Mbreteresha e fundit e shqiptareve

E3

Anëtar i Nderuar
Emri: Geraldine
Mbiemri: Apony
Ditëlindja: 6 gusht 1915, ora 15.25
Vendlindja: Gjenevë
Atësia: konti Xhula nga Hungaria
Amësia: Gledis Stjuart, nje amerikane me prejardhje skoceze dhe irlandeze
Gjatësia trupore: 1.75
Të vecanta: sytë ngjyrë bojëqielli
Edukimi: 1929 mbaron liceun ne Budapest, fituese e nje konkursi kërcimi ne vals në një ballo
Gjuhët që flet: frëngjisht, shqip, hungarisht, gjermanisht, anglisht
Familja: Martuar me mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogu, kurorëzuar më 28 prill të vitit 1938.
Ka të birin Lekën, të lindur më 5 prill të vitit 1939.
6 prill 1939 largohet nga Shqiperia dhe ndalet në Greqi, Turqi, Francë, Londër, Kajro, Aleksandri.
9 prill 1961 humb burrin në Paris.
28 qershor 2002, kthehet ne Shqipëri pas 63 vjetesh ne ekzil 21 tetor 2002 vdes në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pas katër atakeve të njëpasnjëshme në zemër Geraldina sheh me habi pas bregdetit të sheshtë me rërë, një varg malesh, masa e rreptë e të cilave afrohet sa hap e mbyll sytë. Automobilat e rrallë që kalojnë rrugës janë të gjithë të tipit me cilindra të mëdhenj. Ata që ndjekin rrugën janë kryesisht fshatarë me gomerë, me pushkë në krahëqafë apo me revolverë të rëndë në brez, indiferentë ndaj kalimit të të huajve. Shpeshherë kanë vënë përpara gratë e tyre që ecin në këmbë, duke mbajtur mbi kurriz barrë të ndryshme. Asgjë, as në qëndrim, as në veshjen e këtyre malësorëve, nuk të tregon se po i afrohesh një qyteti. Aq më pak një kryeqyteti... E megjithatë, Tirana thërret gjeneral Gizi, me gishtin treguar nga kodrinat.

Kështu e njohu së pari Tiranën Tulipani i Bardhë i Budapestit, siç e quajtën atëkohë Geraldinën, 21 vjeçare. Rrëfyer nga vetë Geraldine Apony, këto përshtypje të mësipërme janë botuar së pari në librin e Josephine Dedet, Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve. Ajo nuk mundi të jetonte më shumë se një vit në Shqipëri, sepse më 6 prill 1939 , kur kishte vetëm dy ditë që i kishte lindur trashëgimtari, u detyrua që të largohej nga Shqipëria për në Greqi. Shkaku i largimit të familjes mbretërore nga atdheu ishte pushtimi italian. Mbretëresha Geraldinë së bashku me djalin dy ditësh dhe njerëzit që e shoqëronin, më 6 prill 1939 kaloi kufirin dhe hyri në territorin grek, duke u vendosur në qytetin e Follorinës. Një ditë më pas u bashkua me ta edhe Mbreti, Ahmet Zogu. Mbreti Jorgos i Greqisë duke mos dashur të hynte në konflikte me Italinë , i sugjeroi Mbretit Zog që të vazhdonte udhëtimin e tij më në lindje, ku ai do të ishte më i qetë dhe do të kishte ndihmën e pakursyer të miqve të tij të vjetër. Dëshmitë historike e tregojnë kështu largimin e detyruar të Geraldinës nga Shqipëria. 63 vjet më vonë, ajo dhe bashkë me të, familja mbretërore, i dhanë fund mërgimit të gjatë nëpër botë. Një avion Boing 727 i kompanisë Million Air, transportoi nga aeroporti Lanceria i Johanesburgut, Nënën Mbretëreshë Geraldina, trashëgimtarin e fronit Leka Zogu, pjesëtarët e familjes mbretërore, stafin e tyre të ngushtë dhe një pjesë të personelit të shërbimit. Geraldina, mbretëresha e parë e shtetit modern shqiptar dhe me sa duket edhe e fundit mbretëreshë e shqiptarëve, mesditën e 28 qershorit të vitit 2002, u rikthye në Tiranë.

