Një “biografi e paautorizuar” e papatit.

Lauri

Anunnak
Nga Shën Pjetri tek Këshilli i Vatikanit II, një “biografi e paautorizuar” e papatit

Një ditë Jezusi po ecte nëpër Jude, një prej provincave më të varfëria të perandorisë romake (e cila, në atë kohë shtrihej nga Anglia e sotme deri në Irak). Krejt papritur Mesia ia nguli sytë njërit prej apostujve të tij, peshkatarit Simon, i njohur edhe si Pjetri. Dhe i tha: “Ti je Pjetri, dhe mbi këtë gur do të ndërtoj një Kishë… Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së Qiejve, dhe çdo gjë që do të lidhësh në Tokë, do të jetë e lidhur në Qiej”. Për doktrinën katolike, ky hap i Ungjillit sipas Mateut do të thotë që Pjetri ishte zgjedhur si përfaqësues i Krishtit në Tokë. Papa i parë.

Fillimisht, hebraizmi ishte vetëm një sekt hebraik. Aq e vërtetë është sa, pas kryqëzimit të Krishtit, apostujt vazhduan të predikojnë në Jeruzalem. Megjithatë, ideja që Jezusi ishte Mesia i shumëpritur nuk u përqafua asnjëherë plotësisht nga hebrenjtë. Përkundrazi, apostujt u kundërshtuan kaq shumë, saqë u detyruan të predikojnë në Lindjen e Mesme, për “veshë” të tjerë. Pikërisht kështu Mesia nisi të përshkruhet si Shpëtimtari i të gjithë njerëzve. Funksionoi, dhe komunitete që quheshin “kisha” – nga greqishtja eklesia, “asambleja” – nisën të shfaqen në qytete të ndryshëm të Azisë së Vogël, Afrikës veriore dhe Europës. Mbërritën pra në qendrën politike të asaj kohe: sipas legjendës, Pjetri u vendos në Romë rreth vitit 42.

vaticano_zpsi10irsyy.jpg

Mes personaliteteve të mëdhenj, qëllimeve politikë, personazheve të diskutueshëm dhe paqartësive që kanë mbetur ende të tilla

Jose Francisco Botelho*

Ishte 11 shkurti i vitit 1929, gjysmë ore përpara mesditës, kur një makinë ngjyrë e zezë u ndal përpara Palazzo del Laterano në Romë. Dyert e veturës u hapën dhe prej aty zbriti njeriu të cilit në Itali ia kishin frikën më shumë se kujtdo. Ishte Benito Mussolini. Në pallat – selia e Curia Romana, organi administrativ i Kishës Katolike – Papa Piu XI dhe funksionarët e tij më të lartë e pritën diktatorin me duarshtrëngime të ngrohtë.

Kërkesa

Musolini donte që Vatikani të pranonte zyrtarisht fashizmin. Ishte një tentativë për të neutralizuar Partinë Popullore të don Sturzo, kundërshtari i tij. Edhe Kisha kish qenë e qartë, sa u përket objektivave të saj. Të rimerrte ato çfarë kishte humbur në Tetëqindën me unifikimin e Italisë: një shtet sovran. Ia doli. Rreth orës një, Musolini firmosi Marrëveshjet që i jepnin Papës një territor të pavarur në brendësi të Romës. Në këmbim, Kisha katolike njihte si legjitime qeverinë e drejtuar nga Duçja. Pikërisht në atë ditë dimri, me miratimin e njërit prej personazheve më tiranikë të shekullit XX, lindi shteti i Vatikanit, ashtu si është sot: shteti më i vogël i pavarur i botës dhe monarkia e fundit absolute në Perëndim.

Parabolë

Takimi në Laterano ishte vetëm epilogu i një historie shumë më të gjatë, e cila i ka rrënjët 2 mijë vjet më parë, në një kohë kur Papa ishte vetëm peshkop i Romës, një prej liderëve të shumtë të një feje të persekutuar. Në kulmin e pushtetit, papët vetëshpalleshin “padronë të botës” dhe nisën shumë luftëra në emër të Zotit. Sot, papati është institucioni ndërkombëtar më jetëgjatë i historisë. Prej nga buron dhe ku ka shkuar gjithë ai pushtet? Për t’u përgjigjur nevojitet të shkojmë pas në kohë, në origjinën e krishterimit, kur Roma u bë qendra e një sekti hebraik i lindur në mes të rërave të Lindjes së Mesme.

