Morali dhe e vërteta në politikë

Nga Meri Lika
uopiopoi-1.jpg

Jo, nuk janë të vërteta, sepse taktika themelore gjatë ngjitjes në pushtet është moskokëçarja dhe injorimi. Stili është "politikisht i saktë", domethënë me një "gjuhë" eufemizmash, buzëqeshjesh dhe aftësish për të kaluar tangent, me një metodë për të shmangur të drejtën dhe për të mbuluar synimet e vërteta për të mirën e sondazheve, ose të “revolucioneve”, gjithmonë duke luajtur një lojë të rreme për "shpresën e njerëzve", dhe pastaj, pasi të jenë ulur në fronin e mbretit, të heqin maskën.


Shoqëria politike është e ndërtuar mbi një rrjet hipokrizish, fjalimesh boshe dhe dogmash. Sidoqoftë, në këtë univers keqkuptimesh, nuk mungojnë “të ndriturit” që guxojnë të thonë se toleranca është themeli mbi të cilin është ndërtuar demokracia jonë, se debati shërben për të zbardhur të vërtetën dhe për t’i dhënë mundësi kundërshtarit të flasë; ata pohojnë se “progresi” është kapitulli suprem i civilizimit. Jam dakord që le të thuhen të gjitha këto. Por a janë të vërteta?

Jo, nuk janë të vërteta, sepse taktika themelore gjatë ngjitjes në pushtet është moskokëçarja dhe injorimi. Stili është “politikisht i saktë”, domethënë me një “gjuhë” eufemizmash, buzëqeshjesh dhe aftësish për të kaluar tangent, me një metodë për të shmangur të drejtën dhe për të mbuluar synimet e vërteta për të mirën e sondazheve, ose të “revolucioneve”, gjithmonë duke luajtur një lojë të rreme për “shpresën e njerëzve”, dhe pastaj, pasi të jenë ulur në fronin e mbretit, të heqin maskën.

Ky është problemi themelor i demokracisë, sepse “populli”, ai që voton dhe emëron, ka një pakt të nënkuptuar pëlqimi me udhëheqësin ose shefin aspirues; mjafton vetëm të dëgjohet zbrazëtia e premtimeve e përballë tyre përplasja e duartrokitjeve, ulërima e brohoritjeve, dhe në fund, pulsi i sondazheve. Është një problem themelor sepse asnjëherë, dhe aq më pak tani, nuk është votuar për projekte të realizueshme, për realitete dhe siguri, me pak fjalë, për të vërtetat. Është zgjedhur gjithmonë e pamundura. Dhe politikanët e dinë shumë mirë se çdo fjalë që premtojnë është e pamundur por gjithsesi ata vazhdojnë të gënjëjnë me vetëdije. Aty është çelësi i populizmit që artikulon gënjeshtrat me inate, mohime dhe marrëzira. Aty është sekreti i këtij fati ideologjik të gënjeshtrave që ngopin ajrin zgjedhor.

Pragmatizmi elektoral e bën të pamundur një pedagogji minimale politike. Askush nuk rrezikon as 1% për të thënë të vërtetën dhe për të vepruar me dinjitet. Por një ditë do të jetë e nevojshme ta bëjnë këtë, nëse do të duam të ndërtojmë një demokraci autentike, në të cilën “sovrani” voton me njohuri të plotë mbi faktet dhe me një sens kritik, ai hedh poshtë premtimet e tymit, hedh poshtë letërsinë e lirë të shpëtimit dhe merr mundimin për të zbuluar nëse projekti i propozuar është i zbatueshëm, cilat janë burimet që ai ka, kush janë këshilltarët e tij, etj. Dhe merr mundimin të kujtojë, sepse pa kujtesë nuk ka liri.

Unë e pranoj se kjo është sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë. Ndonjëherë, megjithatë, duhet thënë, sepse sistemi që kemi, i ngopur me korrupsion, është gjithashtu i ngarkuar nga verbëria. Dhe kështu, ne ecim pa parë shembjen e institucioneve, skadimin e turpit dhe çmendurinë e fillimit të rrugës për në çdo humnerë prapa fyelltarit që magjeps “publikun konsumues” dhe, i cili, midis këngëve dhe valleve, ofron shpëtimet, në një skenë ku interpretojnë njëherësh ekuilibristët dhe kllounët të cilët duke u marrë me argëtimin na fshehin tragjedinë e radhës.

Dosja.al
 
Top