Prokurimet si minierë floriri

Floriri është i rrallë. Më shumë se 99.9 përqind e kores së Tokës përbëhet nga diokside silikoni, alumini, kalciumi, magnezi, natriumi, hekuri, kaliumi, titani dhe fosfori. Kështu që, për pjesën më të madhe të historisë së njerëzimit, njerëzit janë ngazëllyer shumë kur kanë zbuluar floririn. Pavarësisht pasojave të rënda mjedisore të gërmimeve për flori, duke përfshirë ndotjen prej mërkurit dhe cianideve, si dhe shkatërrimin e peisazheve, njerëzimi nuk ka hequr dorë nga kërkimi – dhe duket se nuk ka gjasa që ta bëjë së afërmi.
Por ka një minierë floriri figurative – më e sigurtë dhe potencialisht po aq joshëse sa edhe ato realet – që shumica e shteteve e zotërojnë, por pak prej tyre zgjedhin ta shfrytëzojnë plotësisht: prokurimet qeveritare.
Pasojat potenciale negative të prokurimeve qeveritare janë të mirënjohura. Ato u bëjnë të mundur kompanive që të vendosin çmime të larta për mallra me cilësi të ulët dhe shërbime jo të besueshëm, ndërkohë që lehtësojnë korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe shpërdorimin.
Për të zbutur këta risqe, shumica e shteteve kanë implementuar kushte për procese tenderash të hapur dhe rregulla të rreptë për transparencën në blerjet prej qeverive. Në të vërtetë, shumica e marrëveshjeve të fundit të tregtisë së lirë kërkojnë që shtetet firmosës të hapin procedurat e prokurimeve qeveritarë për kompanitë e njëri-tjetrit, dhe Banka Botërore publikon emrat e kompanive që ndalohen për shkak mashtrimi apo korrupsioni, që të marrin pjesë në tenderat për projekte të financuar nga BB. Shtetet që heqin dorë nga proceset e hapur të tenderave përfundojnë me vjedhje në shkallë të madhe, si ato që janë dokumentuar në Venezuelë dhe që me siguri kanë ndodhur në Ukrainë në kohën e presidentit tashmë të rrëzuar, Viktor Janukoviç.
Por, poshtë gjithë këtij arseniku, ka flori. Pjesa më e madhe e prodhimit modern përfshin jo vetëm koston e të bërit të gjërave, por edhe koston e të gjeturit të mënyrave për t’i bërë ato. Përpara se prodhuesit e avionëve të munden të prodhojnë dhe shesin një model të ri aeroplani, ata duhet të shpenzojnë miliarda dollarë përgjatë pak a shumë një dekade, për kosto kërkim-zhvillimi, të cilat më vonë duhen kompensuar. Nëse nuk do të ishin të sigurtë a do të ketë apo jo një treg për modelin e ri, shumë pak prej tyre do i merrnin përsipër këto kosto. Pikërisht këtu hyjnë në lojë prokurimet e qeverive.
Për shembull, në vitin 1946, qeveria e SHBA i dha një kontratë Boeingut për zhvillimin dhe prodhimin e B52. Natyrisht, qeveria nuk donte që kompanie të ofronte një model të ngjashëm me të mëhershmit: ajo kërkonte bombarduesin e parë strategjik. Në fund të fundit, ushtria e dytë më e mirë në një luftë është ajo e humbësit. Kështu që, kontrata duhej të reflektonte edhe risqet që trashëgoheshin prej përpjekjeve për të gjetur mënyrën e projektimit dhe prodhimit të avionit më të përparuar të kohës së vet.
Por, në këtë rast, dobia për blerjen që bënte qeveria shkonte përtej objektivit të saj specifik, kur Boeingu shfrytëzoi dijet që kish përftuar prej prodhimit të B52-shit, për të krijuar avionin komercial B-707. Ndonëse qeveria nuk nxiti asnjëherë qëllimisht prodhimin e avionëve komercialë, prokurimi prej saj i avionit të cilësisë së lartë dhe teknologjikisht të përparuar ishte thelbësor për krijimin e një industrie amerikane të prodhimit të avionëve, e cila shumë shpejt do të dominonte globalisht.
