Nuk duam një Shën Naum tjetër!

Screenshot_20201228-130358_Gmail-905x395.jpg
Nga Rafail Floqi *

Pas zyrtarizmit që Greqia i bëri zgjerimit me 12 milje në detin Jon, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një gjuhë të ashpër, për çudi, jo ndaj Greqisë, por ndaj shqiptarëve që shprehën shqetësim. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se kush e kundërshton zgjerimin e Greqisë, sipas tij, është llumi i shqiptarisë.

Të shprehësh shqetësim për fatin e trojeve e deteve tona, kjo të bën “llumin e shqiptarisë”?! Zoti Rama, stërgjyshët e mi, fisi im kanë firmosur Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë krijuar Vatrën.

Unë nuk dua të besoj, ato për të cilat të akuzon Berisha, ai ka pjesën e tij të madhe në këtë. Ishte kaq qesharak në intervistën ku tha unë pranova 6 milje dhe jo 12 milje. Unë “llumi” nuk dua të besoj se je një Spiromilo as një Zeograf bis i kohëve të sotme; nuk dua të besoj se je antishqiptar, edhe pse nuk arrij ta kuptoj që kryeministri i Shqipërisë takon një prift grek në New York, por nuk gjen kohë të takoj një shqiptar.

Ti thua që ne “jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Evropës, ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës”

Vërtetë? Po si e rrëmbeu Rusia, Krimenë pikërisht në shekullin 21?! A s’më thua, pse Greqia dhe Turqia po shkojnë drejt një përplasje e lufte të mundshme?

Ti vjen nga fusha e topit të basketbollit dhe pikturës. Si mund të jetë më injorant se ty për detin diplomati veteran Shaban Murati? Pse e morët përsipër ju si “ide tuajën” dërgimin në Hagë, kur dihet që është ide e hershme e diplomacisë greke? Dhe përse në Gjykatën e Hagës dhe jo në Tribunalin Ndërkombëtar për Ligjin e Detit?

Profesor Murati citoi këtu në DITA dokumente zyrtare të Athinës, konkretisht deklaratën zyrtare të qeverisë së Greqisë e depozituar në OKB në 14 Janar 2015. Sipas saj, “Greqia në parim e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me përjashtim të disa çështjeve të rëndësishme të interesit të saj kombëtar”. Në këtë mënyrë, z. Rama, Greqia e ka bllokuar paraprakisht nga pikëpamja juridike çdo vendim të papëlqyeshëm për të nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe mund të pranojë vetëm atë vendim që i zgjeron asaj hapësirat detare në dëm të Shqipërisë.

Kjo është lehtësisht e verifikueshme, pse nuk i përgjigjeni kësaj?

Ti thua se Greqia ka të drejtë të zgjerohet dhe se po e ushtron këtë të drejtë “fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990”. Ky është manipulim. Sipas prof. Xhezair Zaganjorit “ne kemi patur 15 milje, dhe na është kërkuar që duhet t’i bëjmë 12 milje dhe ne aq i bëmë”. Pra kemi korrigjuar dhe jemi ngushtuar, nuk bëhet fjalë për zgjerim.

E si mund të jetë më injorant se ty njohësi më i mirë i kësaj çështje, koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, bilbilfryrësi që e ngriti për herë të parë këtë çështje, të cilën me të drejtë ti e çove në Gjykatën Kushtetuese, kur të interesonte politikisht.

Pashaj shprehet se “pa një marrëveshje me Shqipërinë për të përcaktuar kufijtë detarë, Greqia nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në zgjerime hapësirash detare”. Zoti Pashaj paralajmëroi se në këtë turbullirë dhe tymnajë detare, Greqia ka rastin që të përfitojë, në shtrirje dhe zgjerim të 12 miljeve detare. Dhe kjo sapo ndodhi! Pra nuk ishte “dokërr injoranti”.

Unë bashkohem me propozimin e Pashajt se urgjentisht duhet të thirret një Forum Gjeoshkencor dhe Juridik i së Drejtës Detare Ndërkombëtare, nga institucione shqiptare, që tërë këtyre problemeve t’u japë qartësinë e duhur.

Ne “llumi” duam të dimë përtej mllefit tënd për këtë dhuratë me qymyr për Krishtlindje: Ku janë detajet çka pranon dhe nuk pranon Shqipëria dhe cilat janë kërkesat që ka paraqitur Greqia? Pse na i fshihni këto? Ku janë detajet që bini dakord dhe ato që keni kundërshtim? Gjykata nga ana e saj nuk merr përsipër pretendimet e një shteti nëse nuk ka mosmarrëveshje. Na sqaroni çka nuk pranon shteti shqiptar nga kërkesat greke dhe anasjelltas.