Kisha e parë

Një ditë Jezusi po ecte nëpër Jude, një prej provincave më të varfëria të perandorisë romake (e cila, në atë kohë shtrihej nga Anglia e sotme deri në Irak). Krejt papritur Mesia ia nguli sytë njërit prej apostujve të tij, peshkatarit Simon, i njohur edhe si Pjetri. Dhe i tha: “Ti je Pjetri, dhe mbi këtë gur do të ndërtoj një Kishë… Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së Qiejve, dhe çdo gjë që do të lidhësh në Tokë, do të jetë e lidhur në Qiej”. Për doktrinën katolike, ky hap i Ungjillit sipas Mateut do të thotë që Pjetri ishte zgjedhur si përfaqësues i Krishtit në Tokë. Papa i parë.

Fillimisht, hebraizmi ishte vetëm një sekt hebraik. Aq e vërtetë është sa, pas kryqëzimit të Krishtit, apostujt vazhduan të predikojnë në Jeruzalem. Megjithatë, ideja që Jezusi ishte Mesia i shumëpritur nuk u përqafua asnjëherë plotësisht nga hebrenjtë. Përkundrazi, apostujt u kundërshtuan kaq shumë, saqë u detyruan të predikojnë në Lindjen e Mesme, për “veshë” të tjerë. Pikërisht kështu Mesia nisi të përshkruhet si Shpëtimtari i të gjithë njerëzve. Funksionoi, dhe komunitete që quheshin “kisha” – nga greqishtja eklesia, “asambleja” – nisën të shfaqen në qytete të ndryshëm të Azisë së Vogël, Afrikës veriore dhe Europës. Mbërritën pra në qendrën politike të asaj kohe: sipas legjendës, Pjetri u vendos në Romë rreth vitit 42.

Caput Mundi

Jeta në kryeqytet nuk ishte e lehtë: të krishterët persekutoheshin për faktin që refuzonin të adhuronin perënditë romake. Vetë Pjetri u arrestua dhe u dërgua në cirkun e Neronit, një zonë që përdorej për garat e karrove dhe ekzekutimet e tradhtarëve, e ndërtuar në një zonë kënetore në periferi të Romës. Zona njihej me emrin Vaticanus. “Sipas shkrimtarit latin Aulo Gellio, emri i agro vaticano dhe perëndisë etrusk që e drejtonte e kishte prejardhjen nga “Vaticini” – hyjni të kërkuara”, shpjegon Claudio Rendina, ekspert i historisë së Vatikanit dhe autor i librit “Papët: Histori dhe të fshehta”. “Për një tjetër historian, Varrone (shekulli I para Krishtit), perëndia etrusk ishte në fakt mbrojtësi i “vagiti – të qarave” të fëmijëve, prej nga buron edhe emri i zonës”.

Në këtë vend misterioz, Pjetri u kryqëzua dhe u varros. Por, i kujdesshëm siç ishte, ai kishte zgjedhur tashmë një pasardhës, Linin, një romak i konvertuar në kristianizëm për të cilin nuk dimë asgjë tjetër përveç emrit. Dhe kështu, autoriteti i Pjetrit u transmetua nga njëri brez në tjetrin, nga njëri Papë në tjetrin, deri kur ka mbërritur tek Francesku, papa i 266 i Romës.

Primati

Ja pra, shpjeguar shkurt, “primati i Romës”, në bazë të të cilit peshkopët romakë ishin përfaqësues legjitimë të Krishtit. Në të vërtetë, shumë studiues hedhin dyshime që Pjetri ka qenë kreu absolut, sepse kristianizmi në fillesë nuk kishte hierarki të ngurta. “Ai romak ishte që atëherë një komunitet i organizuar, pavarësisht se ekzistonte prej disa vitesh”, thotë Rendina. “Në kohën e Linit mund të numëronte diakonë, presbiterë dhe peshkopë”. Kur perandori Konstantin, në vitin 312, u konvertua dhe feja deri atëherë e persekutuar u shndërrua në të preferuarën e shtetit, hierarkia e Kishës së Romës u konsolidua, donacionet e perandorëve e pasuruan dhe pushteti nxori në krye peshkopin, që deri atëherë ishte respektuar si i barabartë me krerët e komuniteteve të tjerë kristianë. Në fundin e shekullit III adoptoi emrin Papa, “Atë” në greqisht, shenjë që konsiderohej më lartë se peshkopët e tjerë. Një lloj versioni spiritual i perandorit.

