Monumentet tona kulturore e historike në Mal të Zi në rrezik zhdukje

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Simon Shkreli

Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në “Shën Mëri”, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të tregojnë historitë e tyre.“

-M’u kujtua Petro Marko me romanin e tij “ Retë dhe gurët” I botuar pas vdekjes së tij nga bashkëshortja dhe e bija për të nisur këtë shkrim me të cilin kërkoj të kthej vëmendjen ndaj vlerave dhe trashëgimisë tonë që e kemi në rrezik zhdukje.

Shpesh herë më rastis të flas me persona të ndryshëm rreth Malit të Zi, vlerave që ka ai vend dhe bukurive të rradha që posedon. Popullin e tij mikpritës, por edhe për jetën e qejfit që bëhet në Budva gjatë verës por edhe dimrit. E ndërsa në bisedë e sipër kthej vëmendjen në zonën rreth kufirit, për shumë arsye: njohja me këto zona është shumë e pakët, e njohin vetëm si zonë përgjatë gjithë vijes kufitare jetojnë shqiptarë. Kaq mjafton dhe çdo gjë është e kryer! Nga ata të cilët kanë qenë më kuriozët për këto zona, nga ata që janë të njohur me restorantet e peshkut në grykëderdhje të lumit Buna në zonën e Ulqinit, apo edhe për Virpazarin. Ndërsa ngatërresa më e madhe ndodh kur Kullen e Oso Kukës e ngatërrojnë me kështjellen “Lesendro” që ndodhët buzë rrugës Podgoricë-Tivar. Ndërsa atraksioni më I madh gjatë dimrit është Kollashini, një qëndër turistike dimërore mjaft atraktive dhe e mirë.

Por më çudit fakti se sa shumë janë të interesuar shqiptarët për të parë Manastrin e Cetinjës, apo të Ostrogut epa lënë menjanë edhe Pallatin Mbretror të Knjazit, dhe sallonet e dinastisë së Petroviqëve. Ky nuk është faj I malazezëve, pasi “shkëncëtarët” tanë të cilët kanë marrëdhënie shumë të mira me homologët e tyre malazezë janë kënaqur duke bërë seminare dhe trajnime për të “shpëtuar” liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna nga ndotja! Duke shkruar referate alla “copy-paste” me një shpërblim 100 euro për copë, kaq ka vlerë edhe grada shkencore që mbajnë. Ndërsa në zbulimin e hulumtimin e vlerave kulturore dhe historike shqiptare në këto zona as që janë lodhur ndonjë herë.

Nga grykëderdhja e lumit Buna e përgjatë gjithë kufirit dhe zonës ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, ndodhesh përballë vlerave të trashëgimisë tonë historike dhe kulturore. Për ironi të fatit edhe pse në bazë të ligjit egzistues të shtetit malazez për vlerat historike dhe kulturore të gjitha këto I plotësojnë kushtet për të qenë në listen e monumenteve të mbrojtura, ato nuk janë!
Të kërkosh në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës në Mal të Zi rreth monumenteve kulturore dhe historike në territorin Shqiptar ose në rajonet ku jetojnë shqiptarët në këtë shtet, nuk gjen asgjë, madje as Kalanë e Ulqinit një kështjellë e cila ka rrezatuar ndër shekuj me historinë e saj sa të lavdishme aq edhe kundërthënese. Por ky është fati I shqiptarëve në Mal të Zi që ato të mira të veta që I kanë të mos kenë mundësi as ti mbrojnë.

Një vit më parë në qytetin e lashtë të Shasit, në këtë vend ku ndodhen 365 kisha aq ditë sa ka mot-moti, nisi një ekspeditë arkeologjike, një bashkëpunim mes Institutit arekologjik të Beogradit dhe të Malit të Zi. Pasi gërmuan për ditë të tëra dhe në asnjë moment nuk gjetën gjurmë qoftë edhe Bizantine, vendosën që të braktisin këtë ekspeditë nën pretekstin e mungesës së fondeve. Ndërkohë që këto Kisha, ose gërmadhat e këtyre Kishave janë totalisht të pa mbrojtura. Kur ato u dhunuan nga Shesheli dhe Peshkopi Amfillohije Radoviq u mbrojten nga një plak 80 vjeçar I cili edhe pse I fesë islame u tha agresorëve se këto Kisha janë Shqiptare. Ndërsa sot me ose pa pahir disa të vetëquajtur studjues nga këto zona Katedralen e Shën Gjonit e quajnë “Kalaja e Shasit”.