Në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë hodhi poshtë Marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, të nënshkruar nga dy palët, kur në Shqipëri në pushtet ishte PD. GJK e konsideroi marrëveshjen “antikushtetuese, të karakterizuar nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”.

A dini të na shpjegoni pse në median greke ka entuziazëm për vendimin për të shkuar në Hagë? Mos vallë sepse ky hap kapërcen impasin e vendimit të mësipërm të Gjykatës Kushtetuese? Nëse nuk mund të na jepni detaje nga bisedimet me Greqinë, a mund të na thoni çfarë mbështesni dhe çfarë hidhni poshtë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje?

Ju thoni se e keni mik zotin Erdogan. Atëherë merreni shembull dhe studioni mosmarrëveshjet, greko-turke. Shihni pse Turqia ka refuzuar të ratifikojë Konventën e KB mbi Ligjin e Detit (UNCLOS) të vitit 1982. Ajo e ka bërë këtë kryesisht për të prishur të drejtat e ofruara për ishujt grekë në Egje dhe Lindje Mesdhetare.

Në 1995, Parlamenti Turk, në mënyrë të jashtëzakonshme, deklaroi se shtrirja e ujërave territoriale të ishujve të Greqisë në Egje në 12 milje detare (një e drejtë nën UNCLOS) do të përbënte një ‘casus belli’. Pra shkak për Luftë z. Rama. Ne nuk kërkojmë këtë gjë z.Rama, por nuk duam të kemi një Shën Naum tjetër.

Përgjigja greke ndaj Turqisë për arsye që dihet ka qenë e matur. Greqia nuk ka pohuar të drejtat e saj sovrane për 12 milje detare të ujërave territoriale në Egje (megjithëse e ka bërë tani në Jon), dhe ka treguar gjatë gatishmërinë e saj për të negociuar caktimin e kufijve të shelfit kontinental, e cila, në terma praktikë, gjithashtu nënkupton ZEE-në e saj.

Zbulimet e fundit të gazit në Mesdheun Lindor i shtojnë karburant dhe urgjencë pozicionit Grek, pa e ndryshuar thelbësisht atë. Në caktimin e kufijve të saj të EEZ me shtetet e tjera, Greqia ka ecur me kujdes: ajo nuk ka përdorur, për shembull, koordinatat e Kastellorizo në caktimin e saj të pjesshëm me Egjiptin.

Po me Shqipërinë z. Rama, Greqia i jep vlerë dhe ishujve të pabanuar dhe shkëmbinjve nënujorë. Cili është qëndrimi juaj z Rama mbi parimin e ekuitesë apo të vijës së mesit, apo s’e kuptoni dot. Sidoqoftë vijën e mesme duhet ta dini nga piktura se nga gjeometria s’e besoj. Kush peshon më shumë një ishull i pabanuar apo shkëmbi i Gjuhëzës apo kontinenti?

Ne hidhërohemi. Nuk kemi arsye të gëzohemi. Do të ishte vërtet për t’u gëzuar nëse Greqia do të kishte anuluar ligjin e Luftës siç keni premtuar. Unë mendoj me dhimbje se ti zoti Rama po vijon traditën e lëshimeve të rënda për pushtet të paraardhësve të tu. Po të ishte ndryshe nuk do ndodhte që mijëra shqiptarë të pafajshëm, mes tyre gra e fëmijë në Kolonjën, Panaritin apo Hormovën martire nuk kanë sot as varre e as monumente, ndërsa grekët që pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së dytë Botërore kanë varre të reja.

E sa për detin, sikur asgjë nga cfarë shkruam më sipër të mos vlejë, të paktën pyesni veten: Pse ky ngut? Pse? A nuk ju shqetëson kjo, zoti kryeministër? Ku e gjen kurajon të marrësh vendime të tilla?! Kur është në fjalë toka dhe ujërat e Shqipërisë, të gjithëve që kanë gjak shqiptar në vena u ke borxh transparencën. Dhe këto nuk janë “dokrra hinit”, siç thoshte Fishta dhe as patriotizëm folklorik.

Boll më! Mos iu drejto intelektualëve dhe patriotëve me slangun e rrugës kur je në vështirësi, se llumi i historisë ka për të të marrë.



—–

Botuar në DITA. Autori është kryeredaktor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës. Opinionet janë personale
 
Top