Nga Edmond Tupja / Dy data për të mos u harruar

Nga Edmond Tupja / Dy data për të mos u harruar​

Marsi, ky muaj që, andej nga fundi i tij, sjell pranverën, ka dy data të veçanta që lidhen drejtpërsëdrejti me fëmijët e të rinjtë, dy data që nuk mund të harrohen lehtë, që festohen tradicionalisht në vendin tonë. Së pari, e kam fjalën për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, pra, të asaj që sjell në jetë fëmijët, vajza apo djem qofshin, që i rrit ato dhe ata me një dashuri e përkushtim të veçantë, që teksa i rrit kësisoj, u jep elementet e para, themelore, të edukatës në familje e në shoqëri.
1615029959161.png

Për një kohë të gjatë, sidomos në Shqipërinë komuniste, kjo datë është konsideruar si Festa e Gruas; shqiptaret e asaj kohe mblidheshin lokaleve me shoqja-shoqen dhe hanin, pinin e kërcenin, pastaj, të nesërmen jeta për ato vazhdonte si më parë: tetë orë në punë për të fituar bukën e gojës dhe tetë orë në shtëpi ku, me ose pa ndihmën e burrave, rropateshin – laj, fshij, gatuaj e merru me fëmijët – deri në atë pikë sa të vinte keq t’i shihje kur të nesërmen shkonin në punë të paçlodhura mirë.

Edhe sot, pavarësisht ndërgjegjësimit deri diku të njëfarë shoqërie civile lidhur me të drejtat e shqiptareve dhe luftën kundër dhunës në familje e diskriminimit gjinor, rrallë herë të zë syri protesta masive të grave, sepse ende nuk është çrrënjosur në shoqërinë tonë mashkulliste ideja se 8 Marsi nuk është ditë feste, por ditë protestash e veprimtarish të tjera për mbrojtjen e të drejtave të tyre, sepse shpesh edhe në mjaft vende të tjera, madje më të emancipuara se yni, gratë shpesh ndihen “një ditë në vit të mikluara, 364 ditët e tjera të shfrytëzuara”.
Sigurisht, edhe në vendin tonë, më 8 Mars në dyqanet e luleve ka burra që mbajnë radhë për t’u blerë buqeta të mrekullueshme bashkëshorteve; sigurisht, më 8 Mars pastiçeritë bëjnë xhiro të madhe, ngaqë ka burra të cilët porositin torta apo të tjera ëmbëlsira të mrekullueshme për bashkëshortet; sigurisht që e njëjta dukuri vërehet tek argjendaritë, ku të dashuruarit u blenë të dashuruarave stoli të rralla, por kjo nuk mjafton, përkundrazi krijon iluzionin se mjafton t’i bësh bashkëshortes ose të dashurës një dhuratë të shtrenjtë për 8 Marsin apo për ditëlindje dhe, si me një të rënë të shkopit magjik, ndërgjegjja jote shkëlqen sërish si rreze dielli, ndërkohë që jo rrallëherë ti e ke keqtrajtuar atë, ndoshta edhe e ke dhunuar fizikisht apo psikologjikisht.

Së dyti, e kam fjalën për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, pra të atij që u jep dije e edukatë fëmijëve që në klasën e parë fillore e deri sa mbaron studimet e mesme dhe / ose të larta. Qysh në kohët e errëta të sundimit gjysmëshekullor otoman në vendin tonë, rilindasit e vunë theksin tek të mësuarit e gjuhës shqipe si mjet edukimi për të mbajtur gjallë brez pas brezi gjithashtu dashurinë për atdheun, sepse gjuha amtare është bërthama e cila i zgjat jetën një kombi që respekton vetveten para se të respektojë të tjerët, çka e bën atë të respektohet edhe nga të tjerët.
Por kur gruaja bëhet edhe mësuese apo pedagoge, edhe nënë, atëherë lidhja midis 7 e 8 Marsit, si dy ditë të njëpasnjëshme të shënuara për shoqërinë shqiptare, merr plotësisht kuptimin e saj më të thellë dhe duhet ta nxitë popullin tonë që këto dy data të mos i harrojë kurrë në emër të brezave të tij të ardhshëm, të cilëve, siç do të shprehej Gandi, ua ka marrë hua këtë vend.

b;Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 153
 
Top