Perse u ndodhin kaq shume fatkeqesi njerezve te mire?

Ti më pyete përsë vallë u ndodhin kaq shumë fatkeqësi njerëzve të mirë, nëse bota drejtohet nga provania.

Kjo temë kërkon një shtjellim më të gjerë, sepse më parë duhet treguar se është e vërtetë që provania drejton gjithësinë dhe se ka një Zot që kujdeset për ne, por meqënëse ti më kërkon të trajtoj vetëm një pjesë të çështjes, për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, pa shkuar në thellësi të krejt çështjes, do të bëj diçka shumë të thjeshtë: do të mbroj hyjnitë.

Para së gjithash, është e kotë të tregosh, tani për tani, se si një vepër kaq e madhe siç është gjithësia mund të mbahet në këmbë pa ndihmën e dikujt dhe se si lëvizja e harmonishme e yjeve nuk mund të jetë e rastësishme, sepse gjithçka që është krijuar rastësisht pëson luhatje të shpeshta dhe ndryshime të papritura; ndërsa kjo lëvizje e pandryshueshme e gjithësisë, e cila sjell një sasi të pafund frymorësh e jofrymorësh në tokë dhe në det, dhe përshkëndit në qiell një numër të madh yjesh të shkëlqyeshëm, sipas një rregulli që e vendos secilin në një vend të caktuar, patjetër që kryhet sipas parimeve të një ligji të përjetshëm.

Ky rregull nuk mund të rrjedhë nga një materie e verbër, e cila vagëllon rastësisht dhe nuk ka mundësi që elementët e bashkuar rastësisht të krijojnë një ekuilibër kaq organik sa t’i lejojnë masës së rëndë tokësore të qëndrojë e palëvizur në mes të qiellit që rrotullohet rreth saj, aq sa detet të depërtojnë nëpër lugina për të zbutur tokën dhe të thithin ujin e lumenjve pa tejbajtur, e aq sa të lejojnë lindjen e krijesave të mëdha nga fara të vogla.

Por edhe dukuritë, në dukje të shthurura dhe të çrregullta-si shirat, retë, shpërthimi i dhunshëm i vetëtimave, llavat që dalin nga majat e vullkaneve, lëkundjet e tërrmetit dhe të gjitha turbullimet e shkaktuara nga lëvizja e atmosferës që rrethon tokën-megjithëse janë të paparashikueshme, nuk ndodhin pa një arsye. Të gjitha kanë shkaqet e tyre, ashtu siç i kanë ato dukuri, të cilat, duke u shfaqur atje ku ne nuk i presim, na duken të mrekullueshme: për shembull, burimet e ujit të ngrohtë në mes të detit dhe ishujt e rinj që lindin papritur në oqeanin e pafund.

Fundja, nëse vërejmë se si brigjet dalin në sipërfaqje për shkak të tërheqjes së detit dhe pastaj përmbyten përsëri në një hapësirë të shkurtër kohe, mos vallë duhet menduar për ndonjë impuls të verbër, në sajë të të cilit dallgët herë përmblidhen dhe tërhiqen, herë ngrihen dhe marrin përsëri vendin e tyre në një kohë të shkurtër?

Përkundrazi, ato ngrihen dhe ulen në orë e në ditë të caktuara, më shumë a më pak sipas ndikimit të hënës, e cila sjell vërshimin e oqeanit. Por, le t’i lëmë për më vone bisedimet mbi këto dukuri, aq më tepër sepse ti nuk ke asnjë dyshim mbi ekzistencën e Zotit, vetëm se ankohesh për të.

Unë dua të të pajtoj me Zotin dhe të të tregoj se ai nuk është i padrejtë me njerëzit e mirë. Është ligj i natyrës: një e mirë nuk mund t’i bëjë dëm njerëzve të ndershëm. Mes njerëzve të virtytshëm dhe hyjnive ka një marrëdhënie të ngushtë miqësie, të bazuar mbi virtytin , madje më shumë se një lidhje farefisnore , një ngjashmëri, sepse njeriu i drejtë ndryshon nga Zoti vetëm nga koha, dua të them ngaqë ai nuk është i përjetshëm si Zoti. Ky i fundit, si baba i mrekullueshëm që është, por edhe i kërkueshëm, kur bëhet fjalë për virtytin, e edukon atë si të ishte fëmija i tij i vërtetë, dishepull e kundërshtar, e edukon më rreptë sesa të tjerët, siç bëjnë të gjithë baballarët e ashpër.

