gruas dhe vajzës në ekrane sidomos, po edhe në portale, të cilat janë kthyer në revista gati pornografike, po e dëmtojnë vetëimazhin e vajzave të reja dhe po i japin frymëmarrje dhunës me bazë gjinore. Është shumë e lehtë të kalohet në dhunë fizike pasi ti ke objektifikuar gruan dhe vajzën në ekrane dhe kulturë. Ndaj nëse duam t’i vëmë fre këtij fenomeni, duhet që të rregullojmë edhe paraqitjen e grave dhe vajzave në media, në respekt të dinjitetit dhe profesionalizimit”.

Gjuha e urrejtjes dhe mizogjenia

I njëjti monitorim 5-mujor i mediave televizive dhe atyre online në Shqipëri, zbuloi se gjuha e urrejtjes dhe e diskriminimit vazhdon të jetë e gjithëpërhapur dhe shënjestron më së shumti gratë dhe komunitetet e margjinalizuara. “Gratë përbëjnë grupin më të madh të prekur nga gjuha e urrejtjes/seksizmit/diskriminimit, ku në 68.9% të artikujve gazetareskë apo emisioneve, janë identifikuar raste të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj grave”, thuhet në raport. Gjuha e urrejtjes përkufizohet si gjuhë e cila mbulon të gjitha format e shprehjes të cilat shpërndajnë, nxisin, promovojnë, apo justifikojnë urrejtjen racore, ksenofobinë, anti-semitizmin, apo format e tjera të urrejtjes bazuar në intolerancë. Monitorimi tregon se kategoritë më të targetuara në Shqipëri janë gratë, të ndjekura nga komuniteti Rom dhe Egjiptian, komuniteti LGBT, komunitetet fetare si edhe personat me aftësi të kufizuar.

Tema
 
Shoqeri maskiliste eshte shoqeria shqiptare. E kane fobi qe ti drejtojne femrat apo qe femra te jete e fuqishme profesionalisht. Dhe kjo nuk ndosh vetem ne media por ne cdo fushe tjeter.

Edhe une e them me mend gjithmone ket qe eshte pak e piset por do e them lol

Inat na kane por marmalaten te na hane lool
 
Sa ne hall biehet me ju grate ju ngacmon pse na ngacmoni sju ngacmojm ska me burra kemi nge ndere wc e gjeje si me ja bo hallit
 
Fatkeqsisht grate jane kudo viktima. Grate nuk ngacmohen vetem ne Shqiperi por ne cdo shtet. Bota funksionon me 1 rend te tille qe bota mashkullore i sheh femrat me shume si objekt kenaqesie. 😤😣
 
Top