Mungesa e një ndërmarrje rajonale të evidentimit të monumenteve historike dhe kulturore në territorin shqiptar, çon në deformime të tilla të cilat rrezikojnë zhdukjen e tyre. Por një pyetje që duhet bërë për të gjithë ne: “Sa kemi bërë që këto vlera të promovohen?” Përgjigja do ishte: Aspak!

Kjo vjen se askush nuk gjen “leverdi” ekonomike! Takimet e pushtetarëve shqiptare me homologët e tyre malazezë kanë qenë më shumë takime biznesi, e asnjëherë deri më tani këto takime nuk kanë paraqitur një plan konkret në lidhje me evidentimin e këtyre vlerave që janë pjesë e identitetit tonë. Por nga ana tjetër as vetë pushteti lokal, apo edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi asnjëherë deri më tani nuk kanë ngritur zërin në evidentimin, futjen e tyre në listën e monumenteve të mbrojtura, por kanë rendur secili më shpejt se tjetri të fitojnë simpatinë e qeverisë malazeze. Nga ana tjetër qeveria në Tiranë këto 20 vite as që është merzitur për asnjë cështje të shqiptarëve në Mal të Zi!

Duke mos dashur të bezdis askënd po evidentoj vetëm pak nga ato momumente të cilat janë egzistuese, por fatkeqësisht të lëna në mëshirë të fatit.

Në Salç të Ulqinit, një fshat piktoresk rrëzë malit të Mozhurit I cili është I mbushur me ullinj dhe burime uji, ndodhen gërmadhat e një kishe katolike e cila në pllakën që ende egziston shkruan qartë se është e ndërtuar në vitin 1850 nga famullitari Dom Angelo Hotti, ndërsa është rikonstruktuar në vitin 1885 nga famullitari Dom Antonio Mjeda. Rruga që të shpie tek kjo kishë është e asfaltuar, dhe vetë lashtësia e saj tregon se është një vlerë e shtuar në mozaikun e vlerave tona historike, pasi këta gurë dhe mbishkrimet që kanë ardhur të ruajtura deri në ditët e sotme rrezikojnë zhdukjen. Kjo edhe për arsyen se shqiptarët në këto vise nga dita në ditë po tkurren në numër.

Në gjithë këtë hapsirë ecën nëpër gurë të cilët hiri I lashtësisë I ka mbuluar e së bashku me të edhe mungesa e një kujdesi të veçantë. Ka qenë vetëm vullneti I vetë banorëve të këtyre zonave të cilët më ato të ardhura që kanë, jane mnduar t’I mbajnë e t’I ruajnë këto relike të jashtëzakonshme, që kanë qëndruar si mburojë kundër stuhisë së madhe asimiluese me të cilën kjo pjesë e kombit është përballur dhe vazhdon të përballet.

Rrugës për në zonen e Krajës, një zonë mjaft fisnike e cila në mes mungesës së infrastrukturës dhe kujdesit më minimal në kushtet më të vogla për jetesë, është kujdesur që për 1000 vite t’a mbajë funksionale Ublen (pusin) e Krajes, I cili ndodhet në fshatin Ostrog. Gërmadhat e Kishës së vjetër Shën Marisë ose (Sh’Mrisë) e Krajës paraqesin një monument historik të rëndësishëm për Krajën dhe banorët e saj. Ky tempull i lashtë ka një histori të bujshme, të gjatë dhe mjaft interesant. I ndërtuar në shekullin e X nga murgu Pjetër, kjo Kishë ka qenë vazhdimisht pre’ e debatit mes banorëve të Krajës që janë shqiptarë dhe Mitropolisë Ortodokse serbe të Malit të Zi. Kjo kishë e cila sot është gërmadhë, në vitin 1446 ka qenë një Ipeshkvi’ Katolike e rëndësishme, e si e tillë është shqiptare. Por gjëndja e saj është e mjerueshme, ajo qëndron e braktisur nën hijen e kohës mes shkurresh dhe ferrash.

