PSG-ja ka triumfuar me shifrat e thella 4-1 ndaj Barcelonës, në “Cam Nou” në ndeshjen e parë në Ligën e Kampioneve, të vlefshme për fazën e 1/8-ve. Parisienët hedhin kështu një hap të sigurt drejt kualifikimit për në fazën tjetër. Padyshim heroi i ndeshjes ishte Kilië Mbape, i cili realizoi tripletë golash.

Katalanasit kaluan të parët në avantazh me Leo Mesin, që ktheu në gol një penallti të fituar nga De Jong në minutën e 26’, por ky avantazh zgjati vetëm 6 minuta, pasi në minutën e 32’, Mbape vendosi baraspeshën.
Ishte përsëri sulmuesi francez, i cili në minutën e 65’ përmbysi rezultatin, duke shënuar pas një topi të mbetur në zonë. Ken realizoi të tretin për skuadrën e Poçetinos në minutën e 70’, teksa për të vulosur gjithçka mendoi përsëri Mbape, i cili shënoi edhe të 4-in për francezët, ndërsa të tretin personal.
Ndeshja e kthimit do të luhet në Francë më 10 mars, në “Parc de Princes”.
FT| Barcelona-PSG 1-4
Mesi 26’/ Mbape 32′, 65′, 85′, Ken 70′
Mbyllet ndeshja e1/8-ave të Ligës së Kampioneve, Lajpcig-Liverpul, e zhvilluar mbrëmjen e sotme. Skuadra e Jurgen Klop fiton në momentin e duhur të këtij sezoni pas krizës së rezultateve në kampionatin anglez duke fituar sonte në Hungari 0-2 ndaj gjermanëve të Lajpcigut. Mohamed Salah dhe Sadio Mane vulosën triumfin e pastër të të kuqve. Megjithatë, duhet pranuar se kampionëve të Anglisë iua dha një dorë e mirë nga mbrojtësit e Lajpcigut, të cilët gabuan në markimin dhe spastrimin e topave gjatë dy golave.
Në fund të takimit, skuadra e Julian Nagelsmanit mund të kishte shkurtuar shifrat dhe rriste shpresat për kualifikim në çerekfinale nëse koreanojugori He-Çan Huang do të rregullonte shënjestrën para portierit Alison.
Me fitoren e sotme, Liverpuli është më i favorizuar për të kaluar në çerekfinale. Akti i dytë i betejës Liverpul-Lajpcig do të luhet në 10 mars në “Anfield Road”.
FT| LAJPCIG-LIVERPUL 0-2
Golashënuesit: M.Salah 53′, S.Mane 58′
panoramasport.al