Prandaj, kur të shikosh njerëzit e mirë dhe të dashur nga hyjnitë, të lodhen, të djersitin dhe të ngjitin tatëpjeta të vështira, ndërsa të këqijtë argëtohen dhe notojnë në kënaqësitë e paturpshme të trupit, kujto se ajo që na gëzon te fëmijët tanë është thjeshtësia e tyre, përballë pafytyrësisë së fëmijëve të shërbëtorëve dhe ndërsa tanët i mbajnë nën frerë me një disiplinë të rreptë, ushqejmë kështu pafytyrësinë e të tjerëve. Në këtë mënyrë sillet edhe Zoti: ai nuk e përkund njeriun e virtytshmë në kënaqësi, por e vë në provë, e kalit, e bën atë të denjë për vetveten.

“Po atëherë përse u ndodhin kaq shumë fatkeqësi njerëzve të mirë?. Para së gjithash, njeriut të mirë nuk mund t’i ndodhë asgjë vërtet e keqe: gjërat e kundërta nuk mund të përzihen mes tyre . Sasia e lumenjve dhe i shirave që bien nga qielli, si edhe burimet e shumta mjekësore, nuk e ndryshojnë shijen e kripur të detit, e aq më tepër nuk e ëmbëlsojnë atë: po ashtu edhe sulmi i fatkeqësive nuk e cënon shpirtin e njeriut të fortë. Ai qëndron i palëvizur në gjendjen dhe në bindjet e tij, sepse është më i fuqishëm se ato që ndodhin rreth tij.

Ai patjetër që është i ndjeshëm ndaj fatkeqësive, por fiton mbi to e, megjithëse është i qetë dhe i shtruar nga natyra, ai di të ngrihet kundër tyre. Për atë të gjitha fatkeqësitë janë prova. Kush është ai i cili, i ndershëm dhe i denjë për t’u vënë në provë dhe për të përmbushur detyrën e tij duke përballuar edhe rreziqet më të mëdha?

Plogështia është vuajtje për njeriun e zellshëm. Shiko atletët, të cilët janë gjithnjë të kujdesshëm për fuqitë e tyre: ata maten me më të fuqishmit dhe u kërkojnë trajnerëve që t’i përgatitin sa më mirë për garën dhe t’u japin gjithë gjallërinë e duhur; ata marrin goditje njëra pas tjetrës dhe, nëse nuk gjejnë një kundërshtar në lartërsinë e tyre, ndeshen njëkohësisht me më shumë se një.

Guximi zbutet pa kundërshtarë dhe vetëm kur tregon se sa peshë mund të mbajë, atëherë mund të nxjerrë në pah se sa i madh e i fuqishëm është. Kështu duhet të sillen edhe njerëzit e virtytshëm, pra të mos kenë frikë nga provat e ashpra dhe të vështira e të mos ankohen për fatin e tyre. Ata, përkundrazi, duhet të dinë të përshtaten me atë që u ndodh dhe ta kthejnë në dobi të tyre. Nuk ka rëndësi se çfarë duhet të durosh, por se si di ta urosh atë.

Shiko sesa e ndryshme është dashuria e nënës dhe ajo e babës. Babai i zgjon fëmijët herët në mëngjes që të merren me punët e tyre dhe nuk do që të pushojnë as në ditët e festave, ai i bën ata të derdhin lot e djersë; kurse nëna dëshiron t’i ketë gjithmonë pranë vetes, të jetë mburoja e tyre, t’i mbrojë nga trishtimi, nga lotët dhe lodhja.

Zoti me njerëzit e mirë ka shpirtin e një babai, ai i do shumë ata, por nuk ka dobësi dhe thotë: “Lodhjet , dhimbjet dhe fatkeqësitë i ndihmojnë që t’i kenë gjithnjë sytë hapur, kështu ata do të jenë vërtet të fortë”.
Kafshët që shëndoshen nga plogështia, dobësohen dhe jo vetëm që nuk janë më në gjendje të bëjnë asgjë, por nuk arrijnë as të lëvizin dhe të mbajnë peshën e trupit të tyre.
Një lumturi e cila nuk është vënë asnjëherë në provë lëkundet që me goditjen e parë, ndërsa kush është ndeshur gjithnjë me veshtirësitë , është mësuar dhe nuk rrëzohet përballë asnjë të keqeje, edhe sikur të rrëzohet vazhdon të luftojë në gjunjë.