Festoi ditëlindjen e saj të dytë në Shqipëri, 87- vjetorin e lindjes, më 6 gusht të 1915-ës. Ceremonia e ditëlindjes qe private, por dhuratat e lulet mbushën vilën katër pranë ambasadës italiane, ku u vendos fillimisht familja mbretërore e kthyer në atdhe. Ndërkohë që gruaja, tanimë 87-vjeçare, në kokë, prej kohësh, bluante idenë e një libri kujtimesh për Shqipërinë. Sipas njerëzve të afërt të oborrit ajo prej kohësh mbante shënime, shkruante kujtime, të cilat kishte planifikuar që një ditë ti botonte. Planet e saj mbetën në mes, zemra e saj pushoi së rrahuri në orën 22.30 të 21 tetorit 2002. Katër atake në zemër qenë shumë për 87 vjeçaren e cila që prej 20 vjetëve furnizonte me oksigjen mushkëritë e saj katër orë në ditë. U nda nga jeta në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, ku mjekët i qëndruan tek koka përreth një javë, pa mundur ta risillnin në jetë natën e 21 tetorit as me elektroshok. Në gjendjen e saj nuk qe i mundur as ndonjë dërgim urgjent jashtë shtetit. Përfundimisht, nëna mbretëreshë dha shpirtin dhe frymën e fundit në atdheun e burrit të saj, në vendin që e bëri mbretëreshë të shqiptarëve, mes njerëzve që përcaktuan rrjedhën e fatit të saj, në tokën ku qe e lumtur vetëm një vit, tek e cila u kthye përmallshëm pas 63 vjetësh peripeci nëpër botë, dheu i të cilës, tanimë, e ka mbuluar përgjithmonë. Veç planeve të një libri për shqiptarët, plane që iu prenë në mes, ajo ka lënë pas edhe një peng tjetër. Eshtrat e të shoqit, Ahmet Zogut, që prehen ende jashtë Shqipërisë dhe për kthimin e tyre në atdhe, duket se nuk mjafton thjesht vullneti familjar.

Kush qe Geraldine Apony
E lindur nga prinder me gjak mbretëror, Geraldina ishte femija e parë e kontit hungarez Xhula me konteshën amerikane, Gledin Stjuart, që kishte rrënjë skoceze dhe irlandeze. Trashëgimia aristokrate dhe edukimi arsimor formuan Geraldinën. Më të plotë e bënte figurën e saj sharmi natyror. Në moshën 17 vjeçare ishte 1.75 e gjatë, me një fytyrë ëngjëllore dhe me sy të kaltër. Nuk ishin të paktë ata që e cilësonin si një nga vajzat më të bukura të Budapestit. Edhe sot, në enciklopedinë e princeshave evropiane, Geraldina njihet si trëndafili i bardhë i kryeqytetit hungarez. Te gjitha cilësite e nxjerra ne pah ne ate kohe, zgjuan tek mbreti Ahmet Zogu dëshirën për të vëne kurorë me të. Ishte viti 1938 kur monarku 42-vjecar qe vënë në kërkim të bashkëshortes së ardhshme. Por nga ana tjeter në jeten e Geraldines ndodhi diçka qe ia ngacmoi edhe më shumë dëshirën për tu bërë mbretëreshë. Ishte viti 1937, kur magjistarja hungareze i pati parathënë se do të bëhej mbretereshë, por më pas erërat do ta shtyjne ne tallaze për tëre jetën. Dhe, ne fakt, profecia e saj duket se ka dalë, pavaresisht se Geraldina pelqeu vetem pjesen e pare te parashikimit. Më pas nje foto e shtënë në dore nga ambasadori yne ne Vjene, beri qe Zogu te niste kerkimet per kete shëmbëlltyrë mbretëreshe. Dhe takimi i pare u realizua ne Tirane, kur diplomatët shqiptarë i prezantuan mbretit ne nje ballo vajzen 21-vjecare, per te cilen gazetaret shkruanin se ishin te dashuruar te gjithe. Këmbët e mia duket se po fundoseshin nën mua dhe nuk shikoja më asgjë, thjesht duke kërkuar rrugën e pafund..., ia ka përshkruar ajo më pas emocionet e takimit të parë me mbretin Zog, biografes së vet, Josephine Dedet. Ne kujtimet e saj Geraldina eshte shprehur se ishte dashuri me shikim te pare dhe tregon se ne momentin kur do të trokiste goten me mbretin, dora iu drodh dhe gota i ra ne dysheme.

