Tender 4 mln euro për pajisjet mjekësore/ Fitues i paracaktuar? Vizita misterioze e “shefit” të “Vamed”


enkelejd-joti-dhe-ministrja-780x405-1-640x332.jpg

Një tender i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë pasditen e kësaj të Hëne, me vlerë rreth 4 milionë euro dhe me objekt “Mirëmbajtjen e përqëndruar të pajisjeve të mëdha mjekësore”, ka rikthyer dyshimet për procedura dhe fitues të paracaktuar.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët për problematikat në tenderat e shpallur dhe më pas të anuluar për mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë (QSUT).
Një seri shkrimet të “BN” duket se nxitën autoritetet e larta shtetërore që të hiqnin dorë përkohësisht nga ato që konsideroheshin si plane për përqëndrimin e mirëmbajtjes së aparaturave mjekësore në kompani që lidhen me shumë fije me pushtetin qeveritar.
Tashmë, tenderi i shpallur orët e fundit, riktheu të njëjtat dyshime, madje edhe më fuqishëm.
Burime konfidenciale për “Boldnews.al” nga Ministria e Shëndetësisë deklaruan se tenderi i saposhpallur mund të ketë fitues “të paracaktuar” kompaninë austriake “VAMED” dhe një tjetër shoqëri shqiptare, pranë qeverisë, dhe që nuk ka asnjë lidhje me pajisjet mjekësore.
Kjo kompani e huaj, sipas burimeve të sigurta, ka kritikuar ashpër mirëmbajtjen e deritanishme të aparateve mjekësore, megjithëse proceset e kryera nga shoqëritë shqiptare janë të standarteve ndërkombëtare, si edhe janë vlerësuar nga stafet mjekësore që punojnë me to.
Objekt i “sulmit” të parregullt dhe antiligjor të kompanisë austriake, gjithnjë sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, janë pajisjet e rënda si CT Scanner, Rezonancë Magnetike e Koronarografi, të instaluara në struktura të ndryshme spitalore në Shqipëri.
Duket qartë që “VAMED” po synon të futet fuqishëm në tregun shqiptar. Kjo iniciativë, natyrisht, duhet të gjej mbështetjen edhe Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka menduar edhe mekanizmat për ta shpallur atë të suksesshme.
WhatsApp-Image-2021-03-29-at-21.11.49-640x426.jpg

Tenderi për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore, për herë të parë, është shpallur edhe “ndërkombëtar”, megjithëse ky proces është realizuar më së miri prej shumë vitesh nga kompani shqiptare, të cilat janë distributorë të autorizuar të kompanive më të njohura në botë.
E, megjithë shërbimin tejet të vlerësuar të shoqërive shqiptare, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta “ndërkombëtarizojë” tenderin, duke nxjerrë një njoftim edhe në gazetën “Financial Times”.

Shpallja e tenderit, pikërisht ditën e sotme, përkon edhe me vizitën në Tiranë të Drejtori i Evropës Qendrore dhe Lindore të “VAMED”, Z. Berndt Mösslacher.
Sipas të dhënave të siguruara nga redaksia, z. Mösslacher ka në axhendën e tij takime me drejtues të lartë të sistemit shëndetësor në Shqipëri, ndërkohë që përfaqësuesit e kompanive shqiptare e kanë rreptësisht të ndaluar të zhvillojnë kontakte të ngjashme.
Kjo “tolerancë” e ministrisë së drejtuar nga Ogerta Manastirliu ndaj kompanisë së huaj nuk duket se përfundon këtu.
Në dokumentat e tenderit mbi 4 milionë euro konstatohen disa detaje të vogla, të cilat duket se e orientojnë procedurën drejt kompanisë së huaj.
Konkretisht, Ministria e Shëndetësisë duket se është “joshur” për të hequr nga dokumentat e tenderit, në mënyrë absurde, detyrimin që kompanitë pjesëmarrëse në tender të jenë të pajisur me “Autorizim prodhuesi”.
Ky dokument u lëshohet kompanive, të cilat janë distributor të autorizuar për pajisje dhe pjesë këmbimi origjinale, si edhe që kanë staf inxhinjerik të trajnuar për mirëmbajtjen, montimin dhe mirëfunksionimin e aparatave shumë të rëndësishme në aktivitetin spitalor.
Fakti që Ministria e Manastirliut po tenton të shmangë detyrimin për “Autorizimin e prodhuesit” nga kërkesat e tenderit, duket se është një tjetër element që krijon dyshimet se procedura pritet të shkojë drejt “VAMED”.