Gënjeshtra e Mesjetës

Në gjysmëhijen e dhomës, një burrë shkruan veprën e tij të parë. Përdor një penë, bojë shkrimi ngjyrë të zezë dhe fletë papirusi apo pergameni. Data nuk është e sigurtë, jemi rreth vitit 750. Një adresë e mundshme është Pallazzo di Laterano. Autori mendohet të jetë një farë Kristofori, sekretar i Papës Stefani II. E vetmja siguri lidhet me veprën: Dhurata e Konstantinit, hileja më e arrirë e historisë.

Për të kuptuar domethënien e këtij dokumenti duhet të kthehemi pas në kohë. Përgjatë shekullit V, pjesa perëndimore e perandorisë romake ishte pushtuar dhe shkatërruar nga fiset barbarë. Në vitin 476 Roma ishte pushtuar. Gjatë konfuzionit të luftës, papati ishte i vetmi institucion i organizuar që kishte mbijetuar (Papa Leoni I i Madh ka hyrë në listën e gjenive diplomatikë për faktin që e ruajti të paprekur Vatikanin përgjatë kësaj faze shumë të vështirë). Kur situata u normalizua, Kisha u bë pronare pa kundërshtar e një prej monopoleve më të fuqishëm, dijes.

Në fillim të Mesjetës besimtarët e krishterë ishin të vetmit europianë që dinin shkrim e këndim. Duke furnizuar me këshilltarë dhe ligjvënës perandoritë që po formoheshin, Kisha rriti ndikimin e saj mbi sovranët barbarë, që nisën të konvertohen në vitin 508: në fillim ishte Klodoevi, mbreti i frankëve, që dërgoi ushtritë e tij të pagëzohen me ujin e shenjtë.

Autori i “Dhuratës së Konstantinit” ndoshta i përkiste një klase speciale të eruditëve të klerit: ajo seri falsifikatorësh që, mes shekujve VI dhe IX punuan në zyrat papnore duke ndryshuar dhe sajuar dokumenta për të përforcuar pozicionin e peshkopëve romakë. “Dhurata e Konstantinit” ishte diçka e ndërmjetme, mes një dëshmie dhe një testamenti, firmosur gjoja nga Konstantini në vitin 315. Teksti thotë që perandori, i shëruar mrekullisht nga lebra prej lutjeve të Papës Silvestri, si shpërblim i emëroi papët si trashëgimtarë të tij legjitimë: “Atyre u lë kurorën perandorake dhe qeverisjen e të gjithë rajoneve të Perëndimit, tani e përgjithmonë”.

Aleancë perandorake


Përgjatë të gjithë Mesjetë “Dhurata” u pranua si e vërtetë dhe u përdor nga dhjetë papë, për të ushtruar fuqinë e tyre politike. Shumë historianë thonë se hileja mori fund në 754. Atë vit Stefani II u drejtua tek Pippino, mbret i frankëve. Papa kërkonte ndihmë për të transformuar Romën dhe tokat që e rrethonin në territore të Kishës, pasi dy shekujt paraardhës, kryeqyteti i kristianizmit ishte plaçkitur nga erulët, gotët, bizantinët dhe longobardët. Pipino, ngjitja në fron e të cilit ishte kontestuar nga pretendentët e tjerë, kërkonte nga ana e tij që të legjitimonte pushtetin e vet.

Stefani ia paraqiti veprën “Dhurata e Konstantinit” Pipinos, dhe mbreti frank e pranoi dokumentin si provë e autoritetit të papëve. Mund të duket e çuditshme, por pushtuesit ushqenin një frikë dhe përnderim kundrejt armikut të tyre të vjetër, perandorisë romake. Mbretërit barbarë ëndërronin të përsërisnin bëmat e perandorëve të lashtë, dhe mes tyre Konstantini ishte një prej më të adhuruarve. Pas bekimit të kurorës nga ana e Papës, Pipino u drejtua për në Itali, dëboi longobardët që dominonin vendin dhe transformoi një zonë të Italisë Qendrore, me qytetin e Romës, në territor të pavarur të Kishës. Të gjithë banorët e atyre rajoneve u bënë të nënshtruar të Papëve, nisën t’u paguajnë atyre taksa dhe të gjykoheshin e qeveriseshin nga Kisha. Kështu lindi Shteti Papnor, që zgjati deri në 1870.

