Të rejat nga bota e librit

Marla

Quo Vadis!
Disa libra shumë të veçantë mbërritën në tregun shqiptar gjatë muajit shkurt. Poetesha madhështore italiane Alda Merini erdhi e shqipëruar në gegnisht ndërsa romani 1q84, i cili konsiderohet si një nga më të rëndësishmit e Murakamit iu shtua njëmbëdhjetë librave të tjerë të këtij autori. Shkrimtari Ismail Kadare erdhi me një bashkëbisedim të gjatë me Alda Bardhylin, i cili nuk kaloi pa debate. Këto janë botimet kryesore në shqip gjatë muajit shkurt.

Botimet-e-reja-librat-e-rinj.gif

Libri i parë, Haruki Murakami

Një roman me tre vëllime i botuar në vitet 2009-2010 në Japoni. Një grua e re e quajtur Aomame ndjek një sugjerim enigmatik nga një shofer taksie dhe fillon të vërejë mospërputje enigmatike në botën përreth saj. Zbulon se ka hyrë në një ekzistencë paralele, të cilin e quan 1Q84 —“Q është për pikëpyetje.” Një botë që mbart një pyetje.

Ajo është grua e çuditshme, e cila qysh në moshën dhjetëvjeçare, kohë kur e ka provuar dhe e ka humbur njëherësh ndjesinë dashurore, është kthyer në një qenie të ftohtë. Për arsye që mund të duken të përligjura në libër, ajo ka mes të tjerash edhe profesionin e vrasëses së burrave që dhunojnë gratë e tyre. Aomame takon rastësisht një vajzë të re të shkujdesur që punon police dhe do të nisin bashkë ca aventura të thekshme seksi me burra që i ndeshin bareve të Tokios.


Kohë për rrëfim: dialog me Alda Bardhylin, Ismail Kadare

Bisedat e Alda Bardhylit me Ismail Kadarenë, të paraqitura në këtë libër, mbulojnë një gamë të madhe temash, personale dhe profesionale, përmes një zhbirimi magjepsës në jetën e një shkrimtari, i cili jetoi nën një regjim shtypës. Aty gjendet fëmijëria e tij në Gjirokastër dhe përpjekjet e tij të para “për t’u bërë shkrimtar”, pas një takimi mbresëlënës me Makbethin e Shekspirit. Ai flet për triumfet dhe zhgënjimet e para, të ndërthurura me historinë e dashurisë së parë të vërtetë, deri te liria relative e mendimit dhe veprimit që zbuloi në Shën Petersburg, në vitin 1958.

Letrat e dashurisë sollën romanin e tij të parë; Moska tjetrin; por tashmë Kadareja e kishte nisur lojën si macja me miun me regjimin shqiptar, që tek ai si shkrimtar la aq shumë gjurmë. Në këtë libër Kadareja flet shumë haptazi me Alda Bardhylin për marrëdhënien e tij komplekse dhe të rrezikshme me klanin Hoxha dhe sidomos me diktatorin Enver. Ai diskuton edhe mbi përpjekjet për t’u arratisur, mbi periudhën si deputet dhe shpresat e tij pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990.

Kjo është seria më e shtjelluar e bisedave të mbajtura me Ismail Kadarenë, një bisedë mes një shkrimtari të rëndësishëm shqiptar dhe një studiueseje të re shqiptare, mbi dashurinë, letërsinë dhe historinë e shekullit XX, që do të bëjë jehonë përtej kufijve të vetë Shqipërisë.

Alda Bardhyli është gjithashtu bashkëpunëtore e Shtëpisë së Librit. Ajo ka sjellë në shqip Letrat e Dashurisë së Simone de Beauvoir.


E çmendun, e çmendun, e çmendun dashunie për ty, Alda Merini

Poetja shqiptare Ledia Dushi na solli një libër të mrekullueshëm dhe të pazakontë: poezitë e dashurisë të poetes italiane Alda Merini, të sjella në gegnisht. Është një eksperiment i mrekullueshëm në letërsinë shqipe. A tingëllojnë më bukur poezitë e dashurisë në gegnisht?


Stalingradi, Vasily Grossman

Vasily Grossman, shkrimtari rus i mbiquajtur Tolstoi i shekullit të njëzetë, vjen në shqip me romanin Stalingradi, një vepër voluminoze, e denjë për letërsinë ruse. Është një histori mbi betejën e ndodhur në qytetin e Stalingrad gjatë luftës së dytë botërore. Grossman ka arritur të përshkruajë me një stil origjinal atë që konsiderohet si një nga luftërat më makabre, në të cilat autori ishte dëshmitar i dorës së parë si gazetar që raportonte nga fronti. Ky është libri i dytë i Grossman pas kryeveprës Jeta dhe fati që u botua në vitin 2019.

Izraelitët në Shqipëri, Josef Jakoel

Një nga hebrenjtë e paktë që jetuan në Shqipëri deri në fillim të viteve 1990, Josef Jakoel, vjen me një dëshmi të fortë dhe të rrallë historike mbi mikpritjen shqiptare të parë nga sytë e një hebreu.

“Ka njerëz që përpiqen të njollosin me shpifje të ulët qëndrimin fisnik dhe burrëror që mbajti populli shqiptar karshi izraelitëve duke i shpëtuar ata nga duart e nazistëve. Këta njerëz thonë se ky qëndrim i shqiptarëve karshi izraelitëve ka qenë i diktuar nga interesi, sepse izraelitët kishin para që të paguanin përkrahjen që u jepej. Nuk përjashtohet fakti që ndonjë izraelit të ketë pasur para, por këtu nuk është fjala për të përballuar nevojat jetësore të një periudhe të shkurtër kohe,” thotë ai.


Gruaja në flatra, Dino Buzzati

Një libër shumë i dashur për shqiptarët, tregimet e Buzzattit rikthehen në libraritë shqiptare pas një mungese të gjatë.

“Gruaja me flatra”, të shohim personazhe dhe të konstatojmë simbole që dallohen nga nervi i satirës, ironia, apo vetëironia e Buzzat-it, si dhe nga hija e pandare e “moralistit të përrallave” që i përndjek personazhet e tij. Ndoshta, shtrohet pyetja, nga çfarë intuite, nga cili zbulim i të vërtetës së fshehur, përtej shtratit të vanitetit njerëzor, shkrimtari ka marrë atë forcë të kristaltë paditëse kundër banalitetit dhe marrëzisë së mëkatit, të harresës dhe të dashakeqësisë.

Ndër botimet e tjera të reja veçojmë:


Bota e Librit
 
Merinin do e lexoja me kenaqesi, Malcolm gjithashtu
 
Top