Romët, 50% jetojnë me 15 mijë lekë në muaj, të tjerët me shumë më pak

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Romët

Një familje mesatare ka të ardhura mujore më pak se 15 mijë lekë
Raporti: Papunësia dhe buka e gojës, problemi kryesor

Lorina Mixha


Lagjja-e-romeve-2-240x320.jpg


Lagjja e romeve (2)Romët në Shqipëri, pas 23 vjetësh tranzicion, vijojnë të kenë probleme thelbësore, bazike, me punësimin, strehimin, arsimin.

Gjysma e familjeve rome, të cilat deklarojnë të ardhura dhe mund të konsiderohen si familje me të ardhura mesatare, e kalojnë muajin me më pak se 15 mijë lekë të reja. Ndërkohë që pjesa tjetër ka probleme akute, bazike me ushqimin dhe punësimin, dhe jeton me shumë më pak para, nga puna informale, me punë me “hope”, të pasigurta. Nga këto variante, arrijnë të fitojnë diçka për t’u ushqyer, pasi strehimi i këtij grupi social është në kushte të rënda.

Dikujt, vlera 15 mijë lekë në muaj mund t’i duket e pranueshme, por ekspertët vënë në dukje se këto para, janë të pasigurta, nga punë të pasigurta, informale, ndërkohë që familjet rome janë të mëdha në numër. Një raport i fundit i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur sjell detaje të reja lidhur me problemin e të ardhurave, strehimin dhe punësimin e komunitetit rom që jeton në vendin tonë. Rreth 45-50% e familjeve rome deklarojnë se të ardhurat mujore llogariten më pak se 15,000 lekë. “Romët shfaqen pesimistë në lidhje me të ardhmen e afërt ekonomike. Vetëm 15% e tyre mendojnë se gjendja e tyre ekonomike do të jetë më mirë në vitin 2013 se në 2012-n. Pjesa tjetër, ose mendojnë se do të jetë më keq (33%), ose e njëjtë (24%) ose nuk dinë të japin një përgjigje (29%). Rreth 45% e familjeve rome, të cilat deklarojnë të ardhura mujore familjare më pak se 15,000 lekë nuk mund të përmbushin kriteret e aftësisë për të paguar me qëllim kualifikimin për të përfituar nga programet sociale të strehimit”, thuhet në raport.

Përgjithësisht problemet më shqetësuese të komunitetit rom kanë një natyrë ekonomike dhe lidhen me krijimin e mundësisë për përballimin e një jetese të pranueshme (papunësia, mungesa e ushqimit, mungesa e kushteve të jetës etj.).

Të ardhurat nga aktivitete joformale si grumbullimi dhe shitja e mbetjeve të riciklueshme përbëjnë burimin kryesor të jetesës për 40% të familjeve rome. Nëse përfshijmë këtu edhe ata që deklarojnë si burim kryesor jetese punësimin në sektorin privat informal (10%) si edhe ata që deklarojnë si burim kryesor punësimin e rastit (punë me ditë, 11%) atëherë rezulton se për 61% të familjeve rome, të ardhurat nga sektori informal përbëjnë burimin kryesor të jetesës. Rreth 34% u shprehën se janë “të pakënaqur” si dhe 47% “shumë të pakënaqur” me ndihmën ekonomike.

Studimi tregon se aktualisht 42% e romëve (sidomos gratë dhe të rinjtë) janë të papunë dhe ky është edhe problemi më i vështirë me të cilin ata përballen në jetën e tyre të përditshme.

Inefikasiteti i institucioneve formale për gjetjen e një vendi pune, etniciteti dhe kapitali i pakët social, ka çuar në rritjen e pakënaqësisë (74%) nga shërbimi i zyrave të punës.

Të dhënat e studimit tregojnë se 81% e romëve nuk zotërojnë ndonjë profesion, 9% kanë profesione për të cilat kërkesa është në rënie dhe vetëm 6% zotërojnë profesione për të cilat ka një kërkesë në tregun e punës.

Si pasojë e varfërisë dhe e përjashtimit social nga tregu formal i punës, romët punojnë në tregun informal, kryesisht në mbledhjen e hekurishteve, në tregtinë e rrobave të përdorura, punët e rastit, ndërtim dhe lypje. Këto punë sigurojnë të ardhura të pamjaftueshme dhe të pasigurta për familjet e tyre. Megjithatë, edhe këto të ardhura janë në rënie, çka shkakton një rritje të varfërisë, një stres të fortë emocional dhe prekin sigurinë e ardhshme ekonomike të tyre.



Arsimi

Shkollimi - Studimi tregon se rreth 40% e popullatës rome 10 vjeç e lart si dhe 36% e fëmijëve të grupmoshës 7 deri në 15 vjeç nuk kanë kryer asnjë klasë shkollë

Mundësitë - 31% e familjeve rome deklarojnë se kostoja e arsimimit të fëmijës së tyre është e papërballueshme për ta. Kjo përqindje përkon me numrin e familjeve rome që deklarohen se fëmijët e tyre në moshë shkolle apo kopshti nuk i frekuentojnë këto institucione



Ndihma ekonomike

Vetëdeklarimet - Sipas vetëdeklarimeve vetëm 21% e familjeve rome kanë akses në skemën e ndihmës ekonomike, një shifër e ulët nëse krahasohet me 73% të romëve të cilët deklaruan se sigurojnë me shumë vështirësi vetëm nevojat për ushqim

Zyrat - Rreth 74% e romëve të intervistuar deklarohen të pakënaqur me zyrat e punës. Nga ata që deklarohen si të papunë, vetëm 29% thonë se janë të regjistruar në zyrën e punës

Strehimi - Sipas studimit, 35% të familjeve rome jetojnë në banesa deri në 40 m², ndërsa 31% e banesave shfrytëzohen nga dy apo më shumë kurora. Rreth 18% e familjeve rome jetojnë në baraka, në kushte jetese mjaft të vështira dhe pa asnjë mundësi për t’u legalizuar ndërkohë që 50% e familjeve rome deklarojnë se banojnë në shtëpi të vjetra
G.Shqip
 
Top