Tani ti habitesh përse Zoti, i cili i do kaq shumë njerëzit e mirë dhe dëshiron që ata të jenë gjithnjë më të mirë e të përsosur, u cakton atyre një fat që i vë përballë provave të vështira? Unë, për vete, nuk habitem aspak nëse, herë pas here, ai dëshiron të shikojë njerëz fisnikë të përballen me ndonjë vështirësi.

Edhe ne na pëlqen ndonjëherë të shikojmë një djalosh të guximshëm, i cili, me shtizën në dorë, përballon sulmin e një kafshe të egër dhe, pa iu dridhur qerpiku, duron egërsinë e një luani. E, sa më i guximshëm të jetë ai që lufton, aq më shumë na pëlqen shfaqja. Por nuk janë këto gjëra, argëtime fëmijërore, të cilat i shkojnë për shtat mendjelehtësisë njerëzore, ato që i bien në sy hyjnive. Ja një shfaqje e cila ia tërheq vëmendjen Zotit nga punët e tij: një njeri i fuqishëm i cili matet me fatin e keq, sidomos nëse atë betejë e ka shkaktuar ai vetë.

Zoti, në të vërtetë, ç’shfaqje më të bukur se Katoni mund të shikojë në tokë, i cili, megjithëse pësoi humbje të vazhdueshme, qëndron kryelartë mes gjithë atij shkatërrimi. Duket sikur thotë: “Edhe pse çdo gjë është nën zotërimin e Çezarit dhe tashmë legjionet e tij kryesojnë tokën e anijet e tij, detin, dhe ushtarët e tij u janë pas dyerve të qytetit, Katoni prapëseprapë di se si t’ia dalë mbanë:vetëm me një dorë do dijë ta hapë rrugën drejt lirisë. Kjo shpatë, e cila ka qëndruar e pastër dhe e panjollosur edhe në mes të luftës civile, do bëjë më në fund një vepër të mirë dhe bujare: do t’i japë Katonit atë liri që nuk ka mundur t’i japë vendlindjes. Bëje, shpirti im, atë që ke menduar prej kohësh, tërhiqu nga çështjet njerëzore! Petreio dhe Xhuba janë ndeshur dhe tani prehen të vrarë nga dora e njëri- tjetrit: marrëveshje për një vdekje fisnike dhe të guximshme, por që nuk i shkon për shtat madhështisë së Katonit. Për Katonin, t’i kërkosh vdekjen e dikujt tjetër nuk është më pak e turpshme sesa t’i kërkosh jetën.”

Jam i bindur që hyjnitë e kanë parë me kënaqësi të madhe këtë njeri, hakmarrës krenar i vetvetes. Ai, pasi u kujdes që të tjerët të shpëtonin dhe organizoi nisjen e të arratisurve, i kushtoi natën e fundit leximeve dhe, së fundi, futi shpatën në gjoksin e tij fisnik, hapi barkun me duart e tij për të liruar kështu shpirtin e tij të shenjtë të cilin do ta kishte infektuar takimi me hekurin. Zoti nuk u kënaq që ai të kishte një vdekje të shpejtë, prandaj plaga e shkaktuar nga shpata nuk ishte e saktë dhe e vlefshme, por shërbeu për të treguar vlerat e tij në një provë akoma më të vështirë: të përballesh me vdekjen për së dyti, kërkon më shumë guxim sesa hera e parë. Përse Zoti nuk duhej ta shikonte me kënaqësi dishepullin e tij, i cili dilte nga skena e botës me një vdekje kaq lavidplotë dhe të paharrueshme? Një vdekje e tillë e shenjtëron njeriun në përjetësi dhe është e lëvduar edhe nga ata që kanë frikë prej saj.

