Kam nevoje dhe une te mbahem diku!

dyew.JPG

rimon shi dhe shpirti më tretet nga pak
në çdo grimcë të qytetit,
bie mbi çdo trotuar,
mbi qoshe bari e mbi tjergulla.
ëndrrat më bëjnë të ndihem i vogël,
kam nevojë dhe unë të mbahem diku.

në çastin më delirant të vetmisë,
ku pashë që nuk qëndroja dot drejt,
i vura vetes një ëndërr kartoni te thembra,
siç bëjmë me dollapet a me frigoriferët
kur dhomat në shtëpitë tona janë në disnivel.

por kanë një të mirë këto ëndrra,
ato na tregojnë se nuk jemi ne të mangët,
por është terreni ku qëndrojmë
dhe në këtë mbrëmje shtatori
nuk kam ç'i them tjetër vetes
për ta mbajtur drejt.

në mëngjes, babai, në ëndërr, m'u ul te kryet
duke e ditur që më kish rrënuar humbja e tij,
u ngrita dhe e putha në të dyja faqet
e shtrëngova prej mallit dhe qava,
folëm gjatë, kush mund ta thotë sa zgjat një ëndërr,
mbaj mend si fund, mos ki merak i thash, pas teje
më rrënuan dhe humbje të tjera
dhe s'di përse kurrë nuk u mësova me to.

ësht' mbrëmje shtatori dhe jashtë rimon shi,
sonte unë jam thjesht një fëmijë i vogël,
kam prerë shiritin e gjatë të kësaj ëndrre,
kam bërë me të një lisharëse
dhe lëkundem.

**kjo poezi me erdhi kaq e ndjere dhe e goditur, sidomos per "ne/ata" qe perhere mbajme dikend, POR, po ashtu kemi nevoje te mbahemi diku!
 
Redaktimi i fundit:
Top