Shpërthen brenda PD-së, grupi i Berishës kërkon të largojë Bashën, protesta para selisë Blu

berisha-basha-793x400.jpg


“Garda e Vjetër” e Partisë Demokratike ka nisur tentativat për rrëzimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Lideri demokrat reagoi dje pas të dhënave finale mbi zgjedhjet dhe nuk pranoi humbjen, ndërsa akuzoi qeverinë për trukim të rezultatit. Basha foli për blerje votash e presione, ndërsa shumë kritikë të tij e cilësojnë këtë humbje si përgjegjësi të liderit.

Për këtë arsye, të gjithë të larguarit prej tij ndër vite dhe shumë të tjerë që janë besnikë të Sali Berishës, kanë nisur tentativat për rrëzimin e Bashës nga drejtimi i PD. Gazeta ka mësuar se në telefonat një sërë emrave, si Astirt Patozi, Jozefina Topalli, Suzana Guxholli, Ibsen Fatbardh Kdilli, etj, ka mbërritur një mesazh ku bëhet e ditur se sot në orën 11.00 do të bëhet një protestë para selisë së Partisë Demokratike duke kërkuar që Basha të japë dorëheqjen.

Mbetet të shihet se sa do të realizohet, por sinjalet janë se grupi i Berishë ka nisur organizimin kundër liderit demokrat. Pritet që nga sot të ketë valë reagimesh nga Topalli, Patozi, etj. Ai që e ka treguar publikisht është ish-kreu i PD në Kukës, Ibsen Elezi i cili fton ndjekësit në rrjetet sociale që të dalin në protestë sot. “Shkurt e prerë, mua më erdhi turp kur e dëgjova, po ty ?! Unë nesër në ora 11:00, te PD do dal të protestoj ndaj këtij akti të turpshëm papërgjegjshmërie.

Bashkohu edhe ti!”, tha ai. Më tej Ibsen Elezi ka lëshuar një valë kritikash ndaj Bashës. “Sot shtrohet çështja e shpëtimit të PD nga shkatërrimi. Nëse dikujt i dhimbset Luli më shumë se PD të dalin dhe të formojnë një parti tjetër. Partia Demokratike nuk është pronë e dikujt. Reagoni dhe mos të lejojmë shkatërrimin e planifikuar të saj, janë qindra mijëra ata që kanë kontribuar nga 91 që e duan një PD të fortë demokratike përballë një pakice që duan ta mbajnë peng”, tha ai.

Reagon Pollo

Përveç tij pati edhe reagime të tjera nga brenda PD ku kërkohet largimi i Bashës. Ishte Genc Pollo i cili po ashtu dha sinjale se është i pakënaqur me liderin demokrat. “Sot është një ditë zhgënjyese dhe e trishtuar për shumë e shumë shqiptarë; por sot është ditë e hidhur për demokratët. Arsyet pse ndodhi kështu janë të shumta dhe përgjithësisht të njohura.

Sot duhen falenderuar kandidatët e aktivistët tanë për fushatën cilësore e duhet shprehur mirënjohja për votuesit tanë besnikë e të shumtë. Por tashti është edhe momenti i përgjegjësisë, qartësisë dhe i urtësisë. Roli i mëtejshëm i Partisë Demokratike është kyç për demokracinë e ligjshmërinë si dhe për perspektivën europiane të vendit. Ashtu si dhe nevoja për të filluar konceptimin e një projekti të ri besimi e shprese”, tha ai.

Reagon Kadilli

Anëtari i Kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli ka kërkuar largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e kryetarit të Lulzim Bashës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai tha se Basha duhet që të largohet nga drejtimi i kësaj partie pasi humbi zgjedhjet për të 3-tën herë. Po ashtu, Kadilli shpalli dhe kandidimin e tij për drejtimin e Partisë Demokratike.

“Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës. Jo vetëm për faktin se partia gjendet sot përballë humbjes së tretë, por ky është një model që ka shteruar. Me anë të këtij akti, ai jo vetëm njeh përgjegjësitë për rezultatin, por edhe respekton një standard të vendosur në Partinë Demokratike nga themeluesi i kësaj force, Sali Berisha. Gjithashtu, shpall sot kandidimin për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike”, shkruan ai. Ora News
 
Redaktimi i fundit:
Top