Padronë të botës


Në fundin e vitit 1000, Europa ishte në gjunjë. Me shpatën e mbretërve katolikë dhe zellin e misionarëve, kristianizmi kishte unifikuar kaleidoskopin e Perëndimit në një komb të madh spiritual. Por, në Azi autoriteti i Papës nuk njihej. Patriarku i Konstandinopojës, Stambolli i sotëm, konsiderohej po aq i rëndësishëm sa edhe kolegu i tij italian. Veç kësaj, kishte mosmarrëveshje mbi disa aspekte të doktrinës dhe të liturgjisë romane, si beqaria dhe mesha në latinisht. Grindja shpërtheu në 1054, kur Papa Leoni IX dhe patriarku Michele I Cerulario shkishëruan njëri-tjetrin, duke prishur marrëdhëniet. Në lindje u krijua kisha ortodokse, ndërkohë që Kisha romane u vetëshpall unike, e shenjtë, apostolike dhe katolike (nga greqishtja katholikos “universale”).

Kundërshtari i radhës i Papës u shfaq në formën e një ish aleati. Në atë kohë, siguria e shtetit papnor garantohej prej trupave të perandorisë së shenjtë romane, themeluar nga biri i Pipinos, Karli i Madh (Charlemagne). Në këmbim të mbrojtjes, perandorët ushtronin një ndikim të fortë mbi Papët. Praktikisht, lideri i kristianizmit ishte një buratin në duart e tyre. Por, në vitin 1073, një papë vendosi të ndryshojë lojën. Trupvogël dhe me një zë të mprehtë, Gregori VII kishte një temperament të vrullshëm, prej të cilit mori nofkën “Satanai i Shenjtë”. Në një dekret të famshëm, vendosi që jo vetëm papët kishin të drejtën të legjitimonin një sovran, por edhe ta rrëzonin. Dhe pohoi që Papa ishte jo vetëm kreu i Kishës, por “Zot i botës”. Kjo gjë zemëroi Henrikun IV, sovran i perandorisë së shenjtë romane. Pa e zgjatur shumë, Gregori e shkishëroi.

Shkishërimi ishte një instrument i fuqishëm. Të shkishëruarit nuk i lejohej të hynte në kishë dhe të bekohej. Në një kohë kur jeta e përditshme ishte e mbushur me fenë, ndëshkimi ishte tmerrësisht shumë i rëndë. Në dimrin e 1077 Henriku shkoi në dyert e kështjellës së Canossas, në Apeninet emiliane, ku ndodhej Papa. “Satanai i Shenjtë” e detyroi të presë tre ditë në rrugë, në mes të dëborës, përpara se ta priste.

Hegjemonia

Me Gregorin VII, papati kaloi nga mbrojtja në sulm. Nëse më parë papët kishin nevojë për mbrojtje, tani ishin gati të pushtonin botën përmes kryqit apo shpatës. Një provë tjetër erdhi në vitin 1095, kur Urbani II kërkoi që mbretërit e krishterë të marshonin drejt Lindjes së Mesme për të “çliruar” Jeruzalemin, i qeverisur prej myslimanëve që nga shekulli VII. Afro 25 mijë pelegrinë dhe luftëtarë të krishterë nisën të shkruajnë një prej faqeve më brutale të historisë: kryqëzatat. Pas pushtimit të Jeruzalemit, në 1099, pothuajse të gjithë hebrenjtë dhe myslimanët e qytetit u masakruan. Në 200 vitet që pasuan, tetë kryqëzata të tjera u drejtuan për në Tokën e Shenjtë.

Një shekull pas Gregorit VII, në 1198, hipi në fron Innocenzo III, ndoshta papa më autoritar i të gjithë kohërave. Kisha ishte tashmë një fuqi ushtarake, dhe në gjendje të dërgonte ushtritë e veta, si dhe një institucion shumë i pasur. Fshatarë dhe artizanë evropianë ishin të detyruar që të derdhnin në arkat e saj një të dhjetën e të ardhurave të tyre. Pasuria e kishës u rrit deri në atë pikë saqë të shkaktonte skandal: në jug të Francës nisi të rritet një lëvizje heretike e quajtur katarizëm, që nuk pranonte autoritetin e papës dhe e quante atë bir të djallit. Innocenzo III reagoi me dhunë. Në vitin 1209 shpalli një luftë të shenjtë kundër Katarëve: fshatra të tërë u dogjën dhe banorët u masakruan. Për të eleminuar atë që mbetej nga ata heretikë, Gregori IX, pasardhësi i Innocenzo, krijoi në vitin 1233 Inkuizicionin e Shenjtë, një gjykatë kishtare me kompetencën që të inkriminonte, persekutonte dhe dënonte armiqtë e Kishës. Me kalimin e kohës, Inkuizicioni u përhap në vende të tjerë dhe filloi të persekutojë jo vetëm Katarët, por edhe të gjithë ata që kundërshtonin fenë katolike (hebrenjtë, shkencëtarët, homoseksualët…)

