Perdorimi kriminal i vaksinave per vota

AGRON GJEKMARKAJ

Sot ma bëri Zoti nafake të rrija në shtëpi dhe po ai më shtyu të ndez televizorin, ku në çdo stacion doli ai që nuk mungon kurrë…

Deri tani, në këtë dekik që po hedh këto mejtime mbi kartë, vetëm ai i qet kryet kudo. Një ditë e plotë propagande. U shfaq në Farkë që në sabah me shpiat e tërmetit si Jani Ferra me Rexhep Dacin (dy personazhe të një filmi socrealist) dhe pastaj duke hedhur ujë mbi zjarrminë që ka shkaktuar denoncimi i familjarëve të viktimave të kovidit në spitalet tona. Teksa ai fliste, ministrushja Ogerta Manastirliu tundte kokën e saj të mbështjellë me një maske lozonjare, ku mërzisë së Kryeministrit i shtohej melankolia e saj si vaj ulliri në sallatë.

Gjoci e Mrici janë një dyshe që shfaqet shpesh në përrallat e Ultësirës Perëndimore në veri të vendit. Sot, Gjoci llafosej, Mrici e shikonte nga poshtë-lart me admirim, duke tundur kaptinën plot mend e derte shkaktuar nga virusi.

Tani që e ka marrë ferra uratën në menaxhimin e koronavirusit, e beson edhe qeveria.

Spitalet janë plot, shtëpitë plot, vaksina s’ka ose ka aq sa pas çdo vaksine të gjejë kohë vetë Edi Rama dhe të dalë teksa shpohet tek-tuk ndonjë. Njerëz vdesin përditë me shumicë. Por këto janë gjëra të njohura.

Vëmendjen, e cila goditet herë pas here nga thagmat e njeriu që do mandatin e tretë për 1 mijë shtëpi që po bëhen dhe për të bërë zap smunllëkun që ka zaptuar sokakët dhe sidomos për ta shndërruar mjekësinë në nur paradizi, megjithëse na e pat premtuar që në 2013 e përsërit në 2017 dhe prapë kësaj here.

Por, vakia sot qe një tjetër në kufijtë e së pabesueshmes. Do vaksinojmë, tha, ca të moshuar, po jo pleq të zakonshëm, madje as veteranët, por personalitetet në moshë të thyer. Pa u marrë shumë me subjektivitetin e standardit për të qenë personalitet apo jo tek e drejta për jetën të gjitha qeniet njerëzore janë njësoj.

Një përzgjedhje e tillë është kriminale, është e neveritshme, është e përbuzshme dhe e dënueshme. Vetëm një delirant i zgjidhur nga të gjithë zinxhirët e arsyes i jep të drejtën vetes të përcaktojë kush janë personalitetet e kush jo, kjo garë makabre mes të moshuarve. S’e kishim dëgjuar askund këtë postulat, as besonim ta dëgjonim.

Në Europë standardet dhe rregullat vlejnë për të gjithë. Kryeministri italian as që e bëri vaksinën për vete dhe jo vetëm kaq, por as atij e as homologëve të tij nuk ua lejon etika humane të vënë kritere kaq makabre e diferencuese në vaksinimin e popullatës.

Sa personalitete ka Shqipëria? Çfarë kriteresh dhe formularësh plotësohen për të qenë e ndjerë të tillë? Mos do na qesin disa emra për të na mbyllur gojën me sentimentalizëm? Sa vetë ndihen personalitete… kur vaksinat janë vetëm ca qese? Kur të vaksinohen personalitetet, të tjerët do jenë më të qetë se kjo është aspirata e tyre? Kush do jetë komisioni vlerësues i personaliteteve, Akademia e Gjinushit apo ndonjë tjetër kotec ideologjik? Këto dhe shumë pyetje të tjera lindin në mesin e një dite propagandistike, ku habia kalon çdo fantazi dhe fantazia përfundon te përbuzja e refuzimi.

Edi Rama rrezoi strategjinë e prezantuar nga Ministria e Shendetesise dhe Komiteti Teknik, ku mjekët ishin të paret e kështu me radhë. Sot, me “personalitetet” e tij dëshmoi se dëshiron të blejë vota me vaksina dhe influencë publike nëpërmjet emrash të caktuar.

Bielinski thotë: “Nga të gjitha pasionet njerëzore, pas egoizmit, pasioni më i madh e më i egër është ambicia për pushtet. Mund të themi me siguri se asnjë pasion nuk i ka kushtuar njerëzimit kaq vuajtje dhe gjak sa ambicia për pushtet”. Ai qerrata Bielinsk, ne dhe Prijësin tonë legjendar, paskësh pasur parasysh. Ky të blen jetën me vaksina dhe ata ia kthejnë me vota. Në dukje një pantonimë e pështirë, në thelb e denjë për tragjeditë greke.

Panorama.al
 
Top