*Shkëputur nga libri i Senekës: “Dialogje”
 

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Ne thelb keto filozfit e shpirtit percjellin nje ajk shpirti qe te ben te duash te miren,ta dashtuosh dhe te veprosh dhe njohesh te miren.
Por neper kohe dhe histori njerzore,nuk pine shume uji,pasi pergjakja ka qene katastrofa njerzore.
Ndaj vete njerzimi duke qene i ndare ne turma me energji te ndryshme universi.
Nga negative deri ne ate pozitive,don kujdes.
I keqi duhet te ndeshkohet qe ta kuptoje.
Pa c`ka se i miri fiton duelin,po jo gjithnje.
Ata qe STalini Vrau nuk kthehen me.
Prandaj njeriu duhet te jete me i zgjuar se c1do lloj psikopoati,apo mostre, qe vete shoqeria njerzore prodhon.
Dhe t`ia pres ujrat ne kohe.
 

Ledia

ShKoDrAnE.4.eVeR
Sepse njerzit e mire jan gjithmon ne prove nga zoti. Se shpirti tyre eshte aq i madh saqe cfare do gjeje ti ndodhin ne jete bien ne tok po ngrihen me te fort dhe buzeqeshin jetes gjithmon dhe pse pas asaj buzeqeshje mund te ket lot dhe dhimbje
 