Rënie me elegancë

E megjithatë, mes shekujve XIII dhe XV, ëndrra e hegjemonisë së kishës u zbeh. Kryqëzatat përfunduan në një dështim: në vitin 1291 europianët u dëbuan përfundimisht nga sulltanët myslimanë. Në Europë, deliret absolutistë të Vatikanit provokuan rebelimin edhe të klerit. Lorenzo Valla, prift dhe filolog, provoi në vitin 1440 se “Dhurata e Konstantinit” ishte e sajuar. Valla demonstroi se dokumenti ishte i mbushur me gabime historikë dhe papajtueshmëri gjuhësore.

Prestigji spiritual i Selisë së Shenjtë u trondit: shkishërimet humbën efikasitetin dhe disa mbretër nisën të shkëputen nga papët. Ndërkohë, arsimimi nuk ishte më privilegj vetëm i klerit: lindën universitete në të gjithë Europën dhe lulëzuan shkencat dhe artet. Kishte mbërritur Humanizmi.

Ndikimi global i papatit ra, por papët ishin ende sovranë të pasur dhe të pushtetshëm brenda shtetit të tyre. Dhe pak nga pak, jeta e bukur nisi të korruptojë zakonet e Kishës. Beqaria u bë një detaj që mund të fshihej dhe Roma u zhyt në një “dolce vita” plot luks. Karriera kishtare u shndërrua në një magnet për oportunistë të interesuar vetëm për të mirat e Kishës. Shembulli tipik ishte Rodrigo Borgia, i zgjedhur papë në 1492 falë tangenteve të mëdha të shpërndara atyre që e zgjidhnin (vërtetë të rëndë: katër mushka të ngarkuara me flori). I pashëm dhe joshës, Aleksandri VI kishte të paktën dy të dashura, organizonte festa në pallatin apostolik dhe kishte shumë fëmijë që i kish njohur.

Pavarësisht reputacionit të keq, papët e Rilindjes ditën që të përdornin pasuritë e tyre edhe për të lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore. Krijuan biblioteka, ngritën monumente dhe e transformuan Romën në një gëzim për sytë. Më i rëndësishmi i papëve të dashuruar pas artit ishte Giulio II. Por ishte pikërisht ekstravaganca e tij që shkaktoi krizën më të rëndë në historinë e Kishës. Në vitin 1505 Giulio inauguroi kantierin për rindërtimin e bazilikës së Shën Pjetrit, e cila po rrënohej. Për të financuar punimet, fuqizoi tregun e indulgjencave, që ofronte larjen e mëkateve në këmbim të parave. Ishta pika e ujit që rrëzoi vazon: që atë moment, murgu gjerman Martin Luteri publikoi 95 tezat me të cilat denonconte korruptimin e Kishës. Ishte akti i lindjes së Reformës protestante. Shumë shpejt të krishterët e Gjermanisë, Vendeve të Ulët dhe Europës Qendrore mohuan autoritetin papnor dhe supremacinë e Romës. Kontinenti i vjetër u zhyt në dy shekuj luftërash fetare.

Frikë nga moderniteti

Megjithatë, për Kishën ditët më të këqia ende nuk kishin ardhur. Në shekullin XVIII Europa pa lulëzimin e Iluminizmit, një lëvizje filozofike që vendosi arsyen dhe shkencën në qendër të botës, si dhe vuri në dyshim vlerën absolute të fesë dhe traditës. Disa mendimtarë, si francezi Volter pohuan se të gjithë njerëzit lindin të barabartë dhe ata kanë të drejtën të zgjedhin besimin e tyre fetar. Kjo mënyrë e re e të menduarit kaloi nga intelektualët, tek masat: në 1789, revolucioni francez çoi në gijotinë disa privilegje (dhe disa koka) të klerit dhe shpronësoi pronat e Kishës. Po konsumohej kështu, në mënyrë të dhunshme, ndarja mes shtetit dhe kishës në perëndim. Nga mbrojtës i arteve, papati u shndërrua në armik të progresit, duke hyrë në një fazë paniku apokaliptik kundrejt modernitetit (dënoi madje edhe hekurudhën dhe ndriçimin me gaz). Në shekullin XIX, me humbjen progresive të të gjithë territoreve, integriteti moral u bë tashmë flamuri i ri i Vatikanit, dhe papa u bë në sytë e besimtarëve një shenjt i gjallë, i matur, i pagabueshëm, i veçantë.