Studjues të shumtë kanë ardhur në përfundim se “Meshari” I Gjon Buzukut është shkruar në territorin rreth liqenit të Shkodrës. Kjo për faktin se edhe e folura e Krajës dhe Shestanit është e ngjashme me atë që përdor Buzuku në vepren e tij e cila pa’ driten e botimit në vitin 1555. Por ajo që ka mbetur përvec “Mesharit”, të cilin patëm fatin ta shohim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, janë gurët dhe gërmadhat e shtëpive të këtyre zonave që kanë ruajtur vlerat e veta arkitekturore. Kisha e “Shën Mitrit” e cila ndodhet në fshatin Brisk Poshtë të Shestanit. Një tempull I vogël me një kapacitet që mban brenda rreth 30 persona. Sipas shumë studjuesve mes të cilëve edhe studiuesit At’ Vinçenc Malaj dhe Dom Nikë Ukgjini ky objekt ka qenë famullia e Gjon Buzukut, murgut katolik që për të parën herë shkroi në “G’luhen e s’dashtunes amë”, lutjen "Gjithë popullsinë e krishtenë ndër Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut." Pyes vetën, a thua e meriton të mbrohet, të ruhet dhe të shpallet monument historik? Për fat të mirë kanë qenë vetë banorët e zonës të besimit musliman me ndihmen edhe të shestanasve të tjerë katolik që kanë bërë me të ardhurat e tyren rikonstruksionin e kësaj kishe.

12 Ublat ( puset) e Ljares të cilat askush nuk di saktë të tregojë se sa të vjetër janë pasi I kalojnë 700 vjetët, janë edhe sot e kësaj dite funksionale, të sistemuara në një diameter rreth 22 dynym tokë. Aty ku banorët e mençur të këtij fshati kanë gjetur damarët e burimeve nëntokësore dhe kanë furnizuar me ujë gjithë atë zonë. Por vlera më e madhe është ruajtja e tyre. Ajo që të bie në sy teksa udhëton drejt këtij fshati, është mungesa e një tabele me mbishkrim shqip për toponimin, edhe ai ekzistues është I përkthyer në gjuhën sllave. Njëlloj si Kisha e “Shën Gjon Pagzuesit” në Kllezën ku për turpin e shqiptarëve është e shkruar në tabele Kisha e “Shën Ivan Pagzorit” një shenjti malazez. E për më tepër kjo tabelë qëndron mbi urën shekullore të Klleznës e cila është kthyer më shumë në një vend grumbullimi mbeturinash, kur dihet se pas kongresit të Berlinit kjo urë shërbente si pikë doganore mes Portës së Lartë dhe Malit të Zi.

Edhe mua më duhet të pyes ku ndodhet fshati Vuksanlekaj në Malësi të Madhe, në pjesën e territorit të Malit të Zi, në afërsi të Tuzit. Sikurse në çdo vendbanim që ta kuptosh se sa I vjetër duhet të kërkosh varrezat. Në këtë zonë edhe sot egzistojnë varret më karakterstike të Ballkanit, me simbolikat ndër më të veçantat. Një përzierje e paganizmit dhe krishtërizmit, tipike për veriun tonë. E ndërkohë që këto varre dergjen në llumin e harresës së pa dëshiruar, së bashku me eshtrat e trupave të varrosur 300 vite më parë, sot ata kërkojnë që të mbahën si relike të çmuara. Vlera e këtyre varreve është shumë e lartë, simbolika e tyre e veçantë të çon shumë shekuj mbrapa. Të çon tek rrënjët, kur fiset u bashkuan dhe krijuan këtë komb.

Lënia në harresë e këtyre monumenteve, është krim ndaj identitetit tonë. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e tyre, ndërsa sa më shumë ecën nëpër atë pjesë të vendit njihesh me historinë e një populli të lashtë e fisnik. Ndërsa ne heshtim edhe kur mbi Malin Rumi’ dhe mbi kokat tona krekosët Kisha prej llamarine e Peshkopit Amfillohije e vendosur me ndihmën e helikopterëve të ushtrisë 10 vite më parë. Paçka se ka një vendim gjykate për ta larguar atë objekt ai vazhdon të qëndrojë, e ndërkohë që Maja e Rumisë ka qenë vend pelegrinazhi për Krajanët dhe Shestanasit shumë shekuj më parë.

Harresa është vrasje e dytë. E ndërsa muret e këtyre objekteve çdo ditë po shkatërrohen, ne vetëm i sodisim ato. Një ditë do kërkojmë nëpër literaturat e kohës të mund të gjejmë qoftë edhe një gur të vogël I cili do jetë aty në pritje që dikush të kthejë sytë nga ai.

“ Mbaj mend këtu do jem sa kohë më mban në kujtesë”.

Por sa vlen kjo për këtë gur?!
gazetakritika
 
Top