Mbi dhunën, kënaqësinë dhe frustrimin ekzistencial

Viktor-Frankl-770x515.jpeg
Shtysat për dhunë dhe kënaqësi, janë pasojë e frustrimit ekzistencial

(Pjesë nga intervista me psikiatrit dhe filozofin, Viktor Frankl)

Përshtati: Ardian Batusha


Viktor Frankl:
Ndjenja e pakuptimësisë, apo për ta thënë më konkretisht, njeriu që dëshpërohet mbi pakuptimësinë e jetës së vet, kursesi nuk mund të konsiderohet si një qenie neurotike. Pra, pakuptimësia nuk është një neurozë. Përpjekja për të kërkuar një kuptimi në jetë, apo thjeshtë, edhe të dyshuarit se ekziston një kuptim i caktuar në jetë, është më shumë një arritje njerëzore, sesa një simptomë neurotike. Asnjë kafshë nuk do ta shtronte kurrë pyetjen, nëse ekzistenca e saj ka një kuptim, por njeriu po, dhe madje këtë aftësi të njeriut fare lehtë mund ta konsiderojmë si një privilegj. Kjo paraqet një prerogative (aftësi speciale) të të riut, që guxon të sfidojë kuptimin e jetës, në vend se ta marrë kuptimin e jetës si diçka të gatshme (absolute dhe paraprake). Këtë aftësi unike të njeriut, për ta dyshuar kuptimin e ekzistencës, mund ta konsiderojmë si një ndershmëri dhe sinqeritet intelektual dhe jo një sëmundje neurotike.

Intervistuesi: Jam kurreshtar të di më shumë mbi idenë tuaj, se njeriu nuk është qenie e cila në thelb tërhiqet nga shtysat e brendshme apo instikti?

Frankl: “Karakteristikë e njeriut neurotik, është, shtysa për të hequr dorë nga liria e zgjedhjes. Kur njeriu heq dorë nga kjo liri themelore, ai helmon veten duke kërkuar kënaqësi. Njeriu nuk është qenie, që në thelbin e vet, e kërkon kënaqësinë apo fuqinë (pushtetin). ‘Vullneti për fuqi’ dhe ‘vullneti për kënaqësi’, nuk janë shtysat primare, origjinale të njeriut. Njeriu në thelb, kërkon kuptimin. Ai, fillimisht, është i shqetësuar për kuptimin e jetës, për të jetuar një jetë të mbushur me kuptim, por nëse ky kuptim nuk realizohet, njeriu përjeton ndjenjën e frustrimit ekzistencial. Dhe tash, na shfaqet ajo, që une e quaj “neuroza noogjenike”, apo thënë ndryshe, “ndjenja e pakuptimësisë (boshllëkut)”

Intervistuesi: Si mund të shpjegohet rritja e dhunës në ditët tona ?

Frankl: Shiko, kur njeriu është i pushtuar nga ndjenja e pakuptimësisë, ai do të bëj veprime të pakuptimta. Njeriu lëshohet në krim dhe dhunë sepse vullneti për fuqi tek ai e humb kontrollin. Vullneti për fuqi dhe vullneti për kënaqësi, janë zëvendësues të frustrimit ekzistencial apo të mungesës së kuptimit. Vullneti për kuptim, apo nevoja për ti dhënë kuptim jetës është shtysa primare e njeriut. Vetëm njeriu i cili ndihet i frustruar ekzistencialisht, mund të përfundojë duke kërkuar fuqinë apo kënaqësinë. Forma më brutale e nevojës për fuqi është dhuna dhe në anën tjetër, kërkesa për kënaqësi, e ashtuquajtura “kërkimi i lumturisë”, jo vetëm që paraqet një kontradiktë tek njeriu, por na rezulton edhe vet-shkatërruese. Eshtëv vet ky kërkim i lumturisë apo i kënaqësisë që e pamundëson lumturinë, sepse lumturia mund të kuptohet vetëm si produkt dytësor, apo efekt anësor i një jetë të mbushur me kuptim, konkretisht, të dashuruarit e jetës apo të dashuruarit e qenies tjetër.

Virtual Sophists
 
Top