Shqipëria shënon kulm papunësie dhe njëkohësisht rritje ekonomike


Instituti i Statistikave njoftoi në mënyrë surprizë se ekonomia shqiptare njohu rritje të lakmueshme në tremujorin e katërt të vitit 2020, tremujor gjatë së cilit 43 mijë shqiptarë mbetën të papunë ndërsa aplikuesit për ndihmë në zyrat e punës u rritën me 21 mijë vetë.





Vinc-tirane-600x400.gif

Instituti i Statistikave njoftoi se ekonomia shqiptare u rrit në mënyrë surprizë në tremujorin e katërt të vitit 2020 me 2.99%, një normë rritjeje e lakmueshme në kushtet e krizës më të madhe që ka mbërthyer vendin në dy dekada. Rritja u furnizua kryesisht nga sektori i ndërtimit me 18% ndërsa tregtia, transporti dhe hotelet, ranë me 5.5%.

Vlerësimi fillestar i INSTAT për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2020 flet për rënie në masën 3.3%, një rënie kjo shumë më e përmbajtur nga vlerësimet e mëparshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar apo të vetë Ministrisë së Financave.
Instituti i Statistikave tashmë prej vitesh nuk publikon të gjitha të dhënat e nevojshme për të mundësuar një analizë më të thellë për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto por mjaftohet vetëm me të dhënat e ndryshimit në përqindje reale të këtij treguesi.

Rritja ekonomike e tremujorit të fundit të vitit 2020 gjithsesi duket se nuk reflekton gjendjen ekonomike të pjesës dërrmuese të popullsisë. Anketa e Forcave të Punës e publikuar pak javë më parë, tregon se numri i të punësuarve në ekonomi ka rënë me 43 mijë gjatë të njëjtit tremujor kur është shënuar edhe rritja ekonomike. Gjithashtu, të dhënat administrative të zyrave të punës tregojnë se gjatë këtij tremujori, afro 21 mijë shqiptarë u regjistruan si punëkërkues në këto zyra, me një rritje në masën 29% në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Në atë që mund të konsiderohet një ironi statistikore, rritje të konsiderueshme në masën 8% shënoi grupi Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia. Dukshëm në rritjen ekonomike llogariten edhe paratë që shqiptarët po shpenzojnë për kujdes shëndetësor, gjë që nuk përbën domosdoshmërisht lajm të mirë. Gjatë periudhës tremujore tetor-dhjetor 2020, afro 45 mijë shqiptarë u sëmurën nga COVID-19 ndërsa 794 prej tyre humbën jetën, sipas statistikave zyrtare. Gjatë të njëjtit tremujor u shënua gjithashtu një rritje dramatike e mortalitetit të popullsisë në masën 70% në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

/Reporter.al
 

Attachments

  • Vinc-tirane-600x400.gif
    Vinc-tirane-600x400.gif
    99.8 KB · Shikime: 0
  • Vinc-tirane-600x400.gif
    Vinc-tirane-600x400.gif
    99.8 KB · Shikime: 0
Top