Marakli^Krapit

Antarë i Respektuar
ZOTI I SPROVON BESIMTARËT
Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “Elif Lam Mim. A menduan njerëzit se do të thonë: “Ne kemi besuar” e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, në mënyrë që Allahu t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët”. (El Ankebut: 1-3)
Gabon ai njeri, që ka menduar se dynjaja është vendi i rehatisë dhe i luksit. Sikur të shpenzojë gjithë pasurinë e kësaj dynjaje, përsëri do të kuptojë se dynjaja kurrë nuk mund të jetë e tillë. Ai njeri që mendon se të jesh besimtar do të thotë ta kesh dynjanë fushë me lule, të mos godasë asnjë fatkeqësi në trup, në familje apo në pasuri, ai gabon rëndë. Gabon ai njeri, që mendon se fatkeqësi dhe sprovë është vetëm e keqja dhe nuk e mendon se sprovë është edhe e mira, madje ajo mund të jetë sprovë edhe më e madhe se fatkeqësitë.
Gjithçka në këtë botë është sprovë. Ajo që të duket e ëmbël është sprovë, ajo që të duket e hidhur është sprovë. Zoti thotë në Kuranin fisnik: “dhe Ne ju sprovojmë juve me të mira dhe me të këqija dhe ju tek Ne do të ktheheni”.
Gabon ai njeri, që mendon se sprovat janë vetëm për një brez njerëzish, janë vetëm për një popull, janë vetëm për të këqijtë. Sprovat janë për të gjithë njerëzit. Ato përfshijnë edhe njerëzit e mirë me në krye profetët e Zotit. Madje e çuditshme është, se ata sprovohen më shumë se të gjithë të tjerët. Profeti (a.s) thoshte: “Ata që Zoti i sprovon më shumë, janë profetët e Tij, pastaj sprovohen njerëzit me radhë sipas besimit që kanë”. Kur Zoti e sheh se robi e ka besimin e fortë, e sprovon atë, ndërsa kur sheh se njeriu e ka besimin e dobët, nuk e sprovon, sepse i vjen keq për krijesën e Tij.
Ajo që i dallon njerëzit karshi sprovës është besimi. Kur besimtari sprovohet, ai duron, reflekton dhe lartësohet tek Zoti i gjithësisë. Kur jobesimtari sprovohet, shfryn mllef dhe inat ndaj Zotit, si dhe mallkon çdo gjë që është rreth tij. Kështu ai zhytet më shumë në stres dhe në sprovë.
Të besosh në Zot, ta lartësosh emrin e Tij, t`i ruash vlerat njerëzore, ta ruash drejtësinë, t`i japësh hakun atij që e meriton, t`i tregosh vendin zullumqarit dhe të padrejtit, të gjitha këto janë detyra të vështira. Ato nuk mund të vijnë kurrë pa sprova, pa mund, pa djersë e pa sakrifica. Nëse profetët e Zotit dhe besimtarët pas tyre kanë vënë mbi supe këtë detyrë kaq të madhe, që edhe malet nuk e mbajtën, atëherë ata le ta mirëpresin sprovën, se sprova është e domosdoshme për të çuar në vend amanetin e Allahut (xh.sh).
Pikërisht për rrugën e se vërtetës dhe të drejtës u lodh për 950 vite Nuhu (a.s). Gjatë gjithë kësaj kohe ai duronte ofendime nga më të ndryshmet prej atyre që nuk e besonin Zotin.
Për këtë rrugë u hodh në zjarr Ibrahimi (a.s) dhe ai duroi, sepse e dinte se kjo është natyra e kësaj rruge. Në këtë rrugë u dëbua Musai (a.s) nga Egjipti. Për këtë rrugë u tentua të vritet Isai (a.s). Për këtë rrugë u burgos Jusufi (a.s) dhe qëndroi për vite të tëra në burg, sepse edhe ai e dinte, se kjo është natyra e kësaj rruge. Për këtë rrugë u sharrua Zekerija (a.s). Në këtë rrugë u vra Jahja (a.s).
Për këtë rrugë u lodh profeti (a.s) për 13 vite në Meke. Ai e donte jetën e qetë e të lumtur, por e dinte se kjo është natyra e kësaj rruge. Ai vuante sprovë pas sprove, stres pas stresi dhe shqetësimin më të madh e kishte kur shikonte shokët e tij të pafajshëm, që torturoheshin dhe ai nuk i ndihmonte dot, por u thoshte: “Duroni o familja e Jasirit. Vendtakimi ynë është xheneti i Zotit”.
Kur dikush nga shokët e tij i tha: “O profet i Zotit! A jemi në të vërtetën?” “Patjetër – iu përgjigj profeti (a.s). Shoku i tij ia ktheu: “Atëherë pse vuajmë kaq shumë. Lute Zotin për ne”. Profeti (a.s) i tha: “Pasha Zotin, njerëzit që kanë qenë përpara jush janë sprovuar më shumë sesa ju. Janë futur në një gropë dhe iu është thënë: “Ose braktisni besimin tuaj ose do të vdisni”. Ata kanë zgjedhur besimin dhe pas kësaj janë sharruar nga koka deri në fund të këmbëve dhe nuk hiqnin dorë nga feja e tyre, por ju nxitoheni. Do të vijë ajo ditë, kur Zoti do ta plotësojë fenë e Tij dhe bariu do të udhëtojë i qetë nga Sana`aja në Hadrameut pa pasur frikë askënd përveç Zotit dhe do të jetë i shqetësuar se mos ujku i ha delet”.
