Pse 20% e perëndimorëve preferojnë lockdown-et më shumë se normalitetin?

-640-0-604fcb2e53f34.jpg

Pjesa më e madhe e popujve që kanë përjetuar lockdown-et e diktuara nga situata e pandemisë së COVID-19, i tremben një rikthimi në atë gjendjeje që regjistroi papunësi në masë, shtim të depresionit, vetëvrasjeje dhe dhunës në familje. Por, megjithatë një sondazh i publikuar në mediat ndërkombëtare regjistron faktin se 2 në 10 perëndimorë preferojnë lockdown-at si një alternativë më e mirë përkundrejt jetës normale. Natyrshëm lind pyetja, sesi një gjë e tillë mund të jetë e mundur.

Analisti i revistës amerikane “Forbes”, John Tammy e përshkruan këtë realitet si një patologji të njerëzve që ndihen të pasigurt dhe të paaftë për të konkurruar në kushtet e jetës moderne dhe për pasojë preferojnë që të shohin gjithçka të bjerë rreth tyre në vend që të tentojnë reformimin e vetvetes.

Tammy përdor shembuj historikë që edhe në Shqipëri tingëllojnë të vërteta, se përse njerëzit mund të parapëlqejnë varfërinë dhe jo mirëqënien, përsa kohë e konceptojnë veten si të humbur në sistem.

“Ata urrejnë kapitalizmin, sepse ky sistem i ka dhënë një njeriu tjetër pozicionin që ata vetë do të dëshironin të kishin”- ka shkruar Ludwig von Mises në librin e tij “Mentaliteti anti-kapitalist”.

Shpeshherë njerëzit për t’u ndjerë më mirë për vetveten e kanë më të lehtë të shohin dhe të tjerët të dështojnë, në vend që të kërkojnë që ata vetë të investojnë tek vetja për të krijuar kushte më të mira individuale dhe arritjen e një statusi socio-ekonomik të pëlqyeshëm. Kjo mund të shpjegojë se pse shumë njerëz në shoqëritë ish-komuniste, siç është Shqipëria thonë “kemi qenë mirë në kohën e komunizmit”, ndonëse objektivisht kushtet materiale ishin shumë herë më të këqija dhe siguria e jetës më e ulët.

Mizerja për një grup shumë të madh njerëzish është një alternativë e preferuar përkundrejt pabarazisë, sepse lakmia dhe zilia janë forca shpeshherë më potente se ambicja.

Ky lloj mentaliteti është shpjegues pse shumë njerëz nëpër rrjete sociale dhe në matjet e opinionit publik shprehen pro lockdown-ave, edhe sikur t’u thuhet se ato do të kenë pasoja katastrofike për ekonominë dhe shëndetin mendor të miliona njerëzve dhe veçanërisht të të rinjve dhe sipërmarrësve.

Në konkluzion, vlen të reflektohet se përse në shoqërinë tonë 20% preferojnë izolimin dhe jo normalitetin.... a është ky një refleksion i patologjisë dhe anës së errët të karaktereve të tyre individuale, apo një indikator se shoqëria jonë le pas një numër shumë të madh njerëzish? Kjo mbetet për t’u debatuar dhe për t’u studiuar.

Tiranapost.al
 

Attachments

  • -640-0-604fcb2e53f34.jpg
    -640-0-604fcb2e53f34.jpg
    67.5 KB · Shikime: 0
  • -640-0-604fcb2e53f34.jpg
    -640-0-604fcb2e53f34.jpg
    67.5 KB · Shikime: 0
Top