Burime të “Boldnews.al” deklarojnë se kompania me seli në Austri nuk ka “autorizim prodhuesi” për pajisjet e rënda që gjenden në funksion në spitalet shqiptare dhe, rrjedhimisht, nuk kanë as staf të trajnuar për mirëmbajtjen e tyre.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, PD: I kundraligjshëm dhe i ndikuar nga PS | BoldNews.al
Kjo do të thotë se, nëse “Vamed” apo kompani të tjera, të cilat nuk kanë “Autorizim prodhuesi” do të shpallen fituese, atëherë ekziston rrisku që mirëmbajtja e pajisjeve të rënda mjekësore të kryhet me pjesë jo-origjinale, ose siç njihen ndryshe “nga varrezat teknologjike”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të “VAMED” u paraqitën rreth 18 muaj më parë në Ministrinë e Shëndetësisë, duke treguar nëpërmjet laptopëve dhe pamjeve “3D” aktivitetin e tyre në mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në një spital të Zagrebit, në Kroaci.
Zyrtarë të pranishëm në atë aktivite trajnues/prezantues, ngritën supet për kohën e shpenzuar, pasi po përballeshin me procese, të cilat kompanitë shqiptare i realizojnë prej vitesh në mënyrë të suksesshme dhe për më tepër, në struktura shumë më të mëdha se sa një prej spitaleve të Zagrebit.
Mirëmbajtja e aparaturave mjekësore, i cili është një proces shumë i rëndësishëm dhe tejet delikat, është shndërruar në një proces, mbi të cilin hidhen dyshime të shumta për abuzim.

Ndërkohë që është nevojë imediate rritja e buxhetit për monitorimin e pajisjeve mjekësore, një pjesë e madhe e fondeve shkon për procese të Teknologjisë së Informacionit, ndërkohë që kompanive shqiptare u kërkohet që të zhvillojnë mirëmbajtjen “Full-Risk” me përqindje shumë të ulëta, madje duke iu vendosur si detyrim edhe furnizimin me pjesë konsumi.
Tenderat “e dyshimtë” për mirëmbajten e pajisjeve mjekësore kanë shkaktuar përplasje edhe brenda strukturave spitalore.
Disa muaj më parë, shefi i sektorit juridik në Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, I.N, dha dorëheqjen pasi, sipas burimeve nga brenda QSUT, ai nuk pranoi të bëhej pjesë e një procedure të dyshimtë për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në këtë strukturë të rëndësishme të Shëndetësisë Shqiptare.
Dorëheqja e tij duket se stepi drejtuesin e QSUT, Enkelejd Joti, i cili vendosi të ndryshonte termat e tenderit, duke hequr dorë nga plani i parë, në të cilin parashikohej se mirëmbajtja do të dorëzohej në dorën e një kompanie të vetme, për një periudhë 4-vjeçare.
Joti dhe QSUT vendosën në atë kohë që tenderi për mirëmbajtjen e aparaturave të rikthehej në “shinat e rregullta”, duke shpallur procedurën për një afat 1-vjeçar.
Por, ajo që nuk mundën të realizonin vitin e kaluar, tashmë autoritetet më të lartë të Shëndetësisë po mundohen ta bëjnë këtë vit, nëpërmjet tenderit të përqëndruar, të shpallur këtë fillim-jave.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë kanë konstatuar atë që duket se është një dëshirë edhe e Ogerta Manastirliut, që kontrata 4 milionë euro të shkojë në duart e kompanisë austriake dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Shqipëri.

Dhe, për t’u arritur ky qëllim, duket se po kryhet gjithçka për të ndryshuar rregullat e procedurës së prokurimit publik.
Në një situatë të tillë, një seri pikëpyetjesh gjejnë terrenin e përshtatshëm për t’u ngritur; kur asnjë drejtues spitali nuk ka asnjë ankesë për mirëmbajtjen e aparaturave dhe në një kohë kur ato punojnë non-stop në të gjithë Shqipërinë, atëhere për cilën arsye po tentohet që të ndryshojnë rregullat e tenderit?
Po ashtu, duket shumë rastësi për të qenë rastësi që, pikërisht ditën e shpalljes së tenderit, në Shqipëri mbërrin një prej zyrtarëve më të lartë të kompanisë “Vamed”, për të cilin duket se janë të hapura dyert në Ministrinë e Shëndetësisë.
Gjithësesi, tenderi sapo është hapur dhe rezultatet e tij pritet të shpallen në 14 Maj 2021, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

/Boldnews
 

Attachments

  • enkelejd-joti-dhe-ministrja-780x405-1-640x332.jpg
    enkelejd-joti-dhe-ministrja-780x405-1-640x332.jpg
    28.9 KB · Shikime: 0
  • WhatsApp-Image-2021-03-29-at-21.11.49-640x426.jpg
    WhatsApp-Image-2021-03-29-at-21.11.49-640x426.jpg
    31.3 KB · Shikime: 0
  • enkelejd-joti-dhe-ministrja-780x405-1-640x332.jpg
    enkelejd-joti-dhe-ministrja-780x405-1-640x332.jpg
    28.9 KB · Shikime: 0
  • WhatsApp-Image-2021-03-29-at-21.11.49-640x426.jpg
    WhatsApp-Image-2021-03-29-at-21.11.49-640x426.jpg
    31.3 KB · Shikime: 0
Top