Më 28 prill te vitit 1938 në një ceremoni mondane, me pjesemarrjen e dhjetëra diplomatëve të huaj, deri tek ministri i Jashtem italian Galeazzo Ciano, në Tiranë, u krye martesa mes Ahmet Zogut dhe Geraldina Apony. Edhe nje fakt tjeter do ti shtonte notat e rendesise kesaj ceremonie krejt te rralle. Ne nje kohe kur media ne bote ishte ende e pazhvilluar, dasmen e monarkëve shqiptare e ndoqën 80 gazetarë vendas dhe të huaj. Por, mbreterimi i vajzes se bukur hungareze ishte parathënë të ishte plot peripecira. Ajo qëndroi në fron vetëm 12 muaj, por, edhe pse kaq pak, ajo arriti të fitonte simpatine dhe zemrat e nje populli. Me 5 prill ajo lindi Leken, trashegimtarin e fronit, por që vetem pas dy ditesh bashke me të do te detyrohej te linte Shqiperine, per te nisur nje kalvar udhetimesh, vuajtjesh e pse jo nje persekutim, i cili vinte pikerisht nga vendi ku mbreteroi. Italia fashiste pushtoi Shqiperine dhe nje ultimatum i vene ndaj Zogut e detyroi ate te largohej. Por, perpjekjet e Ahmetit në mërgim nuk rreshtën asnjëherë për tu rikthyer në pushtet. Nderkohë që gruaja e tij ishte krahu i djathtë, mbështetësja dhe miku i mirë i tij në të gjitha vështirësite. Greqia, Franca, Anglia, Egjipti, ShBA-ja, Spanja dhe se fundi Afrika e Jugut kane qene vendet, ne te cilat familja mbreterore udhetoi dhe jetoi me te vetmen enderr rikthimin ne Shqiperi.

Ne vitin 1961 Geraldina humbi burrin, Ahmetin, me te cilin jetoi plot 23 vjet. Gjate viteve ne mergim, pushteti i diktatorit Hoxha e denigroi figuren e Ahmet Zogut si nje njeri qe tradhtoi atdheun, vodhi thesarin, qe u veteshpall mbret e te tjera cilesime negative të pa argumentuara. Ndërsa për Geraldinen ndodhi me e çuditshmja. Emri i saj nuk u permend nga askush e per te nuk u shkrua asnje fjalë në historiografinë shqiptare. Një pjese e historianeve moderne e cilësojne këtë harresë një lloj arme hakmarrëse, ndërsa te tjere e lidhin me mosgjetjen e asnje të mete në figuren e saj. Qe nga Johanezburgu gruaja e bukur nisi tu dergoje dhjetera mesazhe shqiptareve, te komunikoje me personalitete dhe me gazetare derisa te vinte 28 qershori i vitit 2002, dite kur mberriti ne Shqiperi. Duke plotësuar kështu ëndrrën e largët të burrit, fatin e të cilit ndoqi tërë jetën.

