Qytetarët kanë nevojë për sportelet e shërbimeve

Qytetarët kanë nevojë për sportelet e shërbimeve.

Kryeministri i vendit deklaroi nga Berati se në kuadrin e platformave në linjë, bashkëqeverisje, a ku di unë çfarë historish të tjera propagandistike, nuk do të ketë më sportele ku njerëzit të kryejnë shërbimet e tyre, sepse gjithçka do të kryhet online.
E gjitha kjo me tre argumente.
I pari sepse njerëzit mos lodhen dhe mos humbin kohë, por ta bëjnë nga shtëpitë e tyre kërkesën dhe po atje, ulur në kolltuqe të rehatshëm duke pirë çaj me arra kokosi të marrin shërbimin.
I dyti që të mos ketë më sorollatje dhe bakshishe dhe korrupsion nga nëpunësit e vegjël të sporteleve. A thua se ata na grabisin miliarda lekë, dhe nuk janë ujqit e mëdhenj që po bëjnë kërdinë.
I treti se kështu përmirësohet teknologji dixhitale dhe emancipohet administrata. Administratë që është e mbushur nga baza në majë me militantë dhe ku nëpunësit pa mbështetje politike rrinë si më gjemba!
Sado që prej kohësh kam theksuar modernizimin e shërbimeve duke përdorur Internetin, si gjithmonë, kapërcimet radikale në politikat administrative janë krejt antipopullore dhe e kanë bërë qytetarin të flasë me vete!
Ne do të tregojmë gjithë botës se çfarë dhe si bëhet shteti modern on line ! Më rëntë pika! A thua se nuk e dinë shtetet e tjera që kanë kaluar në teknologjitë smart dhe investojnë pa fund atje se gjithçka mund të bëhet në web dhe të hiqen sportelet fare. Por, nuk e bëjnë. Ky e bën!
Pse nuk e bëjnë?
E para sepse jo gjithë popullsia ka akses në Internet. A e di kryeministri se të rinjtë në masë nuk ngrenë telefonin por funksionojnë me mekanizmin "Mê bëj një zile!" Imagjino që të kenë lidhje masivisht në Internetin mobil bashkë me sinjalin e telefonisë mobile. Në banesat e tyre, poshtë një niveli të ardhurash, sidomos në zonat e varfëra periferike ose rurale, nuk ka asnjë lidhje wifi. Poqese duhet jam gati të jap shifrat nga studimet se sa e gjerë është shtresa e atyre njerëzve që nuk kanë asnjë mundësi aksesi në Internet. Ku do i marrin shërbimet këta? Apo me satelit?
E dyta, mbase kryeministri nuk e di por një pjesë e popullsisë sidomos ajo në zonat periurbane dhe rurale, në qytete periferike por edhe në mes të kryeqytetit nuk di ta përdori Internetin dhe programet për të pasur akses në dokumentet pa sportel. Pastaj ato të marra në kompjuter duhen printuar dhe për këtë duhet që në banesa të ketë edhe printera, kompjutera etj. E ka haberin qeveria sesa përqind e familjeve shqiptare kanë printer dhe kompjutera në banesa? Po qe se i do të dhënat, i kam!
Ku do t'i marrin shërbimet këta dhjetra e qindra mijëra njerëz që nuk i kanë këto mundësi?
E treta, shërbimi në distancë veç anëve pozitive, humbet kontaktin midis qytetarit dhe shërbyesit publik. Veç shkurtimit të vendeve të punës për nëpunësit, do të rritet distanca midis qytetarit dhe administratës, jo vetëm në dimension gjeografik, por edhe social dhe politik. Hajde gjeje ku të ankohesh për nëpunësin që nuk do të dëgjojë më përballë qytetarin. Dyert e bashkive do të mbyllen më keq sesa tani kur janë kthyer në kështjella kafkajane!
Qeveria po shtrëngon rripin e buxhetit pikërisht duke u thënë shtersave të gjëra të popullsisë merrni shërbime me Internet! Sportele nuk do të ketë më!
Nuk keni bukë!
Cfarë dreqin keni!
Ka çokollata!
Ky shkrim nuk lejohet të ribotohet nga askush pa autorizimin e autorit!

Artan Fuga

1639658656504.png
 
Top