Izolimi


Në vitin 1870 u përmbyll unifikimi i Italisë. Edhe zotërimet e fundit papnorë u shndërruan në prona të shtetit të ri. Tridhjetë vjet më vonë, pasardhësi i Pjetrit ishte në varfëri dhe i reduktuar në një hiçgjë politike, ndërkohë që pallatet e Vatikanit po shembeshin. Pikërisht në këto kushte Piu XI firmosi marrëveshjen e Palazzo Laterano, që përveç një territori sovran parashikonte një donacion prej afro 90 milionë dollarësh, që mjaftonin për të rregulluar financat. Ishte fillimi i një ndryshimi të madh: sot Vatikani deklaron fitime vjetorë prej më shumë se 200 milionë dollarë, përfshirë donacionet e dioqezave dhe të ardhurat nga investimet financiarë. “Piu XI rezultoi një politikan i madh në dy momente”, shpjegon Rendina. “Në fazën fillestare të kapjes pas disa aleancave me diktatorë si Hitleri, Franko dhe Musolini dhe në një fazë të dytë kur, pasi arriti qëllimin, u shfaq i gatshëm për t’i dënuar”. Në fakt, në muajt e fundit të jetës së tij Piu XI punoi për një fjalim për dënimin e ligjeve racialë, antisemitizmit dhe përgatitjeve për luftë. Por vdiq përpara se ta bënte publik, në 10 shkurt 1939.

Për pasardhësin e tij, Piu XII, regjimi nazist ishte në fakt një e keqe e domosdoshme në luftën kundër rrezikut më të madh: komunizmit. “Heshtja e Piut XII filloi në tetorin e 1939, të nesërmen e pushtimit të Polonisë”, vazhdon Rendina. “Siç thuhet tek Osservatore Romano i 1981, Piu XII “nuk ushtroi diplomacinë e madhe, nuk u bëri thirrje palëve për ndalimin e luftës… nuk bëri shkishërime as nuk bëri një denoncim solemn me listën e krimeve nazistë”. Mund të mbrohet po të kujtohet shpëtimi i shumë hebrenjve të internuar përmes përfaqësuesve të tij në vende të ndryshëm, por nuk mjafton”.

Në vitin 1958, vdekjen e Piut XII e pasoi një konklavë, ndër më të acaruarat e shekullit XX. Për të penguar zgjedhjen e një konservatori, kardinalët progresistë votuan në masë Angelo Roncallin (Gjon Pali XXIII) që duke qenë një 80-vjeçar, dukej i padëmshëm. Sapo hipi në fronin papnor, ai befasoi edhe liberalët, duke thirrur Këshillin e Vatikanit II. Këshillat, apo më saktë ansambletë universale të peshkopëve – ishin një mbetje e demokracisë së fillimeve të Kishës. “Por shpesh herë kalonin në luftëra të brendshme pa vendime përfundimtarë”, shpjegon Alberto Melloni, historian i Kishës. “Këshilli i Vatikanit II ishte në fakt konkludues, jo thjeshtë një zbukurim”. Mes të tjerave, pranoi të drejtën e individëve që të zgjedhin besimin e tyre fetar (duke hapur një kanal dialogu me besimet e tjerë) dhe reformoi liturgjinë, duke e braktisur meshën në latinisht.

Fatkeqësisht, Gjon Pali XXIII ndërroi jetë prej kancerit në 1963, duke e lënë Këshillin në duar të pasardhësit, më i maturi Pali VI. “Por për reformat pothuajse të 2676 etërit e këshillit ishin dakord”, konkludon eksperti. “Dhe pavarësisht rehabilitimit kohët e fundit të ultrakonservatorëve të shkëputur atëherë nga Benedikti XVI, që ka folur për “hap prapa”, në kishë fryma e Këshillit është ende e gjallë”.
/Focus
 
Top