Thënë thjeshtë, të gjesh se si mund të bësh diçka, shpesh herë të bën më të lehtë prodhimin e gjërave të tjera. Në këtë mënyrë, një qeveri që është rigoroze sa i përket cilësisë së blerjeve të saj, do të ketë një impakt të fuqishëm në evolucionin e avantazhit krahasues të vendit të saj.
Qeveria e Izraelit ka patur një impakt të ngjashëm në përpjekjen e saj për të menaxhuar burimet e kufizuar të ujit. Le të themi se ky vend ka një kosto 100 njësi (të një monedhe çfarëdo) për shkak të mungesës së ujit. Risitë që inkurajon qeveria, si për shembull ujitja me pika apo shkripëzimi, jo vetëm reduktojnë kostot e brendshme që shkaktojnë këto mangësi, në le të themi, 70 njësi, por gjithashtu fuqizon një industri që, duke shitur sistemet e saj në tregjet ku kërkesa është më e lartë, përfton një vlerë globale prej më shumë se 1000 njësi. Në këtë kuptim, mungesa e ujit e ka bërë Izraelin më të pasur nga sa do të kish qenë.
Po kështu, investimet ushtarakë të Izraelit kanë gjeneruar një seri zgjidhjesh që, me pak përpjekje shtesë, kanë patur zbatime shumë të dobishëm civilë. Kjo ndihmon për të shpjeguar përse investimet privatë në kërkim dhe zhvillim kanë zënë një pjesë më të madhe të GDP-së së Izraelit, se sa kudo në botë.
Mësimet nga blerjet që bën ushtria mund të zbatohen edhe gjetkë. Qeveritë prokurojnë zgjidhje për sfidat më të mëdha që kanë shoqëritë e tyre. Duke patur parasysh që problemet e një shteti rrallëherë janë unikë, zgjidhjet inovative mund të nxisin krijimin e industrive që janë konkuruese në nivel global. Dhe zgjidhjet për një problem mund të gjejnë zbatime në fusha të tjera.
Ky duhet të shërbejë si model për Amerikën Latine, teksa ajo përpiqet të përmirësojë cilësinë e sistemeve të saj arsimorë. Sot, tetë shtetet amerikano latinë që kryejnë provimin PISA, janë mes 15 vendeve me performancë më të keqe nga 65 që marrin pjesë në program.
Në vend që të hedhë sai të pafundme parash në sistemet shkollorë me performancë të dobët, qeveritë amerikano-latine duhet të interesohen për gjetjen e zgjidhjeve inovative, si për shembull tekste shkollorë në tabletë, që mund të ndihmojnë mësuesit të japin mësime sa më me efikasitet, të monitorojnë përparimin e nxënësve dhe të identifikojnë strategjitë e korrigjimit. Përtej përmirësimit të performancës së nxënësve, përpjekje të tilla do të nxisnin një industri konkuruese globalisht, me mjete mësimorë të teknologjisë së fundit.
Këta janë vetëm disa shembuj të vlerës që mund të nxirret prej minierës së floririt të prokurimeve qeveritarë. Duke u angazhuar për të blerë sasi të mëdha produktesh të cilësisë së lartë që adresojnë sfidat madhore kombëtare, qeveritë mund të nxisin organizatat private, publike apo të përziera që të marrin përsipër kostot fikse të gjetjes së zgjidhjeve. Në shumë raste, përfitimet e këtyre zgjidhjeve do të shtrihen përtej qëllimit të tyre fillestar.
Por duke ndjekur një rrugë të tillë, qeveritë duhet të mos harrojnë se ajo minerare është një industri shumë e rrezikshme, të cilës duhet t’i qasesh me kujdes. Për këtë qëllim, ato mund të fillojnë duke i akorduar, për shembull, 5 përqind të buxheteve të tyre, gjetjes së zgjidhjeve për nevoja urgjente në fusha ku ka tregje potencialë të nivelit global. Në fund të fundit, çdo gjë që ia vlen ta bësh, ia vlen ta bësh më mirë se të tjerët. /

Ricardo Haussman

Ish Ministër Zhvillimi i Venezuelës, ish Krye-Ekonomist i Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim. Profesor i Praktikës së Zhvillimit Ekonomik në Universitetin e Harvardit
 
Top