”Green pass” gati në 1 qershor, çfarë është certifikata për të udhëtuar lirisht

Një “green pass” për të udhëtuar pa makthin e Covid 19, mund të jetë çelësi për të shpëtuar pushimet verore. Komisioni i Bashkimit Europian, dëshiron ta nisë atë në 1 qershor dhe e gjithë bota po mendon për të. Certifikata e propozuar nga Brukseli është falas dhe përbëhet nga një kod QR që duhet të mbahet në “smartphone” ose të shtypet në letër, me tre alternativa për të provuar se mund të udhëtoni: duke iu nënshtruar vaksinimit, duke qenë testuar negativ me një tampon ose duke qenë i shëruar nga Covid- 19 dhe personi të ketë zhvilluar antitrupa.

gp.jpg
Sistemi, përmes aplikacionit, do të jetë gati në 1 qershor dhe shtetet europiane do të jenë në gjendje ta zbatojnë atë në mënyrë që të bëhet plotësisht funksional midis 27 vendeve në zonën e Shengenit në korrik.

Në fakt, megjithatë, më të paduruarit tashmë kanë filluar të lëvizin. Ky është rasti i Greqisë, vendi i parë që propozoi një certifikatë anti-Covid për të rinisur turizmin në ishujt e saj. Dhe në shkurt, ajo bëri një marrëveshje me Izraelin që lejon qytetarët tashmë të vaksinuar të udhëtojnë në të dy vendet. Athina njoftoi gjithashtu se do të mirëpresë të gjithë mbajtësit e një “karte të gjelbër” nga mesi i majit.

Megjithëse, pararendësi në Evropë ishte Islanda: leja është aktive që nga janari, që nga marsi, kufijtë janë hapur për udhëtarët nga e gjithë bota me certifikata. Britania e Madhe po ashtu është në rrugën e duhur.


Sa i përket Italisë, po mendohet për një leje kalimi për të lëvizur brenda rajoneve, ndërsa për udhëtimet jashtë vendit, orientimi është që të qëndrohet në përputhje me koordinimin e BE-së.

Danimarka ka nisur gjithashtu certifikatën e saj të vaksinimit, e cila do t’u lejojë qytetarëve të saj të shkojnë në një restorant ose kinema. Estonia po zhvillon aplikacionin e saj për ta lëshuar atë më vonë këtë muaj. Në pjesën tjetër të botës, “karta e gjelbër” po përcaktohet ose është tashmë një realitet. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po punojnë për të, në Nju Jork, një aplikacion është aktiv për të shkuar në teatër ose në ngjarje sportive. E njëjta gjë ndodh në Izrael, falë fushatës së shkëlqyeshme të vaksinimit. Kina ka kartën e saj dixhitale të shëndetit.

Çështja, tani është të kuptohet se çfarë do të ndodhë realisht kur të vijë vera dhe të ketë nisur sezoni veror. Në veçanti, duhet të përcaktohet nëse kodet e aplikacioneve individuale, do të lexohen kudo, ose nëse duhet të miratohet një standard i përbashkët teknologjik.

Një çështje tjetër, është dhe mënyra në të cilën të dhënat personale do të trajtohen për të ruajtur privatësinë. Por ka edhe rreziqe shoqërore: sipas OBSH-së, miratimi i “kartave të gjelbërta” mund të ushqejë pabarazitë, duke diskriminuar qytetarët e vendeve që nuk kanë mjete dhe lehtësira për t’u vaksinuar me të njëjtën shpejtësi si perëndimorët.

/BM
 
Top