Kurani fisnik tregon për një grup besimtarësh nga populli i Isait (a.s), të cilët u sprovuan nga mbreti i asaj kohe. Ata duhet të zgjidhnin mes besimit të tyre dhe hedhjes në gropat e zjarrit. Por ata nuk hoqën dorë prej besimit të tyre dhe ushtarët e mbretit filluan t`i hidhnin njerëzit një e nga një në zjarr. Tregohet për një grua, që në dorë kishë foshnjën e saj. Kur erdhi radha e saj, ajo u tremb, sepse iu dhimbs foshnja. Në këto momente hezitimi, Zoti i dha gjuhë kësaj foshnje dhe ai i tha nënës së tij: ”Hidhu o nënë, mos kij frikë, ti je me të vërtetën”.
Profeti (a.s) duroi 10 vjet në Medine luftë pas lufte dhe të gjitha luftërat ishin të imponuara. Por ai i qëndroi besnik kësaj rruge. Ai u plagos në këtë rrugë. Pati shumë atentate për ta vrarë atë, por asnjëherë nuk u mërzit, sepse e dinte se kjo është natyra e kësaj rruge. Ai (a.s) qëndroi deri në fund dhe Zoti ia zbardhi faqen në këtë botë dhe në botën tjetër.
Askush të mos mendojë se sprova është dënim prej Zotit. Sprova Ajo në radhë të parë është ligj i Allahut (xh.sh) për besimtarët. Pas kësaj sprove fshihet urtësia e Zotit. Ne nuk i dimë shumë urtësi, por ato i di vetëm Allahu (xh.sh), ndërsa shumë të tjera i shikojmë me sytë tanë.
Dobia e parë e sprovës është, se nga sprova del në pah se kush janë besimtarët e vërtetë dhe kush janë dyfytyrëshit. Kur koha është e mirë, kur ka interesa, ku çdo fjalë flitet kollaj, të gjithë njerëzit pretendojnë se janë besimtarë dhe e mbajnë veten për miq të Zotit. Por kur shtrëngohet puna, kur dridhen këmbët dhe zemrat, atëherë del në pah se kush është besimtari i vërtetë, duket se kush i ka hyrë kësaj rruge për hir të Zotit dhe kush i ka hyrë për hir të interesave. Sprova e dallon të sinqertin nga gënjeshtari, atë që kërkon xhenetin e Zotit dhe atë që kërkon kënaqësinë dhe interesin e kësaj dynjaje.
Dobia e dytë e sprovës është, se sprova është nga mjetet më të forta, që e afron njeriun me Zotin e gjithësisë. Kur të mbyllen të gjitha dyert e dynjasë, kur i shikon njerëzit që nuk e kanë mendjen tek ti, atëherë të mbetet vetëm Allahu (xh.sh). Në atë moment mbështetju Allahut dhe lutju vetëm Atij, se kjo është forma më e madhe që e lidh robin me Allahun (xh.sh). Kur të këputen të gjitha forcat, mbetet forca më e madhe. Kur të këputen të gjitha ndihmat, mbetet ndihma më e madhe. Kur të hiqen të gjitha pushtetet, mbetet pushteti më i madh. Me të vërtetë Allahu (xh.sh) ka mëshirën më të madhe, forcën më të madhe, ndihmën më të madhe dhe pushtetin më të madh. Do të mjaftonte sprova si kënaqësi, nëse kjo do ta afronte robin me madhështinë e Allahut (xh.sh). Sprova e pastron besimtarin nga gjynahet, ashtu siç e pastron zjarri hekurin nga ndryshku. Hekuri që është me ndryshk, nuk i hyn në punë askujt për asgjë, por kur ai pastrohet, ai i hyn në punë të gjithë njerëzve.
Ashtu edhe Zoti e pastron njeriun nga gjynahet me anë të sprovave. Profeti (a.s) ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit. Ai vazhdon të sprovohet, saqë vjen një ditë dhe ai ecën mbi shpinën e kësaj toke pa pasur asnjë gjynah mbi shpinën e tij”. Zoti ia pastron gjynahet robit të Tij me anë të sprovave.
Dobi tjetër e sprovës është, se Zoti sprovon disa njerëz. Ata mund të jenë gra, fëmijë apo burra. Zoti i përdor si argument për gjithë botën, për të gjithë ata që e mbajnë emrin muslimanë. Ata mund të jenë fëmijë të pafajshëm, mund të jenë gra, mund të jenë njerëz pa armë e pushtet, por sprovohen dhe qëndrojnë si malet, madje edhe më të fortë se malet. Kjo dëshmon edhe njëherë forcën e besimit tek Allahu (xh.sh).
Prandaj profeti (a.s) ka thënë: “Do të ndodhin shumë sprova, por çfarëdo që të ndodhë, do të ketë gjithmonë një grup besimtarësh, që do ta mbajnë amanetin e do të qëndrojnë”. E pyetën: “Ku janë këta njerëz o profet i Zotit?” Profeti (a.s) u përgjigj: “Do të jenë besimtarët, që janë në xhaminë Aksa dhe në rrethinat e saj. Ata nuk do t`i dëmtojë tradhtia, që do t`u bëjnë të tjerët. Ata janë argument i Allahut (xh.sh)”. Sot po e shohim diçka të tillë.
Ne e kuptojmë sprovën, por nuk i dalim përpara asaj. Profeti (a.s) thoshte: “Mos uroni që të takoheni me armikun, por nëse përballeni me të, atëherë qëndroni si burrat”.
E lus Zotin të mos na sprovojë në fenë tonë, por kur të na vijë sprova të na bëjë të qëndrueshëm.
A M I N
 
Fatkeqesite u ndodhin te gjitheve.
Bien ne sy me shume kur u ndodhin te mireve sepse ata nuk e meritojne, dhe kjo na ben pershtypje(me te drejte)
 
Top