Katedralja "Ngjallja e Krishtit"

ilia spiro

Anëtar i ri
Liturgji Hyjnore madhështore me pjesëmarrje të jashtëzakonshme.

24 Qershori shënon edhe përvjetorin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjedhjen e Fortlumturisë së Tij Anastasit si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.
24 qershori u kthye në një ditë tepër të veçantë. E kremtja e Lindjes së Shën Joan Prodhromit shënon edhe përvjetorin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që nisi me zgjedhjen e Fortlumturisë së Tij Anastasit si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Këtë vit u mbushën plot dy dekada nga kjo nga ngjarje historike jo vetëm për orthodhoksët e Shqipërisë, dhe sigurisht u kremtua ashtu siç i takonte, me finalizimin një nga ëndrrave më të mëdha të Kryepiskopit Anastas, që është edhe një kurorëzim i jashtëzakonshëm i veprës së mrekullueshme 20-vjeçare – rikthimin e Katedrales Orthodhokse në qendër të Kryeqytetit.
Dita nisi me Shërbesën e Thiraniksjes, hapjes së dyerve të Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit”. Mijëra besimtarë u mblodhën me përkushtim, por edhe me padurimin për të parë këtë vepër madhështore, që zbukuron e nderon kryeqytetin dhe gjithë vendin, të cilën Fortlumturia e Tij ua dhuronte në këtë përvjetor. Dhe hapja e dyerve të mrekullueshme të bronzit ishte sikur hapeshin dyert e qiellit, siç do të thoshte më vonë Imzot Nikoni, me shfaqjen e Pantokratorit madhështor, realizuar i gjithi në mozaik.
Në Liturgjinë e parë Hyjnore, bashkëmeshuan Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, Kryepiskopi i Amerikës, Hirësia e Tij Dhimitri dhe Mitropoliti i Filadelfias Melitoni, Episkopi i Bostoni dhe i Arqidioqezës shqiptare Imzot Nikoni, anëtarë të Sinodit, si dhe klerikë nga të gjitha dioqezat.
Në Dhoksologjinë e kryer me këtë rast, në orën 10.30, nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Znj. Jozefina Topalli, Ministrat Pollo, Bumçi e Ksera, kryetari i PBDNJ Z. Dule, përfaqësues diplomatikë etj. Ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare.
Mbas Dhoksologjisë u mbajtën edhe fjalimet e rastit. Hirësia e Tij Melitoni lexoi përshëndetjen e Patriarkut Ekumenik Vartholomeut. Pastaj përshëndetën Kryepiskopi i Amerikës Dhimitri dhe Episkopi i Bostonit Nikoni. Në emër të Sinodit të Shenjtë përshëndeti në këtë ditë të shënuar Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Joani, i cili foli për veprën e Kryepiskopit Anastas në këto dy dekada, duke u ndalur veçanërisht tek ndjenja e mirënjohjes së thellë që duhet të tregojë çdokush për çdo gjë që ai ka bërë për orthodhoksët dhe të gjithë vendin tonë.


Pas Liturgjisë Hyjnore u zhvillua dreka e rastit në Hotel “Rogner”


Në orën 18.00, pati një një koncert festiv në sallën e re, në kompleksin e Katedrales, e cila u mbush përtej kapacitetit të saj. Në program kishte pjesë nga Orkestra e Teatrit të Operës dhe baletit, drejtuar nga maestro Zhani Ciko, pjesë të kënduara nga Kori i Katedrales, nën drejtimin e maestro Milto Vako, nga Kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli, kori i Akademisë Teologjike, i të rinjve të Beratit, grupi artistik i fëmijëve të Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, këngë e valle nga grupi artistik i rinjve të Korçës dhe Librazhdit, Grupi i të rinjve Këlcyrës dhe Gjirokastrës dhe nga kori dhe orkestrina e Radios “Ngjallja”.
Në fund u shfaq një film dokumentar me rastin e 20- vjetorit të zgjedhjes së Kryepiskopit Anastas, ku jepej përmbledhtazi gjithë vepra e tij, që kalon përtej kufijve të mrekullisë.
Në fund të gjithë të pranishmit kënduan himnin që e ka shoqëruar në çdo çast veprën e Kryepiskopit që nga dita e mbërritjes, 21 vjet më parë: “Krishti u Ngjall së vdekurësh!...”
 
Top