Në Madrid kanë nisur nga puna/ Jo vetëm Ronaldo te Reali, ja rikthimet historike në futboll

Kristiano Ronaldo ka ende një vit kontratë me Juventusin, por pas eliminimit nga Porto në Champions, papritur shpërthyen zërat për një rikthim te Reali i Madridit, pas divorcit të tri sezoneve më parë. Madje, nga kryeqyteti spanjoll ishte vetë trajneri Zinedin Zidan që dha garanci se nuk bëhet fjalë vetëm për thashetheme mediatike: “Ronaldo te Reali është mëse e mundur që të rikthehet”. Dhe kaq mjafton që tashmë në Torino të nisin të frikësohen ndërsa në Madrid të lumturohen për këtë ribashkim. Dhe të mendosh se historia njeh mjaft prapakthehu të rëndësishme, madje historike, duke qenë se emrat që kanë vendosur të rikthehen sërish në “shtëpi” pasi u larguan dhe fituan diku tjetër janë ndër më të mëdhenjtë, duke nisur nga Johan Krojf te Ajaksi, Maradona te Boka apo edhe Shevçenko e Bufon respektivisht te Milani e Juventusi. Por le të hymë më në detaje:ronaldo.juve_.lione_.2020.750x450.jpg

JOHAN KROJF
– Pasi fitoi 3 Kupa Kampionesh dhe dy “Topa të Artë” te Ajaksi në fillim të viteve ’70, legjenda holandeze vendosi që të rikthehet te “Harkëtarët” pas 8 vitesh mes Barcelonës, Levantes e dy aventurave amerikane, ku fitoi edhe dy tituj kampion të tjerë.

DIEGO MARADONA – Pasi Boka Zhunjors i dha skenën për të reklamuar cilësitë e tij në sezonin 1981-1982, ku ai fitoi titullin dhe shënoi 28 gola, Diego Armando Maradona vendosi që të rikthehet te skuadra e tij e zemrës pas 13 vitesh (1995-1997), por në 2 sezone e gjysmë nuk fiton asgjë dhe grumbullon vetëm 31 prezenca dhe 7 gola.

ANDRIJ SHEVÇENKO – Talenti më i madh në historinë e futbollit ukrainas fiton thuajse gjithçka me Milanin mes viteve 1999 dhe 2006, në të cilat realizon edhe bukurinë e 173 golave. Rikthehet të luajë një sezon (2008-2009), por Shevçenko grumbullon vetëm 2 gola në total.

RIKARDO KAKA – Braziliani është pak të quash se ishte “princi” i Milanit mes viteve 2003-2009, gjatë të cilave fiton Ligën e Kampioneve si protagonist absolut, por edhe “Topin e Artë”, pas 95 golave të shënuar. Vendos të rikthehet në sezonin 2013-2014, gjatë të cilit numëron 37 prezenca dhe 9 gola, por asgjë nga shkëlqimi i aventurës së parë me “Djallin”.

KARLOS TEVEZ – Ka nga ata që janë larguar dy herë dhe janë kthyer dy herë (3 aventura në total) si “Apashi”. Shpërthehu si adoleshent mes viteve 2001-2004 me 30 gola te Boka, për të bërë rikthimin e parë në korrik 2015 deri në janar 2017 (25 gola), por edhe pas një sezoni në Kinë rikthehet për herë të dytë në janar 2018 dhe sot e kësaj dite është ende pjesë e Boka Zhunjorsit. Në total me verdheblutë, 265 ndeshje dhe 92 gola të shënuar.

FERNANDO TORRES – Tek Atletiko mes viteve 2000- 2007 dhe me 90 gola të shënuar, “El Ninjo” shihej si një prej bomberave më të fortë në Europë. Më pas vendos të provojë veten në botë, me bluzat e Liverpulit, Çelsit e Milanit, derisa u rikthye në 2015-ën, pas të cilës në 3 sezone e gjysmë realizon edhe 38 gola të tjerë.

LEONARDO BONUÇI – Nga 2010 në 2017 fiton shtatë tituj kampion me Juven, por në mënyrë të pamenduar vendos të transferohet te Milani. Bëhet pishman, pasi bën një sezon aspak pozitiv, kërkon falje në radhët e drejtuesve dhe pas një viti kthehet sërish në Torino, ku fiton menjëherë dy tituj të tjerë dhe është ende sot pjesë e skuadrës.

XHANUIXHI BUFON – Ndryshe nga Bonuçi, “Supermeni” i portave italiane, por edhe i historisë së futbollit botëror luajti 17 sezone radhazi me Juventusin, ku i mungoi vetëm Liga e Kampioneve. Në 2018-ën u duk sikur i dha lamtumirën përfundimtare “Zonjës së Vjetër”, duke firmosur me PSG-në, por një vit më pas vendos të rikthehet, duke pranuar edhe rolin e portierit të dytë dhe ende sot, në moshën 43-vjeçare vazhdon të luajë, madje po mendohet rinovimi i kontratës për një tjetër sezon.

ZLATAN IBRAHIMOVIÇ – Milani hyri menjëherë në zemrën e tij, pasi për “Djallin” la Barcelonën, ndonëse gjiganti suedez në aventurën e parë qëndroi vetëm dy vite (2010- 2012, 85 ndeshje, 56 gola), ndonëse nuk ishte dëshira e tij të largohej. Por, në janar 2002 firmos paktin e dytë me kuqezinjtë, ku po jeton edhe sot e kësaj dite një rini të dytë, pavarësisht 39 viteve mbi shpatulla me 27 gola në 41 takime.


PanoramaSport.al
 
Top