Ditëlindja e fundit në Tiranë
Nëse ka marrë si dhuratë për 87 -vjetorin shumë bizhuteri e stoli, një dhuratë kishte vite që i mungonte. Dhurata nga ato që dinte ti dhuronte asaj vetëm mbreti, Ahmet Zogu. Sa ishte gjallë, sipas tregimeve të vetë nënës Geraldinë, burri i saj, Ahmet Zogu, nuk ka harruar asnjëherë ti bëjë dhurata për ditëlindje. Ai kishte porositur njerëzit e tij që ta kujtonin për çdo vit, dy ditë përpara ditëlindjes së Geraldinës, në mënyrë që të mos harronte kurrë ti përgatiste asaj ndonjë surprizë për ditëlindje. Por ato që mbreti kishte më shumë dëshirë ti dhuronte asaj, ishin bizhuteritë dhe stolitë e shtrenjta. Nuk i kanë munguar të tilla dhurata luksi Geraldinës as kur familja mbretërore nuk ishte në ditët e saj më të mira. Kështu, mbreti Zog porosiste argjendarë dhe i ftonte në shtëpinë e tij ku zgjidhte dhuratën e vet për Geraldinën, ndërsa i kërkonte kësaj që edhe ajo të zgjidhte mandej stolitë që i pëlqenin më tepër të kishte. Një histori të veçantë kanë edhe dhuratat që nëna Geraldinë i ka bërë Muzeut tonë Kombëtar. Do të dhuroj sendet e mia më të çmuara për Muzeun Kombëtar Shqiptar. Ja, ky është portofoli që mbante Mbreti, aty Ai mbante edhe këtë fotografinë time të vogël... Ndërsa ky sendi metalik është këllëfi i shkrepses që përdorte për të ndezur cigaret e tij... Se atëherë nuk kishte sende si këto të sotmet për duhan... Ndërsa kjo është një miniaturë e mrekullueshme e Mbretit. Ka qenë edhe një tjetër për mua, që na i ka bërë një piktor në Tiranë. Ne i mbanim bashkë këto, por ajo e imja nuk e di se ku ka humbur! Ndoshta në Liverpul, gjatë bombardimeve... Miniaturën e Mbretit e kam ruajtur se e mbaja me vete,- është shprehur ajo në një bisedë me Fluturak Gërmenjin.

Vetëm para disa muajsh Geraldina festoi në Tiranë në një ceremony intime ditëlindjen e saj të 87-të. Ishte festa e dytë e saj që kremtohej në Shqipëri pas asaj të 6 gushtit 1938. Në albumet fotografike të nënës mbretëreshë janë fiksuar momentet e saj të para në Shqipëri, nga mbrëmja e saj e parë e takimit me mbretin Zog më 31 dhjetor 1937, në natën e Vitit të Ri, pastaj në ballon e famshme vjetore të ushtrisë, ku Mbreti vallëzoi vetëm me të, duke e hapur ballon të dy, vazhdojnë me shpalljen e fejesës më 30 janar 1938. Atë ditë,- kujton ajo, - përshëndeta për herë të parë shqiptarçe, duke vënë dorën në zemër, çka do të thotë Ju kam në zemrën time!. Por si befasinë e saj më të madhe ajo kujton vizitën në Burgajet në fillim të marsit. Ajo udhëtoi bashkë me mbretin që herët dhe arritën në fshatin e famshëm të familjes Zogu, me zanafillë nga thellësitë e shekujve. Ditët e saj në Shqipëri, nëna mbretëreshë Geraldinë, i kujton me një mall të madh gjithmonë. Ajo kujton udhëtimet me mbretin Zog në Qafë-Shtamë, pjesë brilante e Shqipërisë së Veriut. Për të janë tërësisht të gjalla udhëtimet me kuaj dhe mushka nëpër shtigjet malore, mes bukurive legjendare dhe njerëzve të mrekullueshëm. Asaj i kujtohen veçanërisht jehonat e këmbanave të kishave dhe njëqind breshëritë e topave që përshëndetën martesën e saj me mbretin e Shqiptarëve, Zogu i Parë... Ajo kujton me mall princeshat, zavallet siç e përdor fjalën në dialektin e Matit, të cilat e shoqëruan në odisenë e gjatë të mërgimit për më se njëzet vjet... Ajo nuk ka harruar as udhëtimin me jaht në Jug të Shqipërisë. Ishte një nga ato mrekulli, që nuk mund ti shohësh shpesh, saqë edhe habitesh, kur i sheh për herë të parë... Ishte gushti i vitit 1938 kur qëndruam përballë Sarandës. Një peisazh i pikuar nga një penë gjeniu..., - kujton ajo, sipas transmetimeve që ka bërë në librin e tij, Familja Mbretërore Shqiptare, Fluturak Gërmenji, libër i botuar në mars të vitit 2002.

