Në Shqipëri mund të blesh gjithçka, përfshirë edhe ligjet e parlamentit, thotë raporti

Një studim i kryer nga organizatat Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim vërejnë se si një numër i madh ligjesh përgjatë dy dekadave të fundit janë miratuar nga shumicat parlamentare për llogari të bizneseve të ndryshme, duke injoruar interesin publik.


Raporti-i-kapjes-se-shtetit-516x400.gif

Një numër i konsiderueshëm ligjesh janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë për llogari të interesave klienteliste të qeveritarëve të ndryshëm ndërsa procesi ligjvënës dukshëm nuk respekton standardet e nevojshme të transparencës në mënyrë që publiku të ketë dijeni se kush i propozon ligjet që miratohen dhe për çfarë arsyesh këto ligje propozohen, u bë e ditur në një raport të Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në lidhje me fenomenin e kapjes së shtetit nga interesat private.

Raporti u publikua të martën online. Dragan Mijatovic, përfaqësues i organizatës ndërkombëtare Transparency International për rajonin e Ballkanit dhe Turqinë, theksoi se shembujt e bollshëm të vënë në dispozicion të studimit nga ekspertët shqiptarë flasin qartazi për kapjen e shtetit, aq sa mund të shërbejnë si shembuj ilustrues për studime të tilla në vende të tjera.

Eksperti Gjergj Vurmo nga IDM vërejti se një praktikë parlamentare e vendosur disa vite më parë, në të cilën deputetët fitojnë të drejtën të bëjnë propozime për ndryshime ligjesh vetëm njëzet e katër orë para seancës parlamentare është bërë mekanizmi kryesor i ndërhyrjeve ligjvënëse në formën e kapjes së shtetit në mënyrë pothuajse të padukshme, duke lënë pak gjurmë pas dhe duke shmangur reagimin e publikut.

Vurmo solli si shembull për këtë një ngjarje të vitit 2015, kur Ministria e Financave propozoi një ligj të ri për industrinë e bixhozit, ligj që kishte për synim kufizimin e kësaj industrie për shkak të përmasave të mëdha që ajo kishte marrë, duke pushtuar qendrat e qyteteve dhe duke zhytur në telashe një pjesë të madhe të popullsisë. Por disa propozime nga deputetët Robert Bitri dhe Esmeralda Shkjau vetëm 24 orë para miratimit në seancë plenare, e ndryshoi kryekëput projektligjin nga një i tillë që kufizonte industrinë e bixhozit në një ligj që lejoi lulëzimin e mëtejshëm të saj.
Vurmo theksoi gjithashtu se që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, në të cilat Edi Rama dhe Sali Berisha i dhanë të drejtë vetes të zgjidhnin deputetët e partive të veta pa kurrfarë kufizimi praktik, Kuvendi i Shqipërisë ka humbur rolin si kontrollues i ekzekutivit dhe është bërë një ratifikues pa pretendime i projektligjeve të propozuara nga qeveria.

Studimi vëren se Shqipëria nuk ka mekanizëm të qartë transparence për propozimet e ndryshimeve ligjore, veçanërisht ato në fushën e taksave. Këto ndryshime, të kritikuara veçanërisht së fundmi si klienteliste në “favor të oligarkëve”, duket se propozohen përmes lobimit të drejtpërdrejtë privat të palëve të interesuara me autoritetet publike, kryesisht Ministrinë e Financave, ndërsa kjo e fundit refuzon të bëjë transparencë për të shpjeguar se kush e ka kërkuar ndryshimin ligjor dhe me çfarë argumentesh.

Raporti vëren gjithashtu se një numër i madh kontratash koncesionesh të qeverisë së kryeministrit Edi Rama janë paraprirë nga ndryshime në kuadrin ligjor apo nënligjor me qëllim shtrimin e rrugës për dhënien e këtyre kontratave. Rasti më flagrant duket se është ligji kontrovers i kryemininstrit Rama për dhënien me koncesion të tokës së Teatrit Kombëtar pas një “propozimi të pakërkuar” nga një kompani private.

/Reporter.al
 

Attachments

  • Raporti-i-kapjes-se-shtetit-516x400.gif
    Raporti-i-kapjes-se-shtetit-516x400.gif
    136.5 KB · Shikime: 0
  • Raporti-i-kapjes-se-shtetit-516x400.gif
    Raporti-i-kapjes-se-shtetit-516x400.gif
    136.5 KB · Shikime: 0
Top