Pandemia i ka bërë njerëzit më bujarë apo më egoistë?

B3B66402-EE0A-4B2E-8AF8-B0FD83776DA5.jpeg



A na ka bërë pandemia e Covid-19 – dhe recesioni ekonomik i shkaktuar prej saj – më shumë bujarë këtë vit? A ka ndryshuar mënyra se si i ndihmojmë të tjerët? Kjo gjë në SHBA kuptohet zakonisht në fund të vitit, pasi rreth 30 për qind e totalit të donacioneve vjetore ndodh pikërisht gjatë dhjetorit.

Gjithsesi aktualisht ka disa të dhëna mbi këtë çështje. “Tendenca është në përgjithësi në rritje”- thotë Viktoria Vrana, nëndrejtore në Fondacionin Gejts. Ajo përmend një studim nga Projekti i Efektivitetit të Rritjes së Fondeve, që mbledh të dhëna në kohë reale nga disa platforma on-line të mbledhjes së fondeve.

“Ata tregojnë një rritje të përgjithshme gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit. Dhe pjesa më emocionuese është rritja e dhuratave të vogla dhe donatorëve të rinj”- shton ajo. Rreth 56 për qind e familjeve amerikane bënë bamirësi ose dolën vullnetarë në përgjigje të krizës së pandemisë.

Sipas një sondazhi të “Harris Poll” të kryer për “Fast Company”, “nevoja për lehtësimin e urisë ka sjelle rritjen e akteve bamirëse”. Të njëjtën gjë konstatoi“Charity Navigator” në muajt marsi-tetor: Donacionet për “Feeding America” u rritën me 1.980 për qind dhe ato ndaj organizatës “Mjekët pa Kufij’ u rritën me 131 për qind.

Organizatat jofitimprurëse të fokusuara në ndihmën për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 po marrin fonde të konsiderueshme në çdo shtet të SHBA. Natyra globale e pandemisë, ka nxitur disa donatorë të mendojnë përtej familjes së tyre,dhe të kryejnë transferime në para të thata, si një mënyrë për të lehtësuar jetën e njerëzve në të gjithë botën.

“Një tendencën e re interesante, është interesi për t’u dhënë para direkt individëve”- shton Vrana. Për shembull fondacioni “GiveDirectly” mblodhi 118 milion dollarë për SHBA dhe 76 milionë për vendet afrikane. Organizata ndihmoi 116.000 familje në SHBA dhe 342.000 familje në Kenia, Liberi, Malavi dhe Ruanda.

Ky vit ka sjellë një mbështetje të shtuar dhe nga qeveritë, në formën e një të ardhure themelore universale (UBI). Qeveria e Spanjës ka shpërndarë pagesa deri në 1.015 euro për familjet më të varfra në vend, ndërsa Gjermania filloi një eksperiment të ri me të ardhurat themelore në muajin gusht.

Kur shkencëtarët Daniel Netëll dhe Rebeka Saks anketuan njerëz në SHBA dhe Britaninë muajt prill, maj dhe shtator, ata zbuluan se pandemia e rriti mbështetjen për skemën UBI në të dyja vendet. Por nga ana tjetër ata zbuluan disa indikacione paraprake se njerëzit besojnë se të tjerët do të vepronin në një mënyrë më egoistë sesa bashkëpunuese në një pandemi.

Siç e thekson psikologu i Universitetit të Stenfordit, Xhamil Zaki, ka dy histori themelore që njerëzit pëlqejnë të tregojnë mbi mënyrën e sjelljes së qenieve njerëzore në kohë krizash.

Sipas një historie, individët panikosen, thyejnë normat sociale dhe sillen me një egoizëm ekstrem. Historia tjetër është e kundërt:Njerëzit janë mrekullisht bujarë pas katastrofës!

Ata dhurojnë para, bëhen vullnetarë, përpiqen të ndihmojnë fqinjët e tyre. Ne shohim më shumë altruizëm dhe sjellje pro-sociale gjatë një krize sesa në kohë normale.

Narrativa e parë shihet shpesh e pasqyruar nga mediat. Për shembull, pas Uraganit Katrina, “The New York Times” e përshkroi Nju Orlinsin si një “gropë me gjarpërinj ku dominon anarkia, vdekja, plaçkitjet, përdhunimet, bandate grabitësve”.

Dhe pjesërisht për shkak të portretizimeve mediatike, kjo sjellje e paligjshme është ajo që shumë njerëz kanë pritur edhe presin në kohë krizash. Në një studim, njerëzit ranë në përgjithësi dakord me thëniet si “Kur ka një krizë, anëtarët e turmës veprojnë në mënyrë egoiste”,dhe “Kur ka një emergjencë, prishet rendi shoqëror”.

Por kur shikon rekordin historik, ai mbështet më shumë narrativën e dytë. “Dhembshuria ndaj katastrofës është e përhapur dhe e qëndrueshme. Ajo ndodh pas tërmeteve, luftës, sulmeve terroriste, uraganeve dhe cunamit, dhe tani në një pandemi”-shkruan Zaki.

Për shembull, ndërsa Covid-19 u përhap me shpejtësi, vullnetarët në të gjithë botën filluan krijimin e ndihmës reciproke të Google Docs. Në ato skedarë, ata shënuan informacionin e tyre të kontaktit dhe u ofruan t’i çonin ushqime ose ilaçe fqinjëve të tyre të pambrojtur.

Megjithatë, njerëzit në përgjithësi priren të besojnë ende në historinë më pesimiste të natyrës njerëzore. Por Atena Aktipis, psikologe në Universitetin Shtetëror të Arizonës është e bindur se periudhat e krizës mund të nxjerrin më të mirën tek ne njerëzit, për sa kohë që nuk shqetësohemi se të tjerët do të përfitojnë nga gatishmëria jonë për të bashkëpunuar.

bota.al
 
Top