Kadare: Geraldina, pjesë e bukur e historisë shqiptare
Geraldina ka qenë dhe mbetet mbretëresha e vetme e shqiptarëve. Në kemi patur shumë gjëra të vërteta e shumë gjëra të rreme. Geraldina ka qenë dhe mbetet mbretëreshë e vërtetë, e nderuar në gjithë Evropën. Geraldina si e tillë është pjesë e historisë kombëtare. Dhe jo vetëm pjesë por pjesë e bukur e historisë shqiptare. Dhe injorimi i Televizionit Shqiptar ndaj vdekjes së nënës mbretëreshë mua më la një shije të hidhur. Une besoj se edhe vetë Berluskonit po tia shpjegonin situatën, kjo do ti linte një shije të hidhur. ثshtë një lloj fyerjeje për kombin shqiptar. Kjo është edhe shpërfillje, - ka komentuar Kadare në takimin e organizuar me të rinj të një shkolle të mesme ekonomike të Tiranës. Ardhja juaj ne Atdhe nuk eshte vetem nje paqtim, por tregon se, ka diçka më të shenjtë për të gjithë ne, që është Shqipëria. Kjo është pjesa jonë enterne, - tha shkrimtari yne i shquar Ismail Kadare. - Keshtu e vleresoj ardhjen e Familjes Mbreterore Shqiptare: ne kemi shume nevoje per simbolet tona kombetare. Me shembullin Tuaj te rikthimit ne atdhe, u tregoni te gjithe shqiptareve se mund te bejme me shume, te gjithe bashke, per Shqiperine, shtëpinë tonë të madhe e të përjetshme. Kështu është shprehur shkrimtari gjatë një takimi me familjen mbretërore pas mbërritjes së tyre në atdhe, më 28 qershor të këtij viti.

Moisiu: Shuarja e Geraldinës, humbje e madhe
Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet familjes së Leka Zogut për humbjen e nënës mbretëreshë, Geraldina. Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu u ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes të pretendentëve të fronit mbretëror shqiptar për humbjen e Geraldina Appony de Nagi. Me hidhërim të madh mësova lajmin për vdekjen e nënës tuaj, ish-mbretëreshës së Shqipërisë, zonjës Gerladina Appony de Nagi. Fakti se zonja Geraldina realizoi dëshirën e saj të hershme për tu varrosur në tokën shqiptare, në vendin që ajo deshi dhe më të cilin lidhi gjithë jetën e saj, gjykoj se përbën një ngushëllim për këtë humbje të madhe,-thekson në letrën e ngushëllimit. Moisiu është shprehur gjithashtu se këto momente të vështira është pranë familjes ish-mbretërore. Në këto çaste për Ju dhe për familjen tuaj, marr pjesë në dhimbjen tuaj dhe ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Berisha: Nëna Geraldinë tek Dëshmorët e Kombit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngushëlluar familjen mbretërore për vdekjen e nënës mbretëreshë, Geraldina. Ai ka zhvilluar një vizitë zyrtare në vilën ku banon aktualisht familja mbretërore, ku mes të tjerave kërkoi që Geraldina të varrosej në varrezat Dëshmorët e Kombit. Shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e mbretëreshës Geraldinë. Me këtë rast i bëj thirrje shtetit shqiptar dhe shqiptarëve që ti japim asaj vendin që meriton në truallin tonë, në panteonin e njerëzve të shquar të kombit,- është shprehur Berisha për mediat. Sipas tij, figura e Geraldinës, është tepër e rëndësishme për historinë e kombit tonë dhe se ajo ka dhënë kontributin e veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Berisha, menjëherë pas ardhjes së familjes mbretërore në Shqipëri, ka vlerësuar lart pjesëtarët e saj madje edhe vetë Leka Zogun që u detyrua nga autoritetet e qeverisë së PD-së të rikthehej nga kishte ardhur, pra në Afrikën e Jugut. Kryetari i PD-së ka shkuar më tej, ai ka kërkuar që në Shqipëri të rikthehen eshtrat e Ahmet Zogut, një figurë tjetër e rëndësishme e historisë së Shqipërisë.
•parajsa•
 

Burrel1924

Anëtar i Respektuar
Titulli: Mbreteresha e fundit e shqiptareve

Geraldina Apony' Mona Lisa Shqiptare' e sinqerte , e mencur